Paris Jackson, vajza e ikonës së muzikës Michael Jackson, ka pozuar së fundmi për një nga emrat më në ngjitje të fotografisë ndërkombëtare – Shkelzen Konxheli, artist me origjinë nga Kosova.
Seti fotografik është realizuar në Paris dhe mban titullin simbolik “Paris in Paris”, një lojë elegante fjalësh që lidhet me emrin e modeles dhe qytetin ku u zhvillua seti. Fotot janë një përzierje e hijeshisë, ndjeshmërisë dhe fuqisë vizuale, karakteristika që tashmë identifikojnë stilin e Konxhelit.
Shkelzen Konxheli, i lindur në Kosovë dhe me bazë në Zvicër, është një fotograf që po ngjitet me shpejtësi në skenën botërore të modës. Emri i tij është tashmë i njohur në faqet e Vogue Arabia, Elle, Harper’s Bazaar, L’Officiel dhe shumë publikime të tjera ndërkombëtare të nivelit të lartë.
Stili i tij spikat për kontrast të theksuar, kompozime të pastra dhe një intimitet të veçantë vizual, që e kthen çdo portret në një rrëfim. Fotografia me Paris Jackson është një tjetër kulm i karrierës së tij, që dëshmon fuqishëm se arti shqiptar ka zë të vetin në skenën globale.