Eugjen Merlika
Në paraditen e dy qershorit, në varrezat e qytetit të Krujës, në atë log heshtjeje e përsiatjesh, në atë kënd të qetë ku është pika e takimit mes botës sonë dhe asaj të panjohure “nga s’na u kthye kurrë udhëtari”, u mblodhën rreth pesëqind vetë, të ftuar për t’i dhënë mirëseardhjen dhe lamtumirën eshtrave e, nëpërmjet tyre, kujtimit të një biri të shquar të këtij qyteti që për shqiptarët, prej më se pesë shekujsh është simboli, deri në legjendë, i vlerave dhe personalitetit të tyre. Ato eshtra ishin pjesa e mbetur e trupit të Mustafa Merlikës, të cilit ky qytet i dha emrin e tij, të cilin Ai e skaliti në dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, në shpalljen e Pavarësisë.
Mustafa Merlika lindi në Krujë më 15 mars 1887, në një familje që kishte origjinë nga malësitë e Kurbinit. Mori mësimet e para në mejtepin e qytetit të lindjes e pastaj shkoi në Janinë për të vazhduar atje liceun turk. U shqua për vijim të shkëlqyer në mësime, gjë që bëri të mundur vajtjen në Stamboll e hyrjen në Shkollën Civile Mbretërore, Mylkije, një farë ENA e Lindjes që kishte për mision përgatitjen e klasës drejtuese të Perandorisë. E mbaroi atë shkollë të lartë për Shkenca politike dhe administrative në moshën 23 vjeçe. Gjatë kohës së shkollës mori pjesë në lëvizjet studentore kundër absolutizmit të Sulltanit dhe pati polemika të forta në shtyp mbi çështjen kombëtare me një nga shkrimtarët më të shquar të Perandorisë, Sulejman Nazifin.
Në vitin 1910 u kthye nga Stambolli me diplomën e Mylkijes në xhep duke mos pranuar një post kajmekami në një cep të Anadollit, mbasi e quante veten pazgjidhshmërisht të lidhur me fatet e vendit të lindjes. Puna e parë që filloi ishte ajo e mësuesit të matematikës në gjimnazin e Durrësit. Ishte një formë e “kushtrimit të të parëve”, mbasi matematika ka qenë pasioni i tij kryesor në liceun e Janinës. Po të mos kishte qenë ngulmimi i Esat Pashë Toptanit Mustafa Asimi do të kishte qenë një inxhinier i aftë, ndoshta i patrazuar kurrë me politikën e, për pasojë, do të kishte pasur një jetë tjetër, larg tallazeve të saj. Por i ndikuar nga fryma atdhetare e poezive të Naimit, të cilat i mësoi përmendësh që fëmijë, dhe nga arsyetimet e Samiut mbi gjendjen politike të Perandorisë dhe pasojave të saj mbi Shqipërinë, formimi i tij moral e intelektual nuk mund të mos e nxiste në rrugën e politikës.
Mësues i ri bashkëpunon me Don Nikoll Kaçorrin, nënkryetarin e ardhshëm të së parës Qeveri të shtetit të pavarur shqiptar, në krijimin e shoqërisë “Vllaznia” të Durrësit, në perspektivën e organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme me synim pavarësinë e vendit. Para shpalljes së Pavarësisë së bashku me Abdi Toptanin shkoi në Shkup për të koordinuar veprimet me kryengritësit kosovarë të Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Nexhip Dragës e Isa Boletinit. Më 28 nëntor 1912 ishte në Vlorë si përfaqësues i Krujës, ku firmosi bashkë me të tjerët, Pavarësinë e Shqipërisë dhe u emërua në fillim si zv. Prefekt e më pas sekretar i Këshillit të ministrave. Prej këndej shkoi në Elbasan ku ka marrë detyrën e Drejtorit të arsimit. Më pas luftoi rebelimin e Haxhi Qamilit dhe përkrahu ardhjen e Princ Wied-it. Edhe në qeverinë e Turhan Pashës u mor me organizimin e arsimit si këshilltar në atë ministri.
