Një video e re që po qarkullon në media dhe rrjetet sociale tregon Justin Bieber në një gjendje të acaruar, duke bërtitur ndaj paparacëve dhe duke u përpjekur t’i largojë nga shtëpia e tij në Malibu.
Prej kohësh kanë qarkulluar thashetheme për gjendjen mendore të këngëtarit, të cilat janë ushqyer edhe nga postimet e tij të çuditshme në rrjetet sociale. Megjithatë, ka raste kur edhe një personazh publik , sado që ndan detaje nga jeta e përditshme, përpiqet të vendosë kufij mes privatësisë dhe jetës publike.
Në video, 31-vjeçari dëgjohet duke thënë:
“Mos më pyes më si jam. Largohu. Jam një njeri i vërtetë me një familje të vërtetë. Dhe ti je mu përballë meje.”
Ai vazhdon me tone të ashpra:
“Ndaleni këtë marrëzi. Nuk do të them asgjë sot. Nuk jemi shokë.”
Bieber shton se është baba dhe se paparacët po shkelin pronën e tij private, duke qëndruar përballë makinës së tij. Kur njëri prej tyre i uron “Gëzuar Ditën e Babait”, ai reagon edhe më fort:
“Nuk të njoh. Nuk i afrohesh njerëzve që nuk i njeh dhe të thuash budallallëqe me një kamerë në fytyrën e tyre. Nuk ka rëndësi nëse jam i famshëm apo jo. Nuk ka rëndësi nëse jam person publik.”
Ai mbyll duke theksuar:
“Do ta nxirrni këtë video jashtë kontekstit, si gjithmonë. Më merr për budalla? Kam arritur në kufijtë e durimit tim dhe kërkoj respekt. E ngatërroni zemërimin tim me mungesën e respektit. Jam i zemëruar sepse nuk po më respektoni.”