Mjeku shqiptar, Erion Dasho bëri një analizë të situatës së krijuar në Shqipëri për shkak të koronavirusit. Javët e fundit ka patur një bum rastesh dhe viktimash. Vetëm në korrik, sipas tij, kanë humbur jetën 93 pacientë.
“Korriku ishte një muaj i dhimbshëm. 93 jetë të humbura nga COVID-19 përkthehen në mbi 33 vdekje për 1 milion banorë. Për të njëtjën periudhë, Spanja aq e goditur gjatë muajve të parë të epidemisë dhe me një popullsi 17 herë më të lartë se Shqipëria pati vetëm 90 vdekje! Në se krahasimet bëhen për 1 milion banorë, pamja duket qartazi më e rëndë. 33 vdekje për 1 milion banorë në Shqipëri janë 16 herë më të larta se Gjermania madje edhe 5 herë më të larta se Italia që ishte vendi më i goditur prej COVID-10 në Europë. Gjatë muajit korrik, Gjermania pati vetëm 2 vdekje dhe Italia vetëm 6 vdekje për 1 milion banorë", tha ai.
Fajin për situatën në të cilën gjendemi, eksperti i shëndetit publik e gjen tek menaxhimi i pandemisë dhe tek dështimi për të gjurmuar dhe trajtuar ata që rezultojnë pozitivë.
“Dështoi drejtimi dhe organizimi i përgjigjes ndaj epidemisë. Politikanët dhe drejtuesit shqiptarë vazhdojnë t’a lidhin punën me dukjen. Për ta dalja në kamera duke dhënë këshilla, duke inspektuar apo edhe duke kërkuar llogari, është bërë sinonim i punës. Me sa duket, virusi nuk u impresionua aspak nga kjo dhe vazhdoi “punën” e vet i papenguar. Së dyti, Komiteti i Ekspertëve konfirmoi edhe njëherë paaftësinë e vet. Komiteti qëndroi refraktiv edhe ndaj paralajmërimeve që erdhën prej autoriteteve shkencore shqiptare që punojnë e jetojnë jashtë vendit. Korriku ishte pasojë e drejtpërdrejtë e qershorit. Së treti, ende nuk po aplikohet trinomi Testo-Gjurmo-Trajto. Për nga numri i testeve Shqipëria vazhdon të jetë në vendin e fundit në Europë", tha mjeku.
Erion Dasho bën fajtorë edhe qytetarët që nuk zbatojnë masat, por edhe politikanët që shfaqen në publik të shkujdesur.