Zhvillimet politike të atyre viteve e bënë të marrë qëndrim kundër bamirësit të dikurshëm, Esat Pashës. Ky i fundit e detyroi t’i dorëzohet, e dënoi me vdekje, i fali jetën dhe e internoi në Favinjana të Italisë. Që aty u lirua si pasojë e ndërhyrjes së mikut të tij, gazetarit Sotir Gjika, i cili e emëroi kryeredaktor të së përjavshmes “Kuvendi”, që botohej në Romë, mbasi kishte bashkëpunuar me të në gazetën e Barit “Il corriere delle Puglie”. Veprimtaria publicistike do të vazhdonte më vonë me fletoren “Mbrojtja kombëtare” e Dom Mark Vasës, me artikujt e botuar tek “Lirija Kombtare” e Gjenevës, e drejtuar nga Omer Nishani, apo tek “Shqipëria e Re” të Konstancës në Rumani. Për të përmendur disa organe të tjera të shtypit shqiptar të asaj kohe, në të cilat ka qenë e pranishme penda e Mustafa Krujës me pseudonime të ndryshme, mund t’i referohem “Hyllit të dritës”, “Leka”, “Illyria”, “Agimi”, “Shkëndija”, “Albania”, “Atdheu”, “Ora e Shqypnisë”, “Shkumini”, “Politika”, “Dajti”, “Vatra shqiptare”, “Bota e re”, “Ora e maleve”, “Koha”, “Roja Kombëtare” deri tek “Shejzat” në Romë, në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë.
U kthye në Shqipëri nga fundi i vitit 1918 për të marrë pjesë në Kongresin e Durrësit, ku u emërua ministër i Post-Telegrafeve dhe sekretar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e paqes në Versajë. Aty, së bashku me Luigj Gurakuqin, punoi për hartimin e të gjithë dokumenteve që do t’i paraqiteshin Konferencës apo liderëve të Fuqive të mëdha. Po të lexohen me vëmendje ata dokumente, të përmbledhura e të botuara në dy vëllime, shihet qartë se me sa atdhedashuri, kompetencë, saktësi e pasuri argumentesh është mbrojtur çështja kombëtare në një nga çastet më të vështira e më vendimtare të historisë bashkëkohore shqiptare.
Për një kompleks skrupujsh moralë nuk mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, megjithëse miratoi plotësisht domosdoshmërinë e mbajtjes së tij në atë periudhë tepër të brishtë historike. Më 1920, me armë në dorë, u gjind në Koplik duke luftuar për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët. Më 1921 u zgjodh deputet i Kosovës në të parat votime të shtetit të pavarur shqiptar dhe u rreshtua me Opozitën, që kundërshtonte kryesisht ngjitjen e Ahmet Zogut në pushtet. Një nga pjesëmarrësit e Lëvizjes së marsit 1922, së bashku me Zija Dibrën, Elez Isufin, Bajram Currin etj., mbas dështimit të saj shkoi në Jugosllavi. Brenda gjashtë muajsh mësoi serbo-kroatishten dhe përktheu e botoi librin “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, shkruar nga Vlladan Gjorgjeviç, ish Kryeministër i Serbisë. U kthye në Shqipëri, mbas fitores puçiste të Opozitës, në qershor 1924, duke u emëruar prefekt i Shkodrës.
Natën e Krishtlindjeve 1924 u largua përsëri në mërgim, kësaj here për një kohë të gjatë prej 15 vitesh. Qëndroi në Bari, në Zara, në Gjenovë e në Gjenevë. Pjesëmarrës në KONARE, u shkëput më 1927, mbasi nuk u pajtua me qëndrimet prosovjetike të disa eksponentëve të saj. Në mërgim kryesoi grupin që mori emrin e tij e që financohej nga qeveria italiane.
Vizioni i tij i përgjithshëm që përcaktonte dhe kahet e pjerrjes së bindjeve politike në lidhje me strategjinë kombëtare, anonte nga Perëndimi dhe vlerat e tij. Në këtë kontekst idesh bindja e tij ishte se Shqipëria, në rrugën e saj të gjatë e të vështirë drejt përparimit, duhej të kishte si përparësi mbështetjen tek Italia. Kjo jo vetëm për peshën e saj si fuqi ekonomike e politike evropiane, jo vetëm për imazhin e saj ndjellës në lëmin e kulturës e të qytetërimit, por edhe për faktin se, nga të gjitha shtetet e mëdha të Perëndimit, Italia ishte më e interesuar dhe më e prirura për të ndihmuar çështjen shqiptare. Janë konsiderata që duhet të shqyrtohen në kuadrin e çastit historik dhe të kushteve gjeostrategjike të Shqipërisë së dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX. Sot, në botën e globalizuar, këta parametra të mendimit politik kanë ndryshuar, por ideja ka vazhduar të mbetet mjaft aktuale, me gjithë traumat që, herë pas here, ka pësuar duke filluar nga Traktati i Londrës, marrëveshja Titoni-Venizellos e deri tek 7 prilli 1939.
Mustafa Kruja u kthye në Atdhe mbas kësaj date dhe u emërua Senator i Mbretërisë Italiane, në të cilën tashmë përfshihej edhe Shqipëria e pushtuar. Ishte më shumë një titull nderi se sa një impenjim politik. Në “Vetëparaqitja”, e cila është kërkesa që ai i bëri Departamentit amerikan të shtetit për strehim politik, ai pohonte: “U ktheva atëherë në vendin tim të pushtuar i vendosur mos me marrë pjesë në asnjë qeveri të vendit të skllavëruar…” U muar intensivisht me Fjalorin etimologjik të shqipes, me kryeveprën e tij monumentale, së cilës i kushtoi pjesën më të madhe të kohës e të energjive të Tij shkencore e intelektuale dhe kryesoi Institutin e Studimeve shqiptare.
Ndërroi mendim kur kuptoi se lëvizja komuniste, e drejtuar nga dy të dërguar të PKJ, po fillonte të kërcënonte seriozisht t’ardhmen e Shqipërisë. Ofertës së Mëkëmbësit të Mbretit Françesko Jakomoni, i u përgjigj me një sërë kërkesash, si kushte për të formuar Qeverinë. Këto kërkesa, në pjesën e tyre më të madhe, mbetën të paplotësuara, me gjithë premtimet e vazhdueshme të autoriteteve italiane. Bashkëpunimi me qeverinë italiane dhe autoritetet e pushtimit nuk qe një flert që zgjati shumë. I nisur si një “lëshim i mëtejshëm ndaj nacionalizmit shqiptar” simbas ministrit të jashtëm Ciano, ai erdhi duke u dobësuar e duke nxjerrë në shesh kundërshtitë. Kryeministri kishte kërkuar fondet për të ngritur në këmbë një korpus të milicisë shqiptare prej njëzet mijë vetash, por italianët nuk i a realizuan kurrë sepse nuhatnin në të një rrezik për vetë qëndrimin e tyre në Shqipëri. Kryeministri kërkonte të çrrënjoste komunizmin në embrion, por italianët, për një zgjedhje strategjike të Boshtit, këtë e bënin vetëm për formë. Kryeministri, në rrethin e tij të ngushtë, kishte marrë një vendim tepër sekret: të organizonte krijimin e një force të armatosur e cila, në çastin e duhur dhe në marrëveshje me forcat e vërteta nacionaliste, do t’i jepte goditjen ushtrive të pushtimit, duke shmangur nga ky veprim lëvizjen komuniste të drejtuar nga jugosllavët. Për të filluar këtë plan strategjik ai mendoi ta nisë nga Vlora, krahina më e fuqishme e kësaj lëvizje. Në këtë kontekst u emërua Qazim Koculi, miku i tij i vjetër dhe heroi i Vlorës 1920, si komisar i jashtëzakonshëm i qeverisë, por italianët e nuhatën dhe e vranë atë, nëpërmjet dorës së shqiptarëve. Atë çast, një nga më të hidhurit e jetës së tij, Mustafa Kruja e kuptoi se ishte goditur mbas shpine e se projekti i tij kishte dështuar. I kërkoi Jakomonit hetimin e shpejtë e të gjithanshëm të krimit e dënimin e dorasve e të shtytësve, por mori një refuzim të prerë. vendosi të japë dorëheqjen e pakthyeshme e i kërkoi zyrtarisht Romës zëvendësimin e tij. Me atë akt të datës 13 janar 1943 u mbyll karriera politike e Mustafa Merlika Krujës.
Në 13 muaj veprimtari Qeveria e Mustafa Krujës u përpoq të frenonte e të luftonte lëvizjen komuniste, e cila luftën për çlirimin e atdheut e kishte si një gjethe fiku për të mbuluar synimin për të marrë pushtetin e ardhshëm, në kuadrin e një strategjie botërore, të përpunuar në Moskë e në zyrat e Kominternit. Fakti që këtë luftë e filloi mbas sulmit të Gjermanisë BRSS nuk le mëdyshje mbi motivin e vërtetë të saj. Por ajo veprimtari u shqua edhe në dy drejtime të tjera: i pari ishte i lidhur me krijimin e shkollave shqipe dhe përhapjen e arsimit shqip në territoret e ribashkuara me “shtetin amë”, Kosova në radhë të parë, kurse i dyti kishte të bënte me përndjekjen mizore karshi hebrenjve. Për territoret e çliruara u mobilizuan forcat më të mira e më idealiste të inteligjencës shqiptare, të drejtuara nga dy personalitete të kulturës të rangut më të lartë, si Ernest Koliqi e Xhevat Korça. Kosova i qe mirënjohëse Mustafa Krujës e Qeverisë së tij. Vizita e tij në të ishte një shfaqje në shkallën më të lartë e respektit dhe dashurisë për ish deputetin e saj dhe vendimi i administratës së Prishtinës jo serbe, për të emëruar një rrugë të kryeqytetit kosovar me emrin e tij është dëshmia më e mirë e konsideratës që Kosova ende ruan për të. Familja e Mustafa Krujës i është mirënjohëse përjetë administratave të qyteteve kosovare.
Drejtimi i dytë ishte i lidhur me një nga dukuritë më mizore e më të turpshme të luftës së dytë botërore, atë të shfarosjes së hebrenjvet. Mustafa Kruja dhe Qeveria e tij patën meritën që Shqipërisë nuk i lanë njollën e vrasëses së hebrenjvet, por nderin e shpëtueses së tyre. Kërkesës së Komandës gjermane të Ballkanit për evidentimin dhe dorëzimin e çifutëve ata i u përgjigjën me një mobilizim të gjithanshëm të Administratës, në të gjitha nivelet, për të zhvendosur ata nga Kosova në jugë të Shqipërisë, duke i pajisur me dokumente shqiptare e duke u shpëtuar jetët. Përgjigja negative që i u dha Komandës gjermane tregoi guximin dhe humanizmin real të Kryeministrit Kruja dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kështu Shqipëria e vogël u bashkua me Danimarkën, si të vetmet shtete në Evropën e pushtuar, në nismën tepër guximtare të mos dorëzimit të hebrenjvet. Ky fakt, që nderon në nivelin më të lartë Shqipërinë dhe popullin e saj, u mbajt i panjohur për gjysmë qindvjeti vetëm e vetëm sepse ata që e kryen ishin shqiptarë antikomunistë. Çdo koment për këtë veprim më duket i tepërt.
