1

Merkel, trashëgimia e vështirë

               Publikuar në : 10:11 - 10/04/21 liberale

Nga Paolo Valentino

“Fundi i madhërisë nuk vjen kurrë i vetëm, por si një vorbull merr me vete gjithçka që ka pranë”. Profecia e Rozenkrancit në Hamletin e Shaekespeare-it fotografon mirë rrezikun përballë të cilit Kristiandemokracia gjermane, gjashtë muaj para daljes nga skena të kancelares, që ka mbajtur pushtetin për 16 vite, duke i siguruar Gjermanisë qëndrueshmëri dhe mbarështim të mirë t’ekonomisë. Rrallë herë një stinë e gjatë sundimi mbyllet qetësisht e pa dhimbje. Lamtumira e nënës së kombit nuk bën përjashtim. Por fundi i shpejtë i erës Merkel lajmëron edhe një fazë të re të jetës shtetërore gjermane: mbas letargjisë më  se dhjetëvjeçare të shkaktuar nga siguritë qetësuese të kancelares së përjetshme, në Gjermani është kthyer politika dhe Berlini po bëhet laboratori më i madh i Evropës.   

Disa bëma, në javët e fundit kanë ndryshuar rrënjësisht koordinatat e Vendit. Simbas radhës, zgjedhjet vendore në Baden – Würtemberg dhe në Renani – Palatinat, ku Cdu ka rënë në shifrat më të ulta historike. “Skandali i maskerinave”, që detyroi të dorëhiqeshin tre deputetë demokristianë e mbi të gjitha zbuloi një fole krimbash veprimtarish të allishverisheve dhe pazareve të majme që po i kushtojnë një rënie të madhe miratimesh. Së fundi kërkimi falje publikisht Vendit nga Angela Merkel, që u desh të heqë dorë nga një lockdown i ashpër për Pashkë, të menduar keq e për më tepër të përgatitur akoma më keq: një mea culpa të nderëshme e të guximshme, por shenjë e një dobësie strukturore. Edhe sepse të pasuar nga një heshtje që zbulon mungesë planesh e nënshtrim.

Si sfond i përbashkët i tre ngjarjeve është zhgënjimi nga dështimi i plotë i qeverisë dhe i krahinave në luftën kundër pandemisë: shtim i infektimeve dhe vdekjeve, gjurulldi në masat, grindje të stuhishme mes kancelares dhe kryetarëve krahinorë, mbi të gjitha një dështim i bujshëm i fushatës së vaksinimeve, që deri tani ka shënuar vetëm 10 % të popullsisë të marrë dozën e parë e më pak se 5 % të dytën.

Pasojat mbi politikën gjermane janë lëkundje të vërteta tërmeti. Hija e lënë nga votimet e Shtutgardit ku, për herë të parë, u shfaq mundësia e një koalicioni “semafor” ndërmjet të Gjelbërve, Spd (të kuqve) dhe liberalëve (të verdhët) lëkundet tani mbi hulumtimet kombëtare, me Cdu – Csu të rënë në 25%/28% të pikësynimeve të votës. Hamendja e një qeverie pa Bashkimin nuk është më as e pamundur as e largët.

 Aq më tepër sepse Cdu duket në një zvetënim të plotë dhe Merkel që, për vite, e vetme i ka mbuluar stoikisht problemet, nuk është më në gjëndje t’a stabilizojë. Kançelarja në fakt tashmë i ka dhënë lamtumirën partisë, por zbrazësia që le duket e pambushëshme. Fusha konservatore është e përçarë mbi atë që duhet të hidhet në betejën për kançelarinë në votimet e shtatorit: kandidatit të natyrshëm të shpëlarë të partisë Armin Laschet, kryeministër renan e kryetar i ri i partisë, shumë në Cdu i parapëlqejnë karismatikun Markus Söder, kryeministër i Bavarisë dhe kryetar i binjakes Csu.

Deri edhe vetë Merkel duket se se po largohet nga Laschet, që u desh në vazhdimësi me kursin e saj qëndërsonjës e të matur. Në një intervistë televizive, të shikuar nga milionë gjermanë, kancelarja e sulmoi në vetë të parë, duke i vënë gishtin si njërin nga kryeministrat krahinorë që nuk kanë mbajtur parasysh masat shtrënguese të bashkërenduara ndërmjet saj dhe kryetarëve të krahinave. “Nuk kam qenë i kënaqur”, ka pranuar Laschet, niveli i popullaritetit të të cilit është shumë i ulët në krahasim me rivalin bavarez që tani për tani parapëlqen të mbetet në hije, Armin Laschet – parathotë një drejtues i  Cdu-së – nuk do të bëhet kancelar, por do të jetë viktima e fundit e Angela Merkel-it”.

Problemi është n’atë që edhe Markus Söder nuk është siguri e fitores. Era Merkel që kundrejt së jashtëmi ka shënuar fitoren e Gjermanisë si fuqi eksportuese botërore, së brëndëshmi është karakterizuar nga një dinamizëm i pakët politik dhe nga një vetëkënaqësi e qenësishme, e cila nuk ka mbajtur parasysh sfida vendimtare si dixhitalizimi dhe një program i guximshëm i gjelbërt. Sfida që sot trokasin në derë. Për më tepër Gjermania duhet të ripërcaktojë së bashku me Evropën marrëdhëniet transatlantike, në dritën e një pakti të ri të ofruar nga Administrata Biden. Cdu – Csu nuk duket se ka drejtimin strategjik për ta përballuar. Merkel ka qenë fytyra siguruese dhe e mirë e kësaj epoke, pak Biedereirmeier, grua e bëshme por e sheshtë dhe kryeneçe në zgjidhjen e problemeve të mëdha, si Austria e Restaurimit. Por tani le mbrapa një parti të hutuar e në pështjellim të plotë. Të tjerë heronj kryesorë duken në horizont, së pari të Gjelbërit që mbi ekonominë jeshile mund lëvdohen me 40 vjet histori, paraqiten si ndërpretuesit më të besueshëm të bashkëkohësisë së re. Gjithçka mund të ndodhë në Gjermani, edhe që kançelari i ardhshëm (apo kancelarja e ardhshme) të kenë ngjyrën e shpresës.

“Corriere della Sera”, 2 prill 2021/ Përktheu Eugjen Merlika   

 

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back