Editorial

Një ‘vaksinë’ për shëndetin e shoqërisë... shërbimi i detyrueshëm ushtarak

Shkruar nga Liberale
Një ‘vaksinë’ për shëndetin e

Kristaq Xharo*

"Dëshironi të shihni djalin, vajzën, nipin a mbesën, fëmijët e fqinjit apo adoleshentë të tjerë të jenë më të vullnetshëm, këmbëngulës, të respektueshëm, të disiplinuar, të nderuar e të përgjegjshëm për më tej?  Nuk është reklamë për një vaksinë magjike - është thjesht  argument për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Përndryshe, një pamje, që nuk do të dëshironit ta shihni, të rinj pa interesa, pa objektiva, pa iniciativë, pa vet-besim e më keq… të rendur drejt boshllëkut, kontingjent apo deri të pleksur me  kriminalitetin, drogës, abuzimet, prostitucionit që në adoleshencë.. është koha të zgjidhni...” – shprehet Uilliam Armstrong për website prestigjioz amerikan Newsmax.

Të mësuar, tashmë,  që ushtarët ti shohim në operacione luftarake, në katastrofa natyrore, e deri të parët sa herë që ndjehet një emergjencë,  është lënë mënjanë që shërbimi i detyrueshëm ka edhe një anë tjetër, aspektin social. Ndryshe nga shumë eksperienca të tjera aty gjejmë dy tipare dalluese: solemnitetin (madhështinë, krenarinë) dhe efektin social. Vështirë të gjeni eksperiencë të krahasueshme ku të rinj e të reja nisin një eksperiencë të re duke u betuar solemnisht e kënduar himnin kombëtar,  në  përkushtim ndaj vendit të vet, por edhe një vend ku të rinjtë e të rejat  afirmojnë personalitet, respekt dhe fitojnë  përvoja që do t’ju vlejnë për gjithë jetën. Edhe pse e harruar, apo injoruar në vendin tonë, shërbimi i detyrueshëm nuk është një dukuri e re, por tashmë e ringritur me seriozitetin më të madh në mjaft vende të perëndimit.

Çfarë e lidh shërbimin e detyrueshëm ushtarak me efektet sociale? -  Studiues të ndryshëm, prej kohësh e konsiderojnë shërbimin e detyrueshëm (ushtarak apo kombëtar)  si një nevojë në shoqërinë e tronditur nga dukuri negative me efekte tej negative veçanërisht në brezin e ri.  A ndikon shërbimi ushtarak në këtë model shoqërie? -  “...ai (shërbimi) është  një ndryshim i rëndësishëm nga përvojat e mëparshme për të rinjtë/të rejat; një perspektivë që mund ti ndihmoj ata të shohin të ardhmen në një nivel të ndryshëm nga ai spontan,   të frymëzojë ata që të punojnë më shumë në të ardhmen, dhe të nxisë një ndjenjë më të madhe të interesit jo vetëm kombëtar,  por edhe përgjegjësisë qytetare...” shprehet Carls Moskos, një  studiuesit më të njohur të shkencave sociale, por edhe të sigurisë.

Për të rinjtë (por jo vetëm)  shërbimi i detyrueshëm kthehet në një benefit që prodhon  tipare të  rëndësishme dhe po aq të vlefshme të karakterit të individit.  Dhe vërtete, gjatë shërbimit të detyrueshëm , të rinjve  ju mësohet jo vetëm respektimi i autoritetit, i vetë-disiplinës, të sjellurit dhe punuarit në grup, por edhe aftësi të tjera, të përballjes me problemin dhe vështirësinë, aftësi  menaxhuese apo drejtuese, cilësi këto për të cilat shërbimi i detyrueshëm është unik.

Në të kundërt, mungesa e tyre, edhe siç po provohet dita-ditës  po  kthehet  në një fenomen virusal.  Ishte gati e njëjta ide që shprehte pak më vonë shprehej editorialisti  Chalender i ‘Atlantic’ ,  kur Suedia ndërpreu shërbimin e  detyrueshëm në vitin 2010  "...është një bazë e fortë për tu frikësuar,  se me ndërprerjen e  shërbimit ushtarak,  të deritanishmes do ti shtohet edhe një nivel tjetër  i zhdukjes së ndërgjegjes publike ...dhe vetë identitetit kombëtar... lidhja mes detyrimeve dhe të drejtave po bëhet gjithmonë më pak dhe më pak e qartë. "

Shërbimi ushtarak nxit ndjenjën e ndërgjegjes qytetare, një fenomen i dërrmuar aq rëndë nga ndasitë politike, kulturore, religjioze, të origjinës apo të vendlindjes. Shoqëria jonë gjithmonë e më tepër po demonstron frikshëm  ndarjet dhe dallimet sociale.  Asnjë strukturë  institucionale  nuk përballet me fenomenin. Shërbimi i detyrueshëm është një ambient ku  mundësohet  që dallimet të shkrihen dhe  unifikohen.