Arsyeja e trajtimit të figurës së Mustafa Krujës me ngjyrat më të errëta nga historiografia komuniste nuk ishte thjesht i ashtuquajturi bashkëpunim me pushtuesin italian, për të cilin ka vend për diskutim e rrahje mendimesh. Arsyeja e vërtetë ishte se Ai ishte një antikomunist i vendosur, se e quante sistemin bolshevik rrezikun më të madh që i kanosej Shqipërisë, për shmangien e të cilit do të ishte e pamjaftueshme çfarëdo lloj sakrifice. Kjo ishte besoj-ma e tij politike, për të cilën nuk nguroi të verë në diskutim gjithë kapitalin e tij moral e politik. Nga lartësia e gati tre të katërtave të shekullit, me ndershmëri intelektuale dhe objektivitet shkencor, mund të gjykohet në dritën e saj të vërtetë vlera e asaj besoj-me.
Besoj se nuk gabohem nëse pohoj se Ai qe një nga njohësit më të mirë të komunizmit si sistem, qoftë në formulimin e tij teorik ashtu sikurse edhe në zbatimin e tij praktik. Ata zotërinj, që kanë inventarizuar e shpënë në Bibliotekën Kombëtare librat e tij, mund të dëshmojnë se ç’përqindje të lartë zinin në ta ata që ishin shkruar për komunizmin. Meqenëse akti i fundit i jetës së tij politike iu kushtua përpjekjes jo frutdhënëse për të mos lejuar instaurimin e diktaturës së kuqe, kjo e fundit e quajti armikun e saj kryesor. Si pasojë historiografia, pasqyrë e gjallë e vijës politike të regjimit, me një të rënë të furçës, fshiu çdo meritë të tij edhe në fushat e tjera të veprimtarisë përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen në shpalljen e Pavarësisë, duke dënuar a priori përjetësisht me etiketën e tradhtarit një nga protagonistët e jetës politike e kulturore të Kombit. Ajo që bën përshtypje më shumë është se edhe në këta 17 vite të së ashtuquajturës demokraci pak ose aspak ka ndryshuar ky opinion në nivel akademik. Për të vërtetuar mund të sillet shembulli i botimit në 2005 të një fjalori enciklopedik të titulluar “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë” në të cilin emri i Mustafa Krujës as që përmendet fare, në sintoni me traditën më radikale komuniste të mohimit të fakteve e të vlerave të kundërshtarit.
Ajo ceremoni që u kremtua më dy qershor, ajo kuti e vogël me eshtrat e Tij që mrekullisht mbas një gjysmë shekulli do të prehen në tokën që e lindi na përcjellin një mesazh: atë të rrëzimit të tabuve të mashtrimit dhjetëravjeçar e të kërkimit të së vërtetës, të shpalosjes së saj katërcipërisht, të debatit të hapur e pa paragjykime. Të gjitha këto i shërbejnë ecjes përpara të shoqërisë shqiptare, prandaj ajo ditë mban vulën e ndërrimit të kohëve, e futjes në rrugën e qytetërimit, sepse qytetërimi nuk pranon dogma por arsye, nuk ligjëron mashtrimin por të vërtetën, nuk bazohet në përfundimet e pasioneve të skajshme por në ata të gjykimit të ftohtë, nuk zbaton si metodë vlerësimi manikeizmin por analizën e paanshme të bazuar në fakte, shkrime, dokumente.
Rishkrimi i historisë, bazuar në këta kritere mbetet një detyrë e ngutshme e studiuesve tanë, sidomos atyre më të rinj e më të paindoktrinuar. Nga ky rishkrim jam i bindur se figura komplekse e Mustafa Krujës do të fitojë vendin e saj, edhe zyrtar, në galerinë e visareve të Kombit.
Pasuria më e madhe e një Kombi janë njerëzit e tij, mendjet mbi mesataren, ata që paraprijnë me idetë në shtigjet e vështira të ecjes përpara. Fatkeqësisht, varfërisë sonë proverbiale në fushën materiale, në gjysmëshekullin komunist i shtuam edhe vetëvarfërimin në sferën intelektuale, duke i hequr mekanikisht historisë e kulturës së një populli të vogël ndihmesën e sa e sa njerëzve të shquar, “mëkati” i vetëm i të cilëve kishte qenë mospajtimi me komunizmin. Kështu e gjithë ndihmesa madhështore e klerit katolik në fushat e kulturës e të formimit atdhetar të shqiptarëve u reduktua në njohjen e gjithsej tre katër firmave. Pjesa tjetër ku bënin pjesë Fishta, Harapi, Marlaskaj, Prenushi, Shantoja, Sirdani e të tjerë ishte për kulturën zyrtare të regjimit regres, obskurantizëm, shërbim Vatikanit, madje tradhti e interesave kombëtare. I njëjti metër përdorej për emra të njohur të politikës, të gazetarisë, të publicistikës, të letërsisë si Konica, Resuli, Sotir Gjika, Mehdi Frashëri, Lumo Skëndo, Ernest Koliqi, Xhevat Korça, Branko Merxhani etj.
Terrorizmi kulturor që pësoi shoqëria shqiptare në sferën e saj të superstrukturës, me mohimin dhe përndjekjen e trashëgimisë kulturore të ashtuquajtur “reaksionare” apo “regresive”, paralel me atë shtetëror në grabitjen e pasurisë së qytetarëve, apo atë politik në asgjësimin e plotë të kundërshtarëve ishin pasojat tragjike të “cunamit” që mësyu Shqipërinë në atë fund nëntori, tashmë të largët, të 1944-s.
Mustafa Kruja i shpëtoi në vetë të parë fizikisht këtij “cunami”, jo për vullnetin e tij, por për një vendim të Perëndisë që i merrte djalin më të vogël njëzet vjeçar, në këmbim të lirisë së tij. I thirrur urgjentisht nga mjekët e një klinike të Vjenës ku ishte shtruar Besimi, u nda për së gjalli me Dheun e lindjes dhe gjithçka të dashur kishte në të, në moshën 57 vjeçare, në një ditë shtatori të vitit 1944. Pjesa tjetër e jetës kaloi me dhimbje të thella në shpirt, jo vetëm për djalin e vdekur në lulen e moshës, por edhe për kushërinjtë që humbën jetën në luftë me komunistët, për vëllezërit e bijtë e burgosur, për gruan dhe të renë të degdisura në kampet e shfarosjes, për miqtë e bashkëpunëtorët e idealit të shkuar në plumb ose në burgime të përjetshme. Efektet rrënuese të tragjedisë vetiake të ndërthurur me atë të Kombit të rindarë e nën diktatura, i barti me vete deri sa mbylli sytë përgjithmonë në një klinikë amerikane, pranë kataraktit të famshëm të Niagarës më 27 dhjetor 1958, në vendin simbol të demokracisë që i dha strehimin politik. Pati pranë në ata vite vështirësish skajore edhe materiale motrën e tij Xhiren dhe djalin e tij Bashkimin, të cilët me ngrohtësinë e tyre u munduan t’i lehtësojnë dhimbjet e t’i japin ndonjë çast ngushëllimi.
Vlen të theksohet qëndrimi disavjeçar i atij mërgimi në Aleksandri të Egjiptit, ku u ftua prej Mbretit Ahmet Zogu, me sugjerim të një tjetri biri të shquar të Krujës, mikut të vjetër Abaz Kupit. Qëndrimi i Mustafa Krujës në oborrin e Mbretit në mërgim ishte një leksion stili dhe fisnikërie. Dikur shokë rinie, me gjithë ndryshimin në moshë, më vonë kundërshtarë të rreptë politikë, në ata vite dëshmojnë respektin e ndërsjellët që shkoi deri në një miqësi të vërtetë. I konvertuar në përkrahës të Mbretërisë si institucion e të Zogut si Mbret që më 1943, në funksion të së ardhmes së Atdheut, të cilën Ai e shihte të siguruar vetëm në atë kuadër, Mustafa Kruja do t’i jetë mirënjohës bujarisë e burrërisë së ish kundërshtarit të Tij politik për gjithë pjesën e mbetur të jetës së Tij.
Madje, siç tregon zoti Fuat Myftija, në një rast kur Mbreti rrezikohej edhe fizikisht nga policia naseriane e i kishte larguar të gjithë miqtë e familjarët nga rezidenca e Tij, Mustafai u kthye së bashku me një revole, i gatshëm, po ta lypte puna, të luftonte deri në vdekje për mikun e bamirësin e vet. Ky është një episod që hedh dritë mbi personalitetet e personazheve që dikur qeverisnin Shqipërinë e që, instinktivisht, të çon në një krahasim me pasardhësit e tyre në drejtimin e vendit që nuk bënë tjetër veçse të vrisnin njëri tjetrin duke e etiketuar si tradhtar.
Mustafa Kruja ishte një idealist. I përkiste asaj aradhe intelektualësh që hynë në vorbullat rrëmbyese të politikës shqiptare të varfër e mbetën gjithë jetën të tillë, sepse ishin të ndershëm, se kishin dinjitet, se parësore për ta ishin interesat e Atdheut. Ideali i tij ishte Shqipëria e bashkuar në kufijtë e saj natyrorë, zhvillimi i saj ekonomik, mirëqenia e qytetarëve të saj dhe futja me ritme të shpejta në botën e qytetëruar. Ky ideal u kthye në lajtmotiv e qëllim jete si pasojë e padrejtësive të historisë së shekullit të shkuar ndaj vendit tonë. Për Te dita e bashkimit të trojeve shqiptare në një entitet të vetëm administrativ u quajt “dita më e bukur e jetës”. Përfytyresa e s’ardhmes së Shqipërisë nuk ndalej në këtë pikë, por bashkohej me ëndrrën rilindëse të “Zvicrës së Ballkanit”.
Strategjia e formuluar për t’i paraprirë sendërtimit të ëndrrës mbështetej tek arsimi e kultura. Vetëm nëpërmjet këtyre dy elementëve thelbësorë të formimit të një populli mund të synohej ecja përpara në rrugën e qytetërimit. Demokrati Kruja e predikonte arsimin për të gjithë, nuk i besonte elitës së zgjedhur të kastës së çfarëdo lloji. Për Te vlente vetëm një kriter, ai i meritokracisë, si i vetmi parametër që duhej respektuar në formimin e strukturave të shtetit. Modeli për t’u marrë për shembull është ai i shoqërive liberale perëndimore, të organizuara mbi parimet e respektimit të lirive vetjake të qytetarëve, të pronës së tyre, të besimeve fetare dhe të ligjeve. Për të synuar objektivat bashkëkohore Shqipëria duhet të ishte një shtet ligjor, në të cilin ligjet, të miratuara konform të gjitha rregullave të demokracisë, duhet të gjenin zbatim në të gjitha hallkat e organizimit shtetëror. Serioziteti i një klase drejtuese vihet në provë kryesisht në këtë drejtim.
Për Mustafa Krujën një tjetër çështje themelore e efikasitetit të një shteti ishte përtëritja e vazhdueshme e klasës së tij politike. Ai mendonte se e ardhmja e vendit ishte e lidhur me hyrjen e të rinjve, kryesisht të shkolluar, në të gjitha sferat e jetës së Kombit.
“Shpresa jonë është tek të rinjtë. Të rinjtë kanë vrulle që herë herë i shtyjnë shumë përpara, por janë të mbrujtur me një dashuri të pastër për atdheun e tyre e sinqerisht synojnë në formimin e një vetëdije kombëtare dhe vetjake. Shumë prej tyre shkojnë për të studjuar në Itali. Kthehen që andej me padurimin për të ngritur vëndin e tyre në nivelin italian. Shpesh padurimi i shtyn në gabime, por qoftë i bekuar ai që gabon për bujarí. Un nuk dua të rinj të bindur verbërisht, por të ndërgjegjshëm e të disiplinuar. Natyrisht të parët do t’a bënin më të lehtë detyrën time si qeveritar, por nuk do të më jepnin asnjë garancí për të ardhmen. Për ne ajo që ka vlerë është vetëm e ardhmja”
Sa aktuale tingëllojnë edhe sot, mbas 65 vitesh këto mendime të shprehura në një bisedë me gazetarin e njohur italian Indro Montanelin.
Admirimi për qytetërimin perëndimor nuk e pengoi Mustafa Krujën të vlerësonte e të ngrinte në piedestal cilësitë morale të popullit të tij, për të cilat ishte krenar kudo që ndodhej. Bindja e tij ishte se Shqipëria, e prirur në rrugën perëndimore, duhet të ruante si një gjë të shenjtë formimin dhe vlerat e saj tradicionale etike, pa i përdhosur këto nga disa shfaqje të shoqërive të përparuara. Modernizimi i shoqërisë shqiptare duhet të kalonte nëpërmjet filtrave të ruajtjes së karakteristikes shqiptare. Nuk është ky qëndrim një shprehje konservatorizmi frenues, por vlerësim i asaj pasurie të brendshme që ka përcaktuar mbijetesën e personalitetit të Kombit në të gjitha furtunat e historisë së tij.
Me pak penelata ky ishte portreti i Mustafa Krujës, i një atdhetari që filloi në qytetin e lindjes jetën e Tij për t’u ngjitur në majat më të larta të elitës kulturore e politike të vendit të vet. Por ky portret do të ishte i mangët pa përmendur këtu shkrimet e Tij të vyera në lëmin e gjuhësisë dhe të historisë, shkrime që ishin frute të një pune të gjatë e sistematike në vitet e vështira të mërgimit të fundit.
Dorëshkrimet e ruajtura me kujdes e dashuri nga motra Haxhire panë dritën e botimit në sajë të punës ngulmuese e plot pasion të të birit, Bashkimit, gjatë gjashtë viteve të fundit. Kështu sot lexuesi shqiptar mund të krijojë imazhin e tij nga leximi i “Antologjisë historike”, “Vëzhgimeve iliro-shqiptare”, “Aleksandrit të Madh”, “Letërkëmbimit”, “Kujtimeve të vogjlisë e të rinisë” e të tjera veprave që do të plotësojnë kuadrin. Mëkat që në këtë galeri veprash mungon kryevepra, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, aq shumë i vlerësuar nga studiues me peshë si Xhuvani, Çabej, Karl Gurakuqi, Petrotta, Koliqi etj. dhe i humbur pa gjurmë. Po t’i shtohet kësaj prodhimtarie ndihmesa në fushën e publicistikës e të gazetarisë do të na plotësohej kuadri i një jete intelektuale intensive që pasuron ndjeshëm trashëgiminë kulturore të popullit tonë.
Ajo ceremoni rivarrimi plotësoi një amanet, duke i besuar dheut të Krujës eshtrat e birit të saj të shquar, por njëkohësisht theu një tabu duke nderuar kujtimin dhe veprën e njërit prej Etërve themelues të shtetit shqiptar, mbi figurën e të cilit padrejtësisht është hedhur shumë baltë, por që pret sot nga historia e vërtetë rivlerësimin e tij objektiv e zyrtar. /Gazeta Liberale