Olaf Scholz shprehet i sigurt se është e nevojshme të thjeshtësohet procedura, për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për këtë është e nevojshme të kryhen reforma.
Kancelari gjerman foli në një intervistë për gazetën më të madhe gjermane, Suddeutsche Zeitung.
Ai beson se për zgjerimin e BE-së, më tej jo vetëm aplikantët për pranim, por edhe vetë BE-ja duhet të reformohet:
“Për ta bërë këtë, ajo (BE) duhet të modernizojë strukturat e saj dhe proceset vendimmarrëse për të lehtësuar pranimin e anëtarëve të rinj. Nuk do të jetë e mundur të vendoset gjithçka njëzëri, edhe nëse sot procedura kërkon unanimitet.”
Scholz flet për vizionin e tij të reformave, në samitin e BE-së që do të mbahet të enjten deri të premten. Në fund të javës, krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare do të shqyrtojnë aplikimet nga vendet e lindjes si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.
KE rekomandoi shpalljen e Ukrainës dhe Moldavisë si vende zyrtare kandidate. Scholz mban një qëndrim të ngjashëm, të cilin ai e bëri të qartë gjatë vizitës së tij në Kiev, këtë të enjte.
Tani statusi i kandidatit mund të jepet vetëm në mënyrë unanime. Në BE ka kohë që po zhvillohen diskutime për të dobësuar parimin e unanimitet. Një javë më parë, Parlamenti Evropian u kërkoi vendeve të BE-së të miratojnë një konventë kushtetuese për reformat gjithëpërfshirëse të BE-së. PE bëri thirrje për braktisjen e parimit të unanimitet, thuajse në të gjitha fushat e politikës.
Olaf Scholz gjithashtu shpreson se samiti do t’i japë një shtysë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë pritur për gati dy dekada për anëtarësim në Bashkimin Evropian:
“Ne duhet t’u tregojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor se jemi serioz. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të kualifikuara (i kanë arritur kushtet), për të nisur më konkretisht negociatat e anëtarësimit në BE – ato duhet të fillojnë tani”.
Kështu Gjermania para samitit të qershorit është e qartë dhe më e vendosur se kurrë: Shqipërisë duhet t’i çelen negociatat. Gjermania mban peshën kryesore, ndërsa edhe problemi i vetëm, që Bulgaria të vendosë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duket se ka marrë zgjidhje.
Kancelari gjerman premtoi ndihmë të mëtejshme për Ukrainën dhe shprehu shpresën se liderët e BE-së do të arrijnë një marrëveshje për statusin e saj si vend kandidat për t’u bashkuar me aleancën evropiane. Lufta e Ukrainës e ka vënë Europën para përgjegjësisë së zvarritjes së procesit të anëtarësimit për vendet e tjera. /Liberale.al/