Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, pasi si sot një vit më parë nisën sulmet ruse në Ukrainë.
Meta shkruan se, Partia e Lirisë qëndron në solidaritet dhe mbështje të palëkundur për popullin Ukrainas deri në rivendosjen e paqes dhe garantimin e sovranitetit shtetëror.
"Si sot 1 vit më parë, Ukraina u zgjua nën tmerrin e agresionit të egër rus, e që prej asaj dite, populli ukrainas është kthyer në frymëzim për mbarë botën, me rezistencën e tij heroike për liri, në mbrojtje të atdheut, lirisë dhe demokracisë brenda kufijve të sovranitetit shtetëror. Angazhimi i hershëm ndërkombëtar nga OKB, NATO, BE, si dhe dedikimi i SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, në këto 12 muaj ka dëshmuar qartazi se uniteti i demokracive perëndimore është efektiv për mbrojtjen e Ukrainës nga ky pushtim ilegjitim dhe Ukraina do të qëndrojë e lirë dhe sovrane. Partia e Lirisë qëndron në solidaritet dhe mbështje të palëkundur për popullin Ukrainas deri në rivendosjen e paqes dhe garantimin e sovranitetit shtetëror.", shkruan Meta.