Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Arben Ahmetaj ndihmoi më shumë politikën apo drejtësinë?

Shkruar nga Ervis Iljazaj
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Arben Ahmetaj ndihmoi më shumë

Ervis Iljazaj

Kishte një pritshmëri shumë të madhe nga opinioni publik dje për intervistën e Arben Ahmetaj dhe daljen e tij publike për herë parë, pas arratisë si person i akuzuar nga SPAK. Duke qenë se afera e inceneratorëve është një nga çështjet më të diskutuara kohët e fundit, e gjithë vëmendja e opinionit publik ishte te fjalët e ish zv.kryeministrit të Shqipërisë. Me shpresën se do të tregonte të dhëna domethënëse për këtë aferë, të gjithë menduan se intervista e tij do të ishte një kontribut për zbardhjen më tej të kësaj afere.

Dhe në fakt, njërëz të tillë, të cilët janë të akuzuar nga drejtësia dhe nga SPAK kryesisht, mund të luajnë një rol thelbësor dhe ti shërbejnë drejtësisë së re, qoftë edhe duke bërë luftën politike ndaj njeri-tjetrit. Dhe ajo e djeshmja e Arben Ahmetaj nuk ishte gjë tjetër veçse pjesë e një lufte politike. Në të kundërt, zoti Ahmetaj, nëse do të ishte vërtet i interesuar për drejtësinë në Shqipëri do fliste më parë, që kur ishte pjesë e pushtetit, dhe jo vetëm pasi u vu vetë nën akuzë. Megjithatë, edhe pse në këtë pozicion, mund të ishte i vlefshëm për drejtësinë.

Në thelb, nga intervista e tij Ahmetaj dha tre mesazhe kryesore. E para; SPAK kontrollohet nga Edi Rama. E dyta se kundër tij ka një përndjekje politike dhe një luftë të brendshme. Dhe e treta, se ai nuk ka lidhje me inceneratorët, por të tjerët janë ata që janë pronar faktik të tij.

Saktësisht, Erion Veliaj është pronari i incenearatori i Tiranës, sipas tij. Shumica prej tyre janë akuza që i bëhen pushtetit nga opozita dhe kritikët e saj nëpër media. Çdo ditë kritikët e pushtetit akuzojnë këtë qeveri se kontrollon SPAK-un, madje shpesh herë e quajnë dhe një organizatë kriminale. Çdo ditë nëpër media kritikët e qeverisë e konsiderojnë Edi Ramën si një autokrat apo se është koka e inceneratorëve.

Të gjitha këto akuza që bëri Arben Ahmetaj dje, mund të jenë të vërteta, por ajo që pritej nga ai ishte diçka më shumë. Vetëm kështu do të ishte një intervistë në interes të publikut dhe jo në interes të tij. Asgjë më shumë nuk tha Ahmetaj se sa ajo që thonë kritikët e Edi Ramës dhe Erion Veliajt çdo ditë në debatet publike.

Ndërkohë që, ajo që priste publiku nga ai, ishin të dhëna dhe informacione më të sakta duke qenë se ka qenë pjesë e pushtetit dhe ka firmosur shumë nga ato afera që akuzohet kjo qeveri. Jo vetëm këto informacione nuk u dhanë, por vetë Ahmetaj i jepte instruksione gazetarit se si të investigonte dhe të shkonte te e vërteta.

Në këtë kuptim, intervista e Ahmetaj ndihmoi më shumë politikën se sa drejtësinë. Politikën në kuptimin që akuzat që bëhen shpesh ndaj pushtetit i tha me gojën e tij dhe një ish-anëtar i këtij pushteti. Dhe fjala e tij, për një pjesë të madhe, konfirmon linjat politike dhe debatet që bëhen në mediat shiptare sa herë ka një debat midis opozitës dhe pozitës.

Mirëpo, gjithsesi, konkluzioni mbetet. Intervista e tij më shumë do të ndihmojë debatin politik se sa SPAK-un për të vazhduar me hetime më të thelluara në aferën e inceneratorëve. Që në Shqipëri është krijuar një lloj autokracie, këtë tashmë e dinë të gjithë. Nuk është nevoja të na e konfimrojë Arben Ahmetaj. Ajo që priste publiku prej tij, ishin informacione për çështjen e inceneratorëve. Disa prej tyre që ai tha, janë bërë tashmë publike dhe nga deputetë të opozitës, dhe nuk janë ndihmë shtesë për hetimet.

Ndoshta nuk ishte qëllimi tij të ndihmonte drejtësinë, por thjesht të ngrejë debate publike dhe politike për tu mbrojtur personalisht. Kjo është në të drejtën e tij, por drejtësia nuk fitoi gjë. Nëse do të fitonte, Arben Ahmetaj do ti bënte një shërbim të madh shoqërisë shqiptare.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH