Ervis Iljazaj
Pavarësisht se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese për çështjen e Sali Berishës sot, çështja thelbësore është nëse drejtësia duhet të vendosë një standard të caktuar në raport me drejtuesit politikë. Në kuptimin që duhet të vendosë masa të heqjes apo kufizimit të lirisë gjatë procesit apo duhet ta bëjë këtë vetëm me një vendim përfundimtar të Gjykatës së Apelit?
Sali Berisha edhe mund të jetë i lirë sot nëse Gjykata Kushtuese vendos që kufizimi i lirisë së tij pa autorizimin e parlamentit është antikushtetues. Por gjithsesi kjo nuk e zgjidh çështjen. Nuk është fjala për politikanë, funksionarë apo deputetë të caktuar, por për drejtues politik nga i cili varet edhe jeta politike shqiptare.
Është koha që ky standard të vendoset, pasi aktiviteti politik është një element i rëndësishëm demokratik dhe ka arsye shtetërore që mund të çojë në një standard të caktuar. Sigurisht drejtësia ka arsyet e saj si në rastin e Sali Berishës, po ashtu edhe në atë të Ilir Metës, dhe askush nuk mund ti paragjykojë ato. Por, për hir të klimës politike dhe demokratike të vendit është mirë që drejtuesit politikë apo edhe ish drejtues institucionesh kushtetutese si ish president, ish kryeministër të hetohen në gjendje të lirë deri në një vendim përfundimtar. Vetëm në raste të caktuara apo ekstreme mund ti hiqet liria drejtuesve politikë, në mënyrë që aktiviteti politik të zhvillohet lirshëm, pasi është një e drejtë që secili grupim apo parti ka të drejtë ta zhvillojë. Është e qartë se nëse drejtuesit e një partie politike janë në masë kufizimi lirie kjo e bën garën demokratike të pabarbartë.
Dhe gara demokratike është kusht thelbësor në një shoqëri të lirë. Sigurisht nëse kushtet janë ekstreme, drejtësia ka të gjithë të drejtën që ta kufizojë lirinë, por vetëm kur nuk ka zgjidhje tjetër.
Ne kemi arritur në një pikë që opozita shqiptare, ndoshta me të drejtë, ankohet se drejtuesit e saj janë në kufizim lirie dhe kjo, sipas saj, është përdorje politike e drejtësisë kundër saj. Edhe pse unë mendoj që kjo nuk është asbolutisht e vërtetë, por përsëri për të shuar të gjithë konfliktin politik që sjell një konflikt shoqëror, drejtësia duhet të kufizojë lirinë e drejtuesve politikë vetëm me një vendim përfundimtar.
Ne kemi arritur në një pikë që më në fund drejtësia po heton njerëz me pushtet si asnjëherë më parë. Të gjitha nivelet e drejtuesve politikë apo drejtues institucionesh kanë provuar të shkojnë njëherë në dyert e SPAK, dhe kjo falë punës kundër korrupsionit të drejtësisë së re. I vetmi që nuk e ka provuar këtë gjë është kryeministri në detyrë. Dhe akuzat e opozitës, janë pikërisht në këtë drejtim kundër drejtësisë. Pse liderët e opozitës dhe jo Kryeministri? Gjë e cila në pamje të parë edhe mund të qëndrojë si akuzë, por e vërteta është pak ndryshe. E para është lajmi i mirë që standardi i drejtësisë shqiptare matet me arrestimin ose jo të kryeministrit në detyrë. Kurrë më parë në Shqipëri nuk e kemi patur këtë luks. Përditë në mediat shqiptare flitet për arrestimin ose hetimin e kryeministrit për ta konsideruar drejtësinë e pavarur. Kjo tregon nivelin e pavarësisë, sidomos të SPAK dhe GJKKO-së.
Kjo s’ka ndodhur asnjëherë në 35 vite tranzicion në Shqipëri. Mirëpo, hetimi apo arrestimi i kryeministrit në detyrë nuk është një gjë që ndodh shpesh as në vendet më demokratike me drejtësi të pavarur. Ky është një standard që nuk ekziston as në Holandë apo në Zvicër. Hetimet apo arrestimet e kryeministrit në detyrë ndodh rrallë ose asnjëherë. Sepse disa poste mbrohen nga imunitetet për arsye shtetërore. Ilir Meta për shembull nuk u arrestua kur ishte President i Republikës. Në Shtetet e Bashkuara sapo Trump u zgjodh President gjyqet e tij pushuan menjëherë. Prandaj shumë mirë që në Shqipëri ka ardhur dita që të matet drejtësisa nëse hetohet apo arrestohet kryeminisitri, por kjo s’ka lidhje me të vërtetën.
Ajo që duhet diskutuar është fakti që edhe drejtësia të bëhet por edhe gara politike të mos prishet apo mos deformohet. Me të drejtë opozita shqiptare ka pretendimet se gara politike e 2025 nuk është e barabartë nëse liderët e tyre janë në heqje lirie. Të gjithë duhet të shkojnë përpara drejtësisë dhe të japin llogari, dhe kjo gjë po ndodh falë punës së SPAK. Por ama, ekzistojnë dhe disa arsye përtej drejtësisë që duhet respektuar. Drejtësia nuk duhet të jetë në revansh ndaj politikës njësoj siç kjo e fundit ka bërë kundrejt saj për 35 vite. Përkundrazi, duhet të shërbejë jo vetëm për drejtësi individuale por edhe për atë politike dhe sociale. Në fund të fundit ky është misioni kryesor i saj.