Hetimet mbi vrasjen misterioze të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, vazhdojnë të thellohen duke përfshirë si të dyshuar edhe prindërit e ish-të dashurit të saj, Mark Samson. Autoritetet italiane kanë ndaluar daljen jashtë vendit të prindërve të të akuzuarit, Nors Mazlapan dhe Rik Samson, duke vendosur ndaj tyre një masë specifike që i pengon të kalojnë në pikat e kalimit kufitar.
Ngjarja tragjike ndodhi në shtëpinë e Mark Samson, 23-vjeçar me origjinë filipinase, i cili pas vrasjes së Ilarias tentoi të zhdukte trupin e saj në skarpatën e Capranica Prenestina. Motivet e krimit mbeten ende të paqarta, ndonëse hetuesit dyshojnë për një feminicid të nxitur nga xhelozia.
Policia italiane, në bashkëpunim me Skuadrën Fluturuese nën drejtimin e Roberto Pititto, ka sekuestruar një sërë objektesh nga shtëpia e familjes Samson në via Homs. Mes sendeve të konfiskuara janë një kompjuter personal i Mark Samson, veshje, batanije dhe disa thika kuzhine, të cilat do të analizohen dhe krahasohen me plagët fatale në qafën e viktimës.
Autoritetet kanë marrë edhe tre qese të mëdha, në të cilat dyshohet se ka sende dhe veshje me gjurmë gjaku që mund të hedhin dritë mbi dinamikën e krimit. Gjithashtu, kompjuteri i Ilarias është sekuestruar, pasi i dyshuari kishte tentuar ta zhdukte, me shpresën se mund të zbulohen më shumë detaje mbi marrëdhënien e tyre dhe rrethanat që çuan në këtë akt.
Deklarata e Mark Samson se armën e krimit e kishte hedhur në një kosh mbeturinash nuk ka bindur hetuesit, të cilët po vijojnë kërkimet intensive brenda banesës. Nga ana tjetër, sjellja e të akuzuarit, e matur dhe e studiuar në çdo deklaratë, ka ngritur dyshime se ai mund të jetë duke mbrojtur persona të tjerë të përfshirë në vrasje.
“Ilarian e doja marrëzisht,” u shpreh Samson gjatë marrjes në pyetje, duke shtuar se ishte një mesazh nga një student tjetër që e kishte shtyrë atë drejt krimit. Megjithatë, hetimet vijojnë të zbardhin kontradikta dhe dyshime të reja, sidomos në lidhje me rolin e mundshëm të prindërve të tij në këtë tragjedi që ka tronditur opinionin publik në Itali./ REFORMA