E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Amadea Stefa, Ambasadore e Paqes në Austri dhe mësuese e vetëshërimit. Ajo ka folur më shumë për vetëshërimin e shpirtit, meditimin dhe shumë të tjera…
Pjesë nga intervista:
Çfarë do të ndodhë më 24 maj, në takimin tënd me njerëzit se si të shërojmë shpirtin?
Së pari do të tregojmë metodat se si mund të shërojmë vetveten tonë me gjashtë fuqitë. Fuqia e tingullit, fuqia e mendjes, e zemrës, e shpirtit, fuqia e shkrimit dhe fuqia e frymëmarrjes. Po t’i bashkojmë të gjitha së bashku, njeriu ka mundësi të shërojë shumë më shpejt vetveten se sa nga mjekësia natyrale. Unë vetë kam studiuar tre vite për psikiatri, pastaj kam mësuar për pedagogji dhe psikologji. Dhe i kam lënë spitalet, e kam lënë fushën e mjekësisë, ku mund të fitoja me mijëra euro në Austri. Por e kam vënë re që ato medikamentet janë vetëm të përkohshme, plus lënë shumë dëmtime në organe të tjera dhe kjo gjë nuk më ka pëlqyer hiç. Dhe e kam vënë re që të gjithë njerëzit vinin mbrapsht. Pothuajse 99% të pacientëve nëpër spitale, nëse kanë probleme psiqike, ata vinin prapë, pas një muaji, pas dy muajsh, pas një viti. Ky rikthim nuk më pëlqente, unë doja që t’i bëja ‘stop’, të shkoja tek rrënjët.
A është fusha e dashurisë një nga problemet për të cilët njerëzit vijnë që të takojnë?
Po.
Pse dashuria lëndon kaq shumë shpirtrat tonë?
Sepse ne kemi mungesë të vetë-dashurisë. Duhet ta duam vetveten dhe ta respektojmë, jo me ego. Jo të thuash që ‘sa e bukur jam’, ose ‘unë di më shumë se gjithë të tjerët’. Kjo nuk është dashuri, është gabim. Dashuria është kur ti e respekton vetveten ashtu siç je, me atë hundë, me ato buzë, me atë gojë, me ato sy, me atë trup, me ato celulite që keni. Ta duash vetveten sepse është qelizë. Kur ti e do vetveten ashtu siç je dhe e pranon vetveten pa gjetur gjithmonë të metat, ajo është vetëdashuria. E respekton vetveten për atë që ti ke ardhur në tokën mëmë, për atë detyrë, për atë punë, për atë funksion, sepse çdo funksion është i rëndësishëm. /TAR/