Ministria e Brendshme ka reaguar në një postim në rrjetet sociale, për largimin ng detyra të Ardi Veliu, i cili prej shtatorit të 2022-it, mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Në njoftim huhet se Veliu e ka paraqitur sot dorëheqjen, ndërsa ministri Taulant Balla e ka falenderuar për punën e kryer dhe rezultatet e arritura.
Drejtimin e Agjencisë, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri, do ta mbajë Dritan Dorda, Zv.drejtor i Përgjithshëm i AMP-së. Ndërkohë bëhet me dije se Ardi Veliu do të vijojë të japë kontributin e tij, në një tjetër detyrë shtetërore.
"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nga 1 janar deri sot, ka referuar pranë SPAK dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm 207 raste për 295 subjekte, ndër ta 253 oficerë policie si dhe 42 shtetas.
Në këtë periudhë janë arrestuar 23 oficerë në flagrancë. Me masë sigurie janë 72 raste, ndër ta, 61 oficerë policie dhe 11 shtetas. Në masën “Arrest në burg” janë 24 raste, ndër ta, 18 oficerë policie dhe 6 qytetarë. Me masën “Arrest në shtëpi” janë 6 oficerë policie dhe 1 qytetar, me masën “Pezullim i ushtrimit të detyrës në shërbim publik” janë 34 oficerë policie.
Gjithashtu janë dhënë 24 masa disiplinore administrative, pas hetimeve disiplinore të AMP-së, ndër ta, 4 oficerë me masë disiplinore “Përjashtim nga policia”; 3 oficerë “Shtyrje e afatit të gradimit” për dy vjet; për 5 oficerë policie “Shtyrje e afatit të gradimit” për një vit, si dhe për 9 oficerë “Shtyrje e afatit të gradimit” për nëntë muaj.
AMP i ka dhënë rekomandim Agjencisë Kombëtare të Informacionit të Klasifikuar për heqjen e Certifikatës së Sigurisë për 19 subjekte", thuhet në njoftim.