Ervis Ijazaj
Është e qarte se grupimi i ‘’Rithemelimit’’ i drejtuar nga Sali Berisha ndodhet në një krizë politike të shumëfishtë. Fakti që shpalosin skena nervozizmi çdo ditë në Parlamentin e Shqipërisë, siç ishte ajo e ditës së sotme ndaj një gruaje, e tregon më së miri këtë krizë. I gjithë ky nervozizëm nuk tregon gjë tjetër veçse dëshpërimin e një lëvizje politike që duket pa busull të qartë.
Një krizë lidershipi, krizë retorike politike, krizë strukturore dhe organizative. Pa një identitet të qartë politik, ligjor dhe partiak, e vetmja mënyrë me anë të së cilës kanë arritur të bëjnë politikë në këto kohë, është duke akuzuar kundërshtarin e tyre brenda opozitës, Partinë Demokratike se po bënë ‘’pazar’’ me Edi Ramën.
Këtë gjë e bënë edhe ditët e fundit kur Partia Demokratike njoftoi se Komisioni për Reformën Zgjedhore do të fillonte nga puna pas shumë kohësh që rrinte pezull. Këtë detyrim që opozita e ka ndaj shqiptarëve, votuesve të saj dhe proceseve integruese të Shqipërisë, Rithemelimi e quan ‘’pazar’’.
Për një arsye shumë të thjeshtë. Deri më sot ky grupim, që ka dy vjet aktivitet politik nuk ka arritur dot të prodhojë asgjë politike, të mbrojë asnjë kauzë dhe të propozojë asnjë ide përveçse idesë se ata janë‘’ opozita e vërtetë’’ E në këtë kuptim, i duhet me patjetër të prodhojnë një ‘’opozitë false’’ për arsye ekzistence.
Për ta nuk ka rëndësi nëse një politikë, një reformë apo një veprim është në interes të Shqipërisë, por thjesht duhet të mbrojnë idenë dhe rrugën e tyre absurde të konfliktit me qeverinë, pavarësisht se ky konflikt çon ujë vetëm në mullirin e Edi Ramës dhe të qeverisë.
Në fakt, të ulesh me qeverinë për të bërë një reformë kaq të rëndësishme për opozitën dhe Shqipërinë, është si të bësh ‘’pazar’’ në favor të opozitës dhe jo të Edi Ramës. ‘’Pazari’’ me Edi Ramën është totalisht e kundërta. Është që të mos bësh asnjë përpjekje që të ndryshosh këtë sistem zgjedhor. Nëse ka një të interesuar të madh sot që gjërat mos të ndryshojnë, ky është pikërisht Edi Rama dhe pushteti i tij.
Pazar me Edi Ramën do të thotë që të mos përpiqesh aspak që diaspora shqiptare të ketë të drejtën e votës. Nëse ka një elektorat që ky pushtet nuk mund ta manipulojë, është pikërisht vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Vota e diasporës është një garanci më shumë për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. Gjithashtu të luash në favor të Edi Ramës, është si të mos bësh asnjë përpjekje për të hapur listat plotësisht.
Në këtë kuptim, ulja e Partisë Demokratike me qeverinë për të bërë Reformën Zgjedhore është vetëm në interes të opozitës. Sigurisht që nuk ka asnjë garanci që Partia Demokratike do ti arrijë objektivat e saj, por kjo nuk do të thotë aspak që mos të bëjë përpjekjet e saj. Përpjekje të cilat mbështeten edhe nga aleatët ndërkombëtar të Shqipërisë.
Dhe në fund, të bësh ‘’pazar’’ me Edi Ramën është të shkosh pas një njeriu i cili e quan SPAK-un një organizatë kriminale. Ta sulmosh përditë institucionin për të cilin kanë investuar më shumë se kushdo do tjetër Shtetet e Bashkuara dhe BE, ashtu sikurse ka filluar ta bëjë edhe Edi Rama, pasi SPAK ka filluar hetimet për gjysmën e qeverisë së tij. Nëse ka një njeri i cili kërkon ta delegjitimojë SPAK-un, ky është pikërisht Rama dhe pushteti i tij financiar e politik. Sepse duke parë katandisjen e opozitës sot, duket si i vetmi kundërshtar i pushtetit të tij.
Prandaj realiteti është totalisht i kundërt nga ajo siç propagandojnë drejtuesit e foltores. ‘’Pazari’’ i vërtetë me Ramën është pikërisht të kërkosh vazhdimin e klasës politike 33 vjeçare dhe gjithë sistemin që ajo përfaqëson. Status quo-ja është në interes të Rithemelimit dhe Edi Ramës. Ku një palë kërkon të jetë ‘’ opozita e vërtetë’’ e përjetshme, dhe tjetra të jetë pushteti edhe për shumë kohë të tjera. Me të gjitha gjasat do t’ia arrijnë.