Danimarka, Norvegjia, Suedia dhe Finlanda e tejkalojnë shërbimin e detyrueshëm jo thjesht si kapacitete të fuqisë ushtarake (janë vendet më paqësore në botë), por si kapacitete të fuqisë kombëtare për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të atë kohezionit të shoqërisë. Një raport i kohëve të fundit i OKB  zbulon se këto vende kanë nivelet më të larta të kohezionit social në botë. Atëherë, cila është lidhja e përbashkët? Një model  skandinav i mënyrës së jetesës? Një izolim dhe mbyllje? Rrjedhje në nacionalizëm dhe shovinizëm? - Jo. Ndryshe, nga të tjerët,  është ideja dhe realiteti për t’ju afruar qytetarëve të vet ndërgjegjësimin për një raport midis të drejtës dhe detyrimit, midis ndjenjës, respektit dhe shtetit-ligjit.

Sondazhet në 2018 treguan se çfarë mendon kombi gjerman për shërbimin ushtarak. Në Francë, IFOP-2016  zbuloi se mbi 80% e francezëve dëshirojnë të kthehet  shërbimi i detyrueshëm. Ata e shohin atë si mënyrën kryesore për t’ju dhënë shtetasve, veçanërisht  të rinjve "vlera sociale dhe kombëtare". Të anketuarit besojnë që "Franca ka nevojë për mënyra të fuqishme për të nxitur  integrimin, për të afruar në vlera të përbashkëta të rinjtë me prejardhje dhe shtresa të ndryshme sociale, për të demonstruar vlerat qytetare dhe kohezionin kombëtar".

Ideja e shërbimit të detyrueshëm, përtej fuqisë ushtarake, ‘si një vaksinë për shoqërinë e tronditur moderne’  argumentohet edhe në US Global Issues -2017 ku  jepet një analizë e thellë  për avantazhet dhe vështirësitë në aplikimin e shërbimit të detyrueshëm. Midis dhjetë arsyeve se përse është i nevojshëm shërbimi i detyrueshëm spikatin : promovon identitetin dhe unitetin kombëtar; promovon ndjenjën e barazisë midis njerëzve; mundëson marrjen e aftësive të domosdoshme praktike për të rinjtë; bën më të ndërgjegjshëm njerëzit për shoqërinë demokratike, të drejtat dhe detyrimet, ligjet; dhe në fund por jo e fundit rrit kapacitetet e fuqisë ushtarake duke krijuar një rezervë të fuqishme, në çdo kohë për kërcënimet ndaj vendit.

A është opinioni ynë  për shërbimin e detyrueshëm ushtarak? – Me fenomene të ngjashme negative, tej e më të sforcuara, ndjeshmëria besohet të jetë e madhe edhe pse nuk ka sondazhe të mirëfillta për këtë çështje. Por, e besueshme është që Shqipëria ka ndryshuar shumë nga ajo e 13 viteve më parë,  kur me propozim qeverie  u shfuqizua, mes brohoritjeve, ligji për  shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në vitin 2008. Duke i veshur edhe sloganin se ‘është standard i NATO-s’, zërat kritikë u shuan. Në të vërtetë nuk ekziston një standard i tillë në NATO.

Në të vërtetë shqetësimi për një shoqëri ku degradimi i vlerave sociale, morale e deri kombëtare, po rritet përditë. Korrupsioni, kriminalitetit, trafiqet ilegale në lëndë narkotike e në qenie njerëzore e plot të tjera po gjenden e thellohen përditë. Edhe më shqetësues bëhet fakti  që në këto fenomene negative përditë e më shumë po gjenden të rinj, të cilët në mënyrë spontane apo për nevoja të çastit janë rekrutët më të gatshëm.   Ngjarja në  Lezhë para pak ditëve, apo  edhe shumë të tjera më parë tregojnë që krimi po tërheq gjithnjë e më shumë edhe të rinjtë.   Statistikat flasin…  Në periudhën 1990 - 2020, numri i të vrarëve është   6 589 persona, me rekord në vitin 1997 me 1542 të vrarë. Nga viti 2015  renditemi në 5 vendet europiane, me numrin më të lartë të kriminalitet për frymë të popullsisë,  1.8 viktima për 100 mijë banorë, ndërkohë që BE  nuk e kalon mesataren 0.7 dhe vendet fqinje Greqia me 0.7 dhe Italia 0.6.   Përqindja e të rinjve në krime apo edhe viktima është e frikshme.

Në përfundim, duke e parë shërbimin e detyrueshëm përtej konceptit të fuqisë së armatosur është koha ta shohim si një vaksinë (jo magjike) në shëndetin e një shoqërie që kërcënohet  apo goditet përditë. Dhe, në këto kushte besohet që opinioni po ndërgjegjësohet,  se duhet të gjenden mënyra për tu përballur me kërcënimet. Nuk është nevoja të bëjmë ‘zbulime’, mjafton të shohim modele që ndjekin mjaft vende të tjera, si pranë por edhe më tej, më të zhvilluar e me nivele shumë më të larta jetese. Koha për të tejkaluar debatin..

Kristaq Xharo lektor për Çështjet e Sigurisë në UET /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH