Sociale

Mundi... , Quo Vadis?

Shkruar nga Liberale
Mundi... , Quo Vadis?

(Konsiderata që munden me  ndihmue  thellimin e njohjes së vetevetes si dhe për gjithëçka evulon rreth nesh)

Filip Guraziu 

Epilogu

Po pra, ku po shkon kjo Botë?

( Kur pyesim se ku po shkon Bota ku na jetojmë duhet të nënkuptojmë se pyetet për  tendencën përspektive të  zhvillimeve mjedisore e sociale që përcaktojnë jeten e shoqnisë njerëzore që popullon Botën)

Po si  mundemi me kuptue se si kanë me qenë zhvillimet e ardhme në Botën ku jetojmë, kur ende  nuk  i kemi dhanë përgjigje pyetjeve ma elementare; si u krijue dhe pse u krijue kjo Botë,  prej kah erdhi dhe pse erdhi? Pyteje pa përgjigje...,por që prej mija vjetësh kanë shqetësue mendimin njerëzor, sepse çdo gja rreth nesh e mbrenda nesh mbetet mister, në nji kohë që  misteri ma i  "dukshëm e i kapshëm" jemi na vete; un, ti, ai , na ,ju, ata...!

Mendimi shkencor ka mbrritë me përcaktue  se " Toka" ku ne jetojmë egziston në nji pozicion të përcaktuem në hapsinë e në kohë dhe se  përbamja e sajë  asht e njajtë   me përbamjen e trupave të tjerë qiellor.

Po si mundemi me konceptue Kohën,  Hapsinën e Materien ( landën) falë të cilave lulëzoi jeta gjallesave në Tokë? 

Nji ndër konceptet thelbësore filozofike  e pa sqarueme dhe e  pa zbërthyeme ( ma saktë e pashterrueme) prej filozofisë e shkencës bashkëkohore lidhet me  "Kohën", " Hapsinën "  e "Materien"

* "Koha" asht e padukëshme, nuk e shohim, por e kuptojmë se ajo bashkëjeton me ne vetem  prej efekteve të veprimeve të saja. "Koha" s'ka fillim as mbarim... "Koha" s'ka ndalim e as  kthim. Me njohunitë që kemi  deri sot, "Koha" konsiderohet  njidimensionale ) kët konceptim me pak përpjekje mbrrijmë me e kuptue), por " Koha" mundet me qenë edhe shumëdimensionale... ! ( në kët rast dorzohemi sepse psika e jonë nuk ka fuqi përceptimi ma tepër...). " Koha" asht koncept, si të thuesh " magjik", sepse ajo transformon çdo gja, materiale e shpirtnore qoftë, jashtë vullnetin tonë. Kaq e veçantë e misterioze  paraqitet " KOHA" sa egzistojnë teori të cilat e konsiderojnë "KOHëN",  Zotin e Gjihësisë...?!

Por Koha nuk asht e vetme, ka edhe dy "motra"; Hapsinën e Materien, të cilat po ashtu gëzojnë veti që për psiken tonë mund të konsiderohen magjike. " Tre motrat" bashkëjetojnë e egzitojnë s'bashku. Gjithësia makro, e  ajo mikro, çdo gja që  përceptojmë rreth nesh ( e jo rreth nesh) janë rezultat i bashkëveprimit të tyne. 

* " Hapsina" s'ka as fillim e as mbarim ( pafundësisht e madhe  e pafundësisht e vogel). " Hapsina", ndryshe prej "Kohës", shihet e konceptohet direkt. "Hapsina" paraqitet deri tredimensionale ( per ne e përceptueshme), por  mundet me qenë edhe ma  shumë se tredimensionale ( për ne  e pa përceptueshme). "Hapsina" lejon kthim mbrapa dhe asht vazhdimisht në lëvizje drejt zgjanimit të sajë.

* " Materia" ndryshe prej dy të parave, përceptohet ma mirë sepse shihet e preket, por kohët e fundit shkenca ka mbrritë në përfundim se përveç materies që në njohim ( si ma sipër tregue) egziston edhe nji lloj tjeter materie e ashtuquejtun " materia e zezë" e cila nuk shihet e as nuk preket por  kuptohet ose përceptohet vetem prej efekteve të  saja...! Për ma tepër studjuesit  llogarisin se sasia e kësaj lloj materie ( e zezë)  e përhapun në univers  mundet me qenë rreth 15 herë ma e madhe se materia që ne njohim, por... ka edha ma; mos harroni se sot po flitet edhe për "vrimat e zeza   dhe energjinë e zezë " të cilave i dedikohet " vdekja dhe rilindja e trupave qiellorë"! Misteret janë të pafundme..., p.sh. e pashpjegueshme, edhe për shkencën, mbetet " melodia" që vjen prej boshllekut të universit ! Në këto situata, duhet të pranojmë pa ndrojtje se " mendja e kufizueme e sapiensit, përfaqësues i masës së gjanë të pupullsisë, ( ku baj pjesë edhe un) i nënshtrohet " pa kushte" fakteve dhe logjikës shkencore bashkëkohore.

"Materia" egziston në " Hapsinë" e  në " Kohë, por ajo transformohet me kalimin e kohës. " Materia që ne njohim, prekim dhe shohim ka nji veti krejtësisht të veçantë prej " Kohës" dhe "Hapsinës" sepse egiston në dy forma me përbamje prej të njajtës origjinë, por me cilësi të ndyshme; në formën 'inorganike'  dhe 'organike'. Ekzistenca dhe origjina e " Materies" ka nda mendimin filozofik të  shoqnisë njerëzore në dy grupe antagoniste: Idealistat e kuptojne dhe e shpjegojne si produkt të fuqisë madhore të Gjithësisë, pra Zotit, kurse materialistat mbrojnë tezen se "Materia" ka ekzistue gjithmonë, pafundësisht në kohë e kështu nuk ka pse të krijohej... Veçanarisht e pashpjegueshme prej filozofisë ( idealiste e materialiste) e po ashtu edhe  prej shkencëtarëve bashkëkohorë mbetet shpjegimi i egzistencë "dy formëshme" të " Materies ". Në kët pikë,, grupet antagonsite filozofike qëndrojnë të patundun në llogoret e tyne të mendimit, por,..., por, prej shumë e shumë shekujsh nuk bajnë  asnji hap përpara...!

Sapiensi ndërmjet zbulimeve shkencore e ndryshimeve klimatike

Në nji pikëpamje, duhet me pranue se brezat e popullsive që jetuen e po jetojnë në shekullin e parë të mijëvjeçarit të trete ps.K. paskan qenë "fatlum", sepse  po përjetojnë zhvillime e shpikje shkencore marramendëse per sapiensin si rrezultat i të  cilave asht përmirësue edhe  mirëqenia e jetës. As në fantazinat ma ekstreme të shkrimtarëve futuristë nuk përshkruhen situata që sot përjetohen si krejtë normale prej ma shumë se 7.2 miliard banorëve të globit tokësor! Numëri i zbulimeve dhe i shpikjeve shkencore rritet simbas  nji funksioni eksponencial, ndërsa  kuptimi  i këtij zhvillimi të vrullshëm shkencor që në fund të fundit lidhet ngushtësisht me konceptimin e mjedisit rrethues prej  masës së gjanë të popullsisë së globit , mbetet gjithënji nji funksion linear, vertetë me koeficient rritës, por përherë e ma tepër larg prej funksionit eksponencial që paraqet rritmin e zbulimeve të reja shkencore. Ajo çka dje u dukte si anderr ose fantazi , sot mundet me qenë realitet...( Po bahen pregaditje deri për ekursione turistike ne Hanë ose...edhe në Mars...!)

Por, në nji pikpamje tjeter, përseri duhet  me pranue se brezat e popullsive që jetuen e po jetojnë në shekullin e parë të mijëvjeçarit të trete ps.K. nuk paskan qenë edhe aq "fatlum" sa u tha ma sipër, sepse pikërisht  fundi i dymijë vjeçarit të kaluem dhe fillimi i tremijëvjeçarit që përjetojmë po shoqnohet me përmbysje e katastrofa mjedisore të frigëshme si pasojë e ngrohjes globale me efekt direkt zhdukjen e akullnajave, dukuni paralajmëruese me skenare tragjikë...!

A ka me muejt sapiensi i zhvilluem i mijëvjeçarit të tretë ps.K.  me mbijetue në situata që ofrojnë kushte jo normale për jetesë?

Askush nuk mundet me dhanë përgjigje shterruese, sepse askush nuk mundet me parashikue deri në hollësi  kompleksitetin e situatave të pritëshme !

Studimet , tashma të provueme prej shkencës, na bajnë optimist në nji drejtim si dhe pesimist në nji tjeter:  mbetet shpresa që jeta në globin tokësor nuk zhduket; munden me u zhdukë lloje  gjallesash ( ku mundet me ba  pjesë edhe sapiensi), por  jeta në kuptimin e zhdukjes së materies organike, jo.

Mësim prej së kaluemës

Për  me qenë në gjendje me dhanë nji përgjigje deri diku bindëse , për sa ma sipër, mund të kujtojmë s'paku dy momente të njohuna e të pranueme  prej shkencës.

* Në periudhën fillestarë  të " jetës " në globin tokësor, ku na bajmë pjesë,  rreth 4 miliard vjetë ma parë  kushtet mjedisore e klimatike nuk ishin si sot ( dita e nata zgjaste 6 orë, sepse toka rrotullohej katër herë ma shpejt rreth vetes, etj., etj.)  Mendimi shkencor ( sot i pranueshëm) mbron teorinë se s'bashku me materjen inorganike kozmike që  formoi globin tokësor gjindeshin edhe mikroorganizma organike të cilat me kalimin e kohës, në përshtatje me kushtet filluen me dhanë shejat fillestare të jetës. Supozohet se kjo tendencë zhvillimi zgjati për disa miliarda vjetë, deri sa në nji moment ( rreth 400 milion vjetë ma parë) klima ndryshoi ? ( shkaku i  vertetë nuk dihet, por supozohet se mundet me pasë qenë edhe  ftohja diellore). Temperaturat e ulta ekstreme e mbuluen globin tokësor  me akull. Jeta e sapo fillueme  prej mikroorganizmave u zhduk. Të vetmet gjallesa që i rezistuen atyne kushteve , për nji kohë ndoshta prej disa  miliona  vjetësh ishin mikroorganizmat të quejtuna "saprofite" ( bakterie), të cilat  në kushte ekstreme mjedisi ( temperatrura shumë nën zero) mbrritën me mbijetue për nji kohë jashtëzakonisht të gjatë ( për  disa miliona vjetë) nën shtresën e akullit, ngjitë me sipërfaqën shkambore të ngurtë.

Vetem mbas kalimit të nji kohe , kur toka filloi të nxehej prej proçeseve shpërthyese mbrenda sajë me pasojë  shpërndamjen  në atmosferë të anidridit karbonik, shtresat e të cilit si në formë " mbulese" izoluen kalimin e nxehtësisë së vullkaneve jashtë  atmosferës me pasojë  rritjen e temperaturat në globin tokësor, filloi nji proçes i kundërt: akullnajat filluen të shkrihen, oqeanet të marrin formën e tyne ujore,  shtresat të tokës që ishin në fundin e  detit papritmas u gjinden jashtë tij dhe të tjera që ishin në sipërfaqen e tokës u mbuluen me ujë (prej efektit të  vullkaneve). Pluhni vullkanor me përmbajtje prej shumë  elementave minerale i shpërndamë në atmosferë dekantoi  në fundin e detit   tue formue nji shtresë ushqyese për mikroorganizmat që i kishin reziztue temperaturave minimale ekstreme. etj.  (Sa ma sipër, për rezistencën e mikroorganizmave ndaj temperaturave minimale ekstreme, kujtojmë se prej kërkimeve shkencore të vjetëve të fundit në polet polare ku ende shtresat e akullit kanë trashësi të madhe janë zbulue mikroorganizma të cilat kishin rrezistue në mjedisin e akullt ku gjindeshin, falë nji vetije të ndryshme prej qenieve të gjalla qe na sot njohim: kundërveprimi i tyne ndaj temperaturave shumë të ulta të mjedisit ku ato ndoddheshin, ishte si të thuesh " letargjia" e tyne, ato nuk u zhdukën sepse qëndruen në " letargji, në fjetje",por gjallë , tue ruejt, ashtu si ishin,  vetite e tyne  të maparëshme.!)

Ishte pra,  rezistenca e atyne  mikroorganizmave, faktori determinues për rizgjimin e zhvillimin  e jetës së gjallesave në Globin Tokësor.

*Evolucioni, ky mekanizëm i pamëshirshem e i pandalshëm i "Kohës",  gradualisht me kalimin e disa dhetra miliona vjetësh  ( mbas shkrimjes së  akullnajave) plotësoi atmosferen me oksigjen ( pasojë e fotosintezës së qenieve të gjalla elementare të cilat kishin popullue masivisht globin tokësor), çka shtyni vrullshëm shpërthimin e jetës  si dhe diversifikimin e specieve egzistuese ( tashma edhe të ndryshme  ndërmjet tyne) si rezultat i  përshtatjes me kushtet e habitatit të origjinës. Kjo periudhë përllogaritet të ketë qenë  370 milion vjetë ma parë.

Ngrohja e tokës, qarkullimi i shpeshtë i i ujit simbas çiklit të njohun ( uje-avull-shi) shkaktoi rritjen masive të vegjetacionit që pati për pasojë kushtet për formimin e qenieve të gjalla gjigande, Dinosaurët. ( 220 milion vjetë ma parë)

Mirpo, 65 milion vjetë ma parë Dinosaurët u zhdukën prej faqes së dheut (pasojë e kataklizmave mjedisore ), por jeta mbi globin tokësor nuk u zhduk ! Shkenca e shpjegon faktin e masipërm  me mundësine e përplasjes së nji trupi qiellor me Tokën, gja që ndryshoi rrajësisht kushtet e habitatit të jetesës së Dinosaurve, por jo të atyne gjallesave  që për habitat kishin tunelet nëntokësore. Në këto kushte Dinosaurët u zhdukën kurse të tjerat jo.

Prologu

Mbas të tanë këtyne arsyetimeve, përfundimisht çka mundet me ndodhë  me Sapiensin? A ka me pasë fatin e Dinosaurve apo të gjallesave të tjera që mbrritën me ju përshtatë kushteve e me mbijetue?

Ma i pranueshëm mbetet supozimi se  sapiensi nuk zhduket përfundimisht ( arsyetimi për nji përiudhe shumëmijë vjeçare, por jo për afate kohore që nënkuptojnë miliona vjetë),  por popullsia e globit tokësor  rrezikon me u zvogëlue drastikisht!

Nxemja globale, shkrimja e akullnajave , ndryshimi i rritmit të qarkullimit të ujit   në atmosferë simbas çiklit të njohun po na ballafaqon me dukuni mjedisore  ekstreme (temperatura të nalta të paprovueme ma parë, thatinë e stërzgjatun dhe zjarre masive, stuhi e rrëbeshe të shoqnueme me përmbytje dhe erozione) të cilat, supozohet se   kanë me pasë si efekt mungesën e ujit të pishëm të shoqnuem me  thamjen e tokës bujqësore ( shkretina)  në pjesen ma të madhe të globit tokësor, pra shkatërrimin e bazës kryesore të jetës së sapiensit. Vendet që ndodhen në afërsi të rrethieve polare kan me pasë habitatin ma të përshtashëm për jetesë. Parashikohen  lëvizje masive e të dhunëshme të popullsisve prej zonave ma të nxehta e ta thata drejt atyne me kushte normale jetese. Parashikohen skenare të cilët ndoshta nuk kanë me respektue ma moralin e sotshëm që mbizotënon në shoqninë njerëzore. Fatkeqësitë që ranë mbi popujt gjatë luftnave botnore të kalueme do të kujtohen si vuejtjet  të lehta...

Shpresa e vetme mbetet shkenca,  zbulimet e saj  të paimagjinueme  që mundet me na ofrue si ndihmë, por gjithmonë..., mbetet nji pikëpyetje: rritmi i zbulimeve shkencore  a ka me muejt me përballue rritmin e shpejtë e të pamëshirshëm të ndryshimit të kushtëve klimatike që po i përjetojmë në të  tana anët e globit? Mendimi  shkencor bashkëkohor ngulmon në idenë se faktor ndikues për ngandalësimin e rritjes së temperaturës globale mbetet edhe ndërgjegjësimi i shoqnisë njërëzore në drejtim  të mos shpërndarjes në atmosferë të anidridit karbonik ( pasojë e industrive që shfrytëzojnë energjinë e karbonit), por deri sot pak shpresë ka për marrëveshje të qëndrueshme në kët drejtim...!

Kujtojmë se brezi i jonë sot mundet vetem me "supozue" për të ardhmen, kurse brezat që kanë me qenë mbas 100 vjetëve, por ndoshta  edhe shumë ma parë...?, kanë me e përjetue në kurrizin e tyne të ardhmen e pasigurtë...!

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH