Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: A mund të dështojë vota e diasporës?

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: A mund të dështojë vota e

Ervis Iljazaj

Sot në seancën plenare ka patur një diskutim të fortë për votën e diasporës. Opozita shqiptare pretendon se të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë duhet të votojnë, pavarësisht nëse kanë një dokument shqiptar apo jo. Dhe këtë kërkesë e bazojnë te fakti se është një e drejtë kushtetuese për të gjithë shtetasit shqiptarë. Ky pretendim në fakt nuk është plotësisht i bazuar. Kushtetuta e Shqipërisë thotë së shtetasit shqiptarë kanë të drejtën e votës dhe jo ata që kanë lindur në Shqipëri apo në bazë të kombësisë.

Shtetësia është e ndryshme nga kombësia. Që të jesh shtetas i një vendi të caktuar me patjetër që duhet të kesh dokument identifikimi të atij shteti. Shtetësia është një koncept që lidhet me fjalën shtet, pra, me konceptin politik të organizimit shtetëror dhe jo me etninë apo kombësinë e tij. Në këtë kuptim, Kushtetuta ja jep këtë të drejtë qytetarëve që janë shtetas shqiptar dhe jo thjesht shqiptar.

Votimi i shqiptarëve që nuk kanë asnjë dokument shqiptar përveçse një arsye jurididke ka dhe një problem moral dhe politik. Një person i cili për 20 apo 25 vite me radhë nuk ka dashur të pajiset me një dokument shqiptar tregon se është shkëputur plotësisht nga Shqipëria. Ndoshta jo si lidhje etnike apo patriotike, por si shkëputje qytetare më të gjitha kuptimet që ky nocion nënkupton.

Dëgjohet shpesh që vota e imigrantëve shqiptarë është një e drejtë kushtetutese. Megjithatë askush deri më sot nuk ja ka mohuar këtë të drejtë. Nëse shqiptarët që jetojnë jashtë duan të votojnë mund të vijnë në Shqipëri dhe të votojnë. Ajo që po ndodh kësaj here, është që shteti shqiptar po ja mundëson këtë të drejtë në vendin që ata jetojnë pa qenë nevoja për të ardhur fizikisht në Shqipëri. Prandaj me të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të votuar duket hapur se po abuzohet.

Megjithatë, me shumë se sa pretendime kushtetutese apo morale, duket sikur po gjenden artifica për ta dështuar votën e diasporës. Që tani opozita shqiptare ka filluar të ngrejë dyshimet e saj për manipulimin e votës së diasporës. Ndoshta me të drejtë, pasi rreziku qëndron. Për shembull me votën e diasporës është vështirë të shmanget ai që quhet votimi në grup. Apo fotografimi i votës, që ka qenë një element manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat janë përmendur edhe nga raportet ndërkombëtare. Mirëpo, opozita i ka ditur që në krye të herës këto problematika, që kur votoi bashkë me Partinë Socialiste ndryshimet e kodit. E gjendur ndoshta në kushte të vështira kontraktuale në atë kohë, e pranoi këtë votë e detyruar edhe për kushtet politike ku ndodhej. Duket qartë se vota e diasporës, nëse vërtetë do të realizohet, do të jetë vota më e kontestuar në Shqipëri dhe do të shërbejë si alibi për të mos e njohur procesin zgjedhor në tërësi.

Me sa duket votimi që emigrantët shqiptarë të votojnë të gjithë dhe që kjo votë të jetë e barazvlefshme me shqiptarët që jetojnë këtu ishte e nxituar dhe e pa menduar mirë. Ajo u votua me shpejtësi, në nxitim e sipër, dhe në moment të fundit. Mbase dhe në marrëveshje e sipër midis palëve. Nuk dihet ende se si do të shkojë kjo histori, por rreziku që vota e diapsorës të dështojë është i madh, dhe ky do të ishte një lajm i keq për procesin zgjedhor shqiptar.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH