Aktualitet

Mjekja zbardh skemën e vaksinimit për pensionistët: Si do veprohet

               Publikuar në : 20:13 - 25/02/21 liberale

Veç personelit shëndetësor, dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 janë duke e marrë edhe personat mbi 90 vjeç.

Mjekja e familjes, njëherazi drejtoreshë e Qendrës Shëndetësore nr. 3 në kryeqytet, Bruna Shiroka, sqaron për “Panorama” hap pas hapi të gjithë procesin, që nga përzgjedhja e personave, njoftimi i tyre e deri te caktimi i datës për kryerjen e vaksinës.

Doktoreshë, prej së dielës ka nisur vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç. Si po kontaktohen? A ka një radhë edhe brenda kësaj kategorie apo po njoftohen të gjithë ata që janë mbi këtë fashë?

Ditën e diel qendrat shëndetësore u udhëzuan për të zgjedhur grupmoshat mbi 90 vjeç dhe në raste të refuzimit kemi kaluar edhe te grupmoshat nën këtë moshë, pra nën 90 vjeç. Ka qenë 90 plus dhe 90 minus për të realizuar një target-grup që do të marrë vaksinën në këtë fazë, paralelisht me personelin shëndetësor. Duke qenë grupmoshë delikate, janë vënë në dijeni edhe familjarët e tyre, të cilët janë paraqitur pranë qendrës shëndetësore për të tërhequr një formular, i cili shërben për të parë çfarë të dhënash kanë në kartelë dhe në historikun e sëmundjes.

E gjitha kjo për t’u dhënë asistencën e duhur dhe për t’u dhënë mundësinë e vaksinimit brenda një kohe të shkurtër, pra pa i lënë shumë gjatë në listëpritjeje. Ditët e para kanë shkuar mjaft mirë. Ne kemi komunikuar me të gjithë pacientët që kanë marrë dozën e parë të vaksinës. Për të fat të mirë nuk kanë pasur asnjë problem. Tani jemi duke hartuar listat e grupmoshës 80-90 vjeç dhe 70-80 vjeç.

Si veprohet hap pas hapi për identifikimin dhe njoftimin e personave që janë në radhë për vaksinën?

Ne kemi një database me të dhënat e shtetasve që mbulojmë me shërbim shëndetësor. Selektimi bëhet mbi bazën e vitit të lindjes. Më pas është kompetencë e mjekut të familjes që të japë informacion mbi personat që mund të kenë sëmundje akute, refuzojnë vaksinën apo kanë kaluar së afërmi COVID-19. Këto tri kategori ne nuk i përfshijmë në listën e parë.

Sigurisht që ai që ka kaluar koronavirusin mund të pranojë të vaksinohet, por duke qenë se është në një gjendje në rehabilitim e sipër, nuk rekomandohet që të bëhet vaksina, së paku deri sa gjendja shëndetësore të përmirësohet. Pra, përzgjidhen subjektet, merret dakordësia e tyre, hartohen listat, të cilat i dërgohen operatorit dhe caktohet dita apo data kur do të injektohet edhe doza e parë.

Vendosen në dijeni vetëm personat apo edhe familjarët e tyre?

Për grupmoshën mbi 90 vjeç, për shkak të veçorive të moshës, është njoftuar edhe personi dhe familjarët. E ritheksoj për shkak të veçorive të moshës. Ndërsa në personat nën 80 vjeç, sigurisht që personi që është në gjendje të komunikojë padyshim merret dakordësia e tij, paraqitet në qendrën shëndetësore për të plotësuar formularin ose refuzon nëse nuk dëshiron dhe përjashtohet nga lista e vaksinimit.

A ka pasur të moshuar që kanë refuzuar dhe si veprohet në këto raste?

Po, ka pasur edhe të moshuar që nuk kanë pranuar të vaksinohen. Refuzimi ka ardhur për arsye nga më të ndryshmet, pra nuk kanë pasur arsye të qenësishme shëndetësore, por ka ndodhur që kanë refuzuar edhe për shkak të frikës, stigmës nga vaksina. Përjashtimet shëndetësore janë të tjera dhe përjashtimet subjektive që lidhen me vullnetin e personit janë të tjera. Ky filtër realizohet nga mjeku i familjes.

Për gjendjen shëndetësore, e keni fjalën për simptoma që mund të jenë referuese të COVID-19?

Mund të jetë edhe një gjendje gripale. Kur pacienti është me temperaturë, nuk mund të bëj vaksinën pa u shëruar plotësisht. Po ashtu, një sëmundje akute, një infeksion i veshit, një infeksion urinar, një gjendje virale apo edhe një COVID i kaluar bëjnë që të shtyhet në një moment të dytë vaksinimi. Nisur nga kjo, duhet një vlerësim i gjendjes shëndetësore të pacientit shumë korrekt nga mjeku i familjes, për të parë nëse ka apo jo këto problematika për të evituar në këtë mënyrë komplikacionet nga vaksina e COVID-19.

Doktoreshë, për ta qartësuar, në momentin që ju hartoni listat, si bëhet koordinimi për caktimin e datës së kryerjes së vaksinës?

Ne i dërgojmë listat pasi kemi bërë përzgjedhjen e mësipërme. Pra nëse kemi 100 persona mbi 90 vjeç, janë dakordësuar dhe është vlerësuar që janë të aftë për ta bërë vaksinën 50 prej tyre, atëherë kjo listë i dërgohet njësisë vendore dhe operatorit, i cili cakton edhe datën e vaksinës. Në të njëjtën mënyrë operuam edhe për personelin shëndetësor. Pra u bë vlerësimi i situatës, u mor dakordësia, u hartuan listat përfundimtare, të cilat iu dërguan operatorit dhe pas kësaj njoftohet data për kryerjen e vaksinës. Në këtë mënyrë do të funksionojë për të moshuarit.

Kur pritet të fillojë vaksinimi i personave nën 70 vjeç?

Duke parë intensitetin e vaksinimit, mendoj dhe shpresoj që shumë shpejt edhe personat nën 70 vjeç do të jenë pjesë e listave të hartuara nga mjeku i familjes për të vlerësuar mundësinë e realizimit të vaksinës. Doja të qartësoja edhe një herë që fillimisht hartohen listat, merret dakordësia dhe vlerësohen përjashtimet që janë shumë të rëndësishme për t’u përcaktuar, pasi ka persona që kanë reaksione të rënda apo të mëparshme nga vaksina, ose kanë treguar një ndjeshmëri nga vaksina. Në këto kushte, ne sigurisht nuk mund t’i përfshijmë në lista, pasi qëllimi është t’u shpëtojmë jetën. Por stigma për vaksinën ka bërë të vetën.

A ka pasur të moshuar te të cilët vaksinimi është shoqëruar me efekte anësore?

Për çdo preparat, për çdo vaksinë, përshkruhet që mund të ndodhë, por nuk thuhet që kjo do të ndodhë patjetër. Deri më tani nuk kanë pasur komplikacione.

Si monitorohen këta persona?

Monitorimi i parë është në stadium, ku qëndrojnë 30 minuta deri në 60 minuta. Reaksioni i parë është i momentit dhe ai është i rëndësishëm që të mos ndodhë. Ne nuk kemi një protokoll për t’i ndjekur, por personalisht i ndjek pacientët, për t’i parë si janë dhe për t’i bërë të ndihen mirë. Komunikimi i fundit ishte me dy zonja, të cilat ishin tejet falënderuese për vaksinën dhe më referuan një gjendje të mirë shëndetësore.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back