
Trajneri i Anglisë, Tomas Tuhel, ka komentuar fitoren 2-0 ndaj Shqipërisë, një rezultat që e cilësoi të rëndësishëm.
Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Tuhel theksoi se ekipi i tij pati një dominim të plotë në pjesën e parë, por nuk ishte e lehtë të realizonin më shumë gola.
“Nuk ishte një fitore e lehtë. Nuk e prisja që do të ishte kështu. Gjatë Europianit, Shqipëria ka treguar se është një ekip i fortë dhe skuadrat që luajtën kundër tyre patën vështirësi. Në pjesën e parë dominuam plotësisht, dhe për këtë jam shumë i kënaqur. Megjithatë, mund të kishim krijuar më shumë mundësi”, tha Tuhel.
Trajneri i “Tre Luanëve” po ashtu theksoi se ekipi mori më shumë rrisqe gjatë pjesës së dytë dhe se objektivi kryesor ishte fitorja, që u arrit. “Në pjesën e dytë morëm më shumë rrisqe. Objektivi ynë ishte fitorja dhe ia arritëm. Është një fillim i mirë”, shtoi ai.
Megjithatë, Tuhel theksoi se ka ende hapësirë për përmirësim, duke kërkuar nga lojtarët më shumë disiplinë dhe shpejtësi në linjën e fundit. “Duhet të jemi më të disiplinuar dhe të luajmë më shpejt në linjën e fundit. Dëshira e lojtarëve për të dhënë paraqitje të mira duhet të jetë e madhe”, deklaroi ai.