Letërsi

KATALOGU I UET PRESS: 'Lufta e fundit' e Mentor Nazarkos për plagën çame

Shkruar nga Liberale

KATALOGU I UET PRESS:  'Lufta e fundit' e Mentor Nazarkos për

Nga të rinjtë e sotëm Mentor Nazarko mund të njihet më së shumti përmes analizave që bën në median e shkruar dhe atë vizive, mbi çështje të ndryshme politike dhe të aktualitetit. Por në 2007 ai u bë autori i parë i shtëpisë botuese UET Press, duke sjellë një analizë të gjithanëshme të problemit të pronave të shqiptarëve në Greqi. Në atë kohë Nazarko punonte si editorialist dhe pedagog në UET, ku mori mbështetjen e drejtuesëve dhe kolegëve për të sjellë librin e tij të parë.

“Kur shoh listën e gjatë të botimeve të UET PRESS, plejadën e ndritur të autorëve të mendimit shqiptar me atë të mendimit më të mirë globalisht, më vjen mirë që isha anipse rastësisht i pari emër me të cilin u fillua kjo traditë e shëndetshme botimesh. Besoj se ja vlejti vendimi i atyre ditëve edhe për mua edhe për UET PRESS që sot u bë logoja më e rëndësishme e mendimit akademik që flet shqip”, thotë ai.

Libri "Lufta e Fundit. Pronat e shqiptarëve në Greqi”, mori indicie nga një ese kërkimore që autori e paraqiti për herë të parë në Universitetin e Perugias. Studimi fillestar i udhëhequr nga një eksperte e njohur italiane, profesoresha Paola Anna Pillitu, u riplotësua me arsyetime të reja, dokumente ekskluzive, fryt i një pune kërkimore në arkivat italiane, shqiptare, por dhe të vendeve të tjera.

“Që prej 2002 unë jam interesuar shumë për këtë çështje dhe kam bërë shumë intervista që ndriçojnë në mënyrë më të qartë dhe më të kuptueshme për të gjithë fatin e pasurive dhe rrugët për të marrë një shpagim të drejtë për to. Siç e keni vënë re vetë, janë vetë ekspertët grekë që e pranojnë padrejtësinë e vendit të tyre për këtë çështje”, do të shprehej Nazarko në një intervistë të dhënë pas botimit të librit.

I konceptuar në formën e një mbrojtjeje juridike nga një avokat që synon të zgjidhë çështjen e pronave shqiptare në Greqi, libri ka dhe elementë të tjerë publicistikë që e bëjnë më të tretshëm për publikun e gjerë. Libri, si studimi i parë serioz nga ky këndvështrim, rrok një fushë të rëndësishme të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Ai synon të japë një udhëzues ndihmës për politikën shqiptare që të dijë të kërkojë borxhet që na kanë, dhe jo vetëm të lypë borxhe të përdorura keq. Ai synon gjithashtu të ndërgjegjësojë individët e tjerë të ndjeshëm për statusin e kombit dhe problemet e tij. Atyre u thuhet me kompetencë se ka një problem të madh të pazgjidhur, zgjidhja e të cilit ka armiq të pamëshirshëm kohën, harresën dhe përuljen ndaj më të madhit.

Sipas autorit, e vërteta e pasurive shqiptare në Greqi, është se ato janë përvetësuar në mënyrë sistematike dhe të shëmtuar prej fqinjit tonë, me ligje të padrejta, me arbitraritet të dënueshëm dhe mbi bazë ligjesh të padrejta.

“Mund të kuptosh sesi Greqia për të bllokuar këto pasuri i është kundërvënë dhe bashkësisë ndërkombëtare që e ka shpallur Shqipërinë si vend fitues të luftës së dytë botërore. Duke lexuar këtë libër, mund të kuptosh sesa paradoksale është sjellja e tyre, por dhe jona. Ne sillemi sikur t’u kemi borxh, kur në fakt na kanë”, thotë autori.

Çfarë përmban “Lufta e fundit. Pronat e shqiptarëve në Greqi”?

Në një kalim të shpejtë në të gjithë kapitujt e librit “Lufta e fundit, pronat e shqiptarëve në Greqi” mund të veçojmë shumë tema mes të cilave: “Problemet e trashëguara nga Konferenca e Paqes së Parisit të 1919”, “Pushtimi italian i Shqipërisë dhe vendosja atje e një qeverie shqiptare kukull”, “Sulmi italian mbi Greqinë”, “Të dhëna historiko-gjeografike mbi Çamërinë”, ku përfshihen gjeografia, popullsia, shtetësia, origjina kombëtare, reagimi grek kundrejt Shqipërisë, përzënia mbi bazë etnike e shtetasve me origjinë shqiptare.

Më tej renditen një varg ngjarjesh të tjera të rëndësishme në marrëdhëniet midis dy vendeve deri në ditët e sotme si dhe problematika juridike brenda marrëdhënieve greko-shqiptare. Një çështje që vlen të veçohet është “Kuadri juridik i pasurive shqiptare në Greqi, para Luftës së Dytë Botërore”, ku jepen shumë të dhëna për pasuritë e çamëve dhe shqiptarëve të tjerë në Maqedoni dhe Epir si dhe pasuritë e shtetasve shqiptarë.

Në kapitullin