Letërsi

“Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, botim i UETPRESS/ Shqipëria në udhëkryq pas largimit nga jeta të idhullit të pavdekshëm

Shkruar nga Liberale

“Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, botim i UETPRESS/

Stafeta e pushtetit

Kafshët dhe politikanët nuk e dinë se kanë për të vdekur një ditë.- Eugène Jonesco

Në veprën e tij Gjeografia, në fund të kapitullit për Ballkanin, Henrik Van
Loon shkruante se Shqipëria është një vend me një milion banorë dhe njëmijë vjet prapa qytetërimit. Nuk ishte pikërisht ashtu. Sidoqoftë ato fjalë lapidare pohonin faktin se Shqipëria, për shkaqe historike tashmë të njohura, nuk kishte mundur të përparonte me të njëjtin hap me vendet e tjera të Europës, duke qenë një nga kombet më të lashta dhe që, në shekullin XV, për gati 25 vjet e kishte mbrojtur atë nga rreziku turk, duke flijuar në këte mënyrë diçka si pesë shekuj lirie.

Por edhe në vitin 1990, kur regjimit komunist nisën t’i dridheshin leqete këmbëve, Shqipëria ishte një vend me vetëm 3 milion banorë dhe nuk ishte futur në rrugën e zhvillimit. Veç kësaj radhe, sepse kështu deshi një
nga diktaturat më të egra që kishte parë ndonjëherë Europa.
Shqipëria kishte mbetur në skajet e zhvillimit. Realizimet e arritura në industri, në arsim, në shëndetësi dhe në fusha të tjera – përparime këto gjithnjë relative që nuk mund të krahasoheshin me atë që ndodhte në kusurin e kontinentit të vjetër – u paguan me një çmim të shtrenjtë dhe të hidhur. Mbi vendin e vogël në brigjet e Adriatikut kishin fryrë erërat e stepave ruse dhe kineze, duke tharë gjithçka.

Një industri anakronike, një bujqësi e prapambetur, një blegtori e rrënuar, një arsimim i njëanshëm dhe i cungët, një zbrazëti e madhe morale, një e kaluar e zhytur në harrim dhe një e ardhme e pasigurt, një jetë kulturore dhe shpirtërore e varfëruar, e deformuar dhe e kontrolluar në kulm e, mbi të gjitha, një Shtet-Parti me një aparat propagandistik marramendës dhe me një tjetër ndrydhës që nuk njihte kufij për sa i përket padrejtësive e dhunës: ja ç’kishin sjellë në Shqipëri Enver Hoxha dhe partia e tij gjatë dyzetepesë vjetëve pushteti absolut.

Brenda kësaj njëmendeje të pamundur përpëlitej një popull të cilit i kishin zhvatur historinë, i kishin mohuar kulturën e njëmendët, i kishin ndaluar ngushëllimin që jep feja dhe sigurinë e një zhvillimi të qartë: një popull,pra, që ishte i detyruar të jetonte pa të kaluar dhe pa të ardhme. Pikërisht atëherë Partia e Punës e Shqipërisë (vazhdë e Partisë Komuniste) numëronte 140.000 anëtarë: një për çdo njëzet qytetarë. Kthetrat e pushtetit zgjateshin deri në skajet më të largëta të jetës së vendit.
Këtyre kthetrave u ishte ngarkuar detyra dashakeqe të siguronin një bindje të plotë dhe të pakushte të shtetasve. Detyrë e lehtë kjo, por deri në një farë pike dhe në një farë kohe: sepse zhaurima e shembjes së murit të Berlinit, do të dëgjohej edhe në Shqipëri.

Pasi u detyrua të jepte dorëheqjen edhe Hoenecker-i, trashëgimtarët e Enver Hoxhës (edhe pse jo që të gjithë dhe jo haptas e qartë) filluan ta ndienin atë ndryshim që kishte nisur të verifikohej në Europën Lindore.
Por, siç ishte vepruar për 45 vjet me radhë, u bënë përpjekje të kaloheshin në heshtje ato shndërrime që i ngjanin një tërmeti. U bë çmos për të minimizuar rëndësinë historike të prirjeve të reja antikomuniste dhe u bënë përpjekje trashanike, por gjithnjë me mujshinë e gjithhere, për t’i konsideruar këto ndryshime si fenomene që nuk kishin të bënin me fatet e Shqipërisë. Ishte ky iluzioni i fanatikëve dhe ishte një gjë pa kuptim: retorika boshe nuk ka fuqinë që ka shembulli konkret.

Me perëndimin e komunizmit si sistem i ngritur në një pjesë të mirë të Europës, Shqipëria humbi çdo mbështetje ideologjike nga jashtë dhe u plotësua kësisoj një herë e mirë kuadri i izolimit që kishte nisur në vitin 1978, mbas prishjes me Kinën. Trimi i mirë me shokë shumë thotë një fjalë e urtë shqiptare dhe dihet që vetmia është një këshilltare e keqe. Kuptohet se ngjarjet tronditëse në ish-vendet komuniste do të ngjallnin frikë dhe hutim midis krerëve të PPSh edhe pse, me gjasë, ai hutim kishte nxjerrë krye qysh pesë vjet më parë, të nesërmen e vdekjes së kreut karizmatik të Shqipërisë komuniste. Madje, qysh në të gjallë të tij, atëherë kur u pa se ai nuk ishte më në gjendje t’i printe shtetit me grusht çeliku.

Më 11 prill 1985, me vdekjen e tij, Shqipëria u përball me pyetjen e madhe: ç’kthesë do të merrnin hallet e saj? A do të ndryshohej ndonjë gjë?
Enver Hoxha kishte qenë një idhull thuajse i pavdekshëm për disa dhe një pengesë e patrandur ndaj ndryshimeve në të mirë, për të tjerët. Zbrazëtia që la vdekja e tij ishte plot pikëpyetje. Po tani? A do të përjetonte Shqipëria ashpërsimin e luftës së klasave siç kishte ndodhur në BRSS pas vdekjes së Leninit, kur Stalini bëri spastrime gjakatare? Nuk do të ndodhte asgjë si në Bullgari dhe në Çekosllovaki kur vdiqën Dimitrovi dhe Gotwaldi? Apo shteti do ta bjerrte autoritetin e tij të padiskutueshëm, siç ndodhi në Jugosllavi pasi u largua Tito nga skena e jetës? Asnjë nga ndjekësit e Enver Hoxhës nuk kishte as karizmën dhe as egërsinë e pamëshirë dhe të paparashikueshme të tij. Shumë gjëra mvareshin nga zgjedhja e pasardhësit: do të vijohej në rrugën e një socializmi jashtë çdo logjike dhe që e kishte shpënë vendin drejt paralizimit të shtysave dhe të vlerave?

Në shpurën e tij nuk dukej asnjë prijës tjetër i mirëfilltë. Gjatë 44 viteve të jetës së vet e deri atë ditë, PPSh-ja kishte zhdukur një nga një të gjithë njerëzit e saj me vlerë. Nga prijësit relativisht të vjetër kishin mbetur gjallë vetëm pesë: Manush Myftiu, Rita Marko, Spiro Koleka, Adil Çarçani dhe Ramiz Alia. Këto ishin lulet – ç’është e vërteta, pak të fishkura – të kurorës së kandidatëve për ta zëvendësuar. Katër të parët e kishin vërtetuar katërcipërisht se nuk i kishin cilësitë e duhura. Mbetej kandidati i fundit, më i riu, ai që të gjithë e mbanin si pasardhësin e mundshëm të diktatorit: Ramiz Alia, “i cili tërë karrierën, e kishte bërë nën hijen e paraardhësit të tij, që kishte punuar ta vinte në rrugën e trashëgimit para se të vdiste”.(3)

3.Odile DANIE L, La faillite de l’idéologie albanaise, në revistën Albanica, Washington 1992, nr. 3-4, faqe 62.

*Shkëputur nga “Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, me autor Amik Kasoruho, botuar në 2012-ën nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH