Ernest Gjoka zyrtarisht është trajneri i ri i Skënderbeut, kjo pas largimit të Ivan Gvozdenovic për rezultate të dobëta. Më shumë se pesë vite priti Gjoka që të drejtonte sërish një klub në Superligë, pasi aventura e tij e fundit ka qenë me Kukësin deri më korrikun e 2019.
54-vjeçari nga kryeqyteti do debutojë të enjten kundër KF Tiranës në Korçë, sfidë e javës së 16-të në Superligë. Në praninë edhe të presidentit Ardian Takaj, Gjoka u prezantua para mediave.
Në karrierën e tij të gjatë ai ka drejtuar Apoloninë, Kamzën, Tomorin, Flamurtarin, Kukësin, Vllazninë, Shkëndijën, Ohod në Arabi dhe tanimë Skënderbeun.
Pesë trofe ka fituar Gjoka në karrierë. Kampionatin, Kupën dhe Superkupën me Kukësin, Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin dhe një titull kampion i Maqedonisë së Veriut me Shkëndijën.
Trajneri ka një detyrë të vështirë, pasi pas javës së 15-të Skënderbeu me 13 pikë mban vendin e parafundit në renditje.