Letërsi

“Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, botim i UETPRESS/ Shqiptarët njohën mashtrimin më të keq, atë në emër të lirisë

Shkruar nga Liberale

“Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, botim i UETPRESS/

Tjetërsimi i një shoqërie

Kur e vërteta nuk është e lirë, liria nuk është e vërtetë.- Jacques Prévert

Prishja e marrëdhënieve me Kinën do ta ndrynte Shqipërinë në një izolim edhe më kryeneç nga ç’kishte qenë deri ate kohë. Pa aleatë dhe vetëm, me mendjen top se tërë bota nuk kishte mendime a halle të tjera përpos atyre që të përmbyste sistemin socialist shqiptar, PPSh-ja e ashpërsoi luftën e klasave me nje crescendo të frikshme. E drejta për të hedhur baltë mbi ata që nuk mendonin ashtu si do të kishte dashur Hoxha të mendonin; karakteri i pakthyeshëm i vendimeve të organizatave bazë të partisë; marifeti i “zërit të masave” që zëvendësonte ligjet (76); krimet e shtetit, të kryera në emër të diktaturës së proletariatit; të gjitha këto e pasuruan përvojën e
regjimit. Pas çdo shtetasi mund të fshihej një “armik i popullit”.

Të gjithë duhej të konsideroheshin aktorë të një komedie arti, por duhej të kishin
mendjen të recitonin sipas tekstit të pashkruar e plot me të papriturat e të paparashikuarat e kryekomikut. I cili detyroi të heshtin njerëz dhe brezni, i shtrëngoi individët të mos ishin më vetvetja, mëtoi të duartrokitnin për nder të tij edhe ata që do të kishin dashur ta qëllonin, kërkoi të nderohej prej atij që kishte fyer dhe të mbrohej nga ata që kishte mashtruar. Nuk kishte rëndësi në kishte për t’ia dalë dhe ne ç’mënyrë. Paradoksale ishte që i kishte pretenduar dhe imponuar me dhunë të gjitha këto.

Sistemi i dhunës kishte krijuar një atmosferë ku nuk duhej të mbetej asnjë dyshim mbi vërtetësinë e asaj që thuhej aty lart dhe mbi korrektësinë e një vije të mbushur me elementë krejt të huaj për një shoqëri me të vërtetë të lirë. Nga një ind i tillë shoqëror nuk mund të lindnin veçse përfitues dhe karrieristë nga njëra anë dhe kundërshtarë nga ana tjetër.
Magjia që ushtronte tesera e partisë kishte krijuar një mendësi të re të sëmurë dhe të dëmshme. Privilegjet e pasanksionuara por që i gëzonte gjithmonë një pjesë e shoqërisë, arroganca e njerëzve mediokër, vetëdija se e drejta e shtetit ishte gjithmonë me ta, të gjitha këto, dalë e ngadalë, kishin krijuar prerogativa ekskluzive që u konsideruan si të drejta të natyrshme nga anëtarët e partisë. Besnikëria e tyre ndaj partisë mbështetej mbi këto privilegje. Për ata që kishin qenë nëpër çeta mund edhe të konsideroheshin një shpërblim i merituar. Të tjerët, ata që nuk qenë lodhur shumë për t’i merituar,ishin gati të bënin gjithçka për t’i ruajtur.

Kështu u krijua dhe u zhvillua një kastë shoqërore që pati të gjitha atributet e një klase të re. Partia, apo më mirë udhëheqja e saj, mund të nxirrnin vetëm përfitime të reja nga këta pasues të paktë, që ishin të lidhur me fatet e saj me mijëra fije interesash jete të përditshme për të mos thënë se ishin besnikë deri në fanatizëm. Këta qehaja të shoqërisë, cergë e dendur që mbulonte mbarë vendin, duke ua përsëritur të tjerëve gjithë po ato gjëra, erdhi puna që u zunë besë fjalëve të veta, u pëlqyen dhe e mbajtën veten të pathyeshëm.

Për anëtarët e partisë kishte vetëm një ligj: ajo që u thuhej. Midis botës së
tyre të vockël meskine dhe një dogme narkotizuese nuk mund të ndërfutej asnjë vlerë tjetër, asgjë nuk gjente vend midis paaftësisë së një teorie për të vendosur pika kontakti me njëmenden dhe formimit të njëanshëm dhe të mangët të atyre që e pranonin ate pa u menduar gjatë. Diktatorë të vegjël në mjedisin e tyre të ngushtë, këta përfaqësues të pushtetit partiak poshtë në bazë, menduan se ishte e drejtë e tyre të vendosnin për fatin e tjetrit.
Demokracia proletare kishte krijuar një sistem shoqëror, ku individi ia dilte ta gjente vendin e tij në hierarkinë e shtetit, jo në lidhje dhe në përpjesëtim me meritat e tij por në mvartësi të shkallës së besnikërisë ndaj Olimpit komunist. Vlera e individit mund të shtrihej vetëm brenda përmasave të caktuara nga partia.

Gazetat erdhën e t’u bënë zëdhënëse të rëndomta të partisë: që
të gjitha i përkitnin shtetit. Librat që shtypeshin duhej t’i shërbenin vetëm indoktrinimit të lexuesve; krijimtaria artistike zbriti në rrafshin e palavdishëm të një shtojce të rëndomtë të veprimtarisë propagandistike. Po krijohej një zbrazëtirë e madhe. Me kalimin e kohës në këte zbrazëti nisi të ndihej gjithmonë e më i dobët zëri që zbriste nga maja e piramidës.
Shumë shpesh popujt janë shtyrë në revoltë nga situata të dëshpëruara.
Populli shqiptar kishte njohur mashtrimin më të poshtër: ate që bëhej në emër të lirisë.
Dhuna që shtyp në emër të demokracisë, demokracia që i fsheh kërcënimet dhe padrejtësitë pas fjalëve të mëdha, fjalët që mbeten në hava pa gjetur as edhe një pikë takimi me njëmenden: të gjitha këto, në vend që të krijojnë një rend të ri, mund të krijonin vetëm një dështim shoqëror. Nga ana tjetër ishte edhe një barrë e rëndë për supet e një populli që, menjëherë sa kishte nisur të ecte me këmbët e veta (pas jo më shumë se 30 vjetëve jete të pamvarur) u detyrua të tërhiqej gjunjazi.

Referencë

76.Kur duhej marrë një vendim që partisë i interesonte ta paraqiste sikur kishte lindur
spontanisht “nga poshtë”, atëherë nxirrte krye komedia e “zërit të masave”, praktikë e
huajtur nga “revolucioni kulturor” kinez. Në vend që të lëshoheshin urdhra dhe orientime “nga lart” mblidhej kolektivi i ndonjë fabrike, i ndonjë shkolle apo i ndonjë njësie bujqësore dhe aty, një person anonim (i cili ishte porositur të fliste ne një mënyrë të caktuar mbi ndonjë problem) na dilte me propozimin e programuar që më parë dhe e shtronte për miratim. Kështu paraqiteshin si shprehje të “zërit të masave” vetë vendimet e regjimit.

*Shkëputur nga “Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, me autor Amik Kasoruho, botuar në 2012-ën nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH