Aktualitet

Masa e SPAK ndaj Beqajt, PD: Treguesi më i qartë se kjo qeveri është e mbytur në zullume

Shkruar nga Liberale
Masa e SPAK ndaj Beqajt, PD: Treguesi më i qartë se kjo qeveri

Partia Demokratike deklaroi të dielën se dhënia e masës së sigurisë nga SPAK ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe një tregues se “qeveria është e zhytur në korrupsion”.

Zëdhënësja e demokratëve, Mirela Karabina deklaroi se PD është denoncuesja e parë e aferës së sterilizimit, për të cilën SPAK, sipas saj, “duhet të bëjë një hetim të plotë deri në zbardhjen e saj”.

“Partia Demokratike e Shqipërisë është e vendosur në mbështetjen e saj për çdo hetim dhe për çuarjen përpara drejtësisë të çdo zyrtari të korruptuar në këtë vend. Shqiptarëve u ka munguar drejtësia, ndaj ata presin të vërtetohen akuzat penale në mënyrë që të ndërpritet balta dhe tymnaja politike. Vetëm kështu mund të merret vesh e vërteta dhe koha e pandëshkueshmërisë të marrë fund.”, tha Karabina.

Sipas saj, dhënia e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për koncensionin e sterilizimit, është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Ne si Parti Demokratike jo vetëm që e kemi denoncuar të parët këtë aferë, por shprehim mbështetjen tonë maksimale për organin e akuzës dhe kërkojmë që çështja të hetohet me profesionalizëm dhe me korrektësi. Ne si Parti Demokratike kërkojmë nga SPAK që njëkohësisht të vijohet me inceneratorët dhe aferat e tjera të kësaj mazhorance, të cilat ne vazhdimisht i kemi bërë publike.”, tha Karabina.

Sipas saj, dhënia e masës ndaj Ilir Beqajt, “mikut të ngushtë të Edi Ramës, është treguesi më i qartë se kjo qeveri është e mbytur në zullume dhe në korrupsion.”

“40 hajdutët e mazhorancës kanë Edi Ramën në krye, ndaj çdo hetim dhe fillim çështjeje penale, në të vërtetë është ngushtim laku për shefin e tyre. Partia Demokratike si e vetmja forcë euro-atlantike inkurajon hetimet, shpreh mbështetjen e saj dhe siguron shqiptarët se do të vijojë të denoncojë aferat korruptive të kësaj qeverie.”, përfundoi deklaratën për shtyp në emër të PD-së, Karabina.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH