Interi ka siguruar një fitore shumë të rëndësishme të hënën përballë Fiorentinës, skuadër që e kishte mundur ekipin e Simone Inzaghit në mesjavë, në takimin e luajtur në Firence.
Zikaltrit hynë me një ritëm tjetër në ndeshjen e sotme dhe kërkuan me ngulm golin, duke sulmuar vazhdimisht drejt portës së De Geas. Megjithatë, goli do të vinte në mënyrë të pazakontë, nga një goditje këndi që nuk ishte, me Pongraçiç i cili më pas devijoi topin në rrjetën e portës së tij.
Shifrat u barazuan para fundit të pjesës së parë, kur një prekje e topit me dorë në zonë solli penalltinë e miqve të akorduar vetëm pas ndërhyrjes së VAR-it dhe të transformuar saktësisht nga Mandragora.
Fillimi i pjesës së dytë pa sërish Interin në sulm dhe Arnautoviç gjeti shpejt golin e avantazhit 2-1. Më pas, zikaltrit luajtën më të kujdesshëm për të mos lënë hapësira në prapavijë, teksa sulmonin në kërkim të një tjetër goli për të mbyllur ndeshjen.
Ndonëse nuk gjetën një gol të tretë, në fund zikaltrit iu gëzuan këtij suksesi 2-1 që i afron me vetëm 1 pikë me Napolin e vendit të parë.