Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Çështja e opozitës është një dhe e vetme, lidershipi i saj

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Çështja e opozitës është

Nga Ervis Iljazaj

Partia Demokratike është duke zhvilluar mbledhje me strukturat e saj për të diskutuar strategjinë poitike që do të ndjekë në sezonin e ri politik. Ka diskutime të ndryshme të cilat propozojnë protesta radikale, destabilizim apo mënyra të tjera politike për të zhvilluar aksionin opozitar. Disa të tjerë janë më të moderuar, dhe propozojnë një politikë më konstruktive që flet për hallet dhe problemet e njerëzve.

Të gjitha këto disktutime do të kishin vlerë nëse Partia Demokratike do të kishte zgjedhur çështjen më kryesore të saj, atë të lidershipit. Madje e vetmja çështje me rëndësi që ka kjo parti është pikërisht ildershipi i saj. Të gjitha diskutimet e tjera janë të pavlera dhe pa asnjë ndikim në opinionin publik shqiptar. Edhe për faktin se shumë pak kohë përpara zgjedhjeve nuk duket se ka shumë hapësirë për ndryshim. Problemi real i saj është pikërisht lidershipi.

Çështja është se çfarë do të bëjë Partia Demokratike me lidershipin e Sali Berishës në funksion të rotacionit politik në 2025.

A është i mundur rotacioni me një lider që ka 34 vite në politikë dhe që nuk ofron asgjë të re për shoqërinë shqiptare? Një lidership që duket shumë më i vjetër se sa lidershipi i konsumuar i Edi Ramës.
A është i mundur rotacioni politik më një lider që është ‘non grata’ nga dy vende, aleate kryesore dhe strategjike të Shqipërisë siç është ShBA dhe Britania e Madhe?
A është i mundur rotacioni politik me një lider që gjithashtu është i akuzuar dhe në arrest shtëpie për korrupsion?

A është i mundur rotacioni politik me një lider që edhe në moshën biologjike, jo vetëm atë politike, është në një fazë të caktuar të jetës së tij?
Të gjitha këto janë pyetje, që Partia Demokratike duhet ti japë përgjigje nëse vërtetë dëshiron të fitojë zgjedhjet e ardhshme politike dhe të mundësojë rotacionin politik. Nëse pastaj nuk ka si synim rotacionin, por thjesht konsolidimin e një njeriu në krye të partisë në mënyrë të përjetshme dhe sigurimin e disa mandateve deputeti të bësnikëve të tij, ky është një diskutim tjetër.

Fakt është se shumë afër zgjedhjeve, Partia Demokratike dhe opozita ende nuk e ka një emër për kandidat për kryeministër. Në këtë drejtim ka qarkulluar një ide e cila kërkonte që opozita të gjente një emër që bashkonte të gjitha rrymat opozitare. Një emër që ndoshta ishte dhe jashtë politikës shitpare. Po kjo ide ka stopuar dhe me sa duket është refuzuar nga kryetari Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në këtë kuptim, opozita po shkon drejt fushatës elektorale pa një kandidat për kryemnistër, duke qenë se zoti Berisha për shumë arsye nuk mund të jetë. Ky është një minus shumë i madh në raport me kundërshtarin. Nuk mund të pretendosh të fitosh zgjdhjet pa një emër për kryeministër. Ndoshta muajt e ardhshëm do të ketë zhvillime të reja, por gjasat janë që opozita shqiptare të futet në zgjedhje pa një kandidat për kryeminsitër. Ndërkohë që kundërshtari politik ka ndezur tashmë motorat e fushatës elektorale me të gjitha instrumentat e tij të fuqishëm financiar dhe politik që ka në dispozicion.

Prandaj, nëse opozita shqiptare nuk zgjidh çështjen e lidershipit të saj, të kandidatit për kryeministër, çdo aksion tjetër si protestat, hetim parlamentar apo qoftë program elektoral, nuk kanë asnjë vlerë. Çdo strategji politike që mund të zgjedhë opozita për të aplikuar për aksionin e saj, pa zgjidhur çështjen e lidershipit nuk vlen për asgjë. Aq me tëpër në politikën e ditëve të sotme ku lideri luan rolin kryesor të frymëzimit politik dhe fitores.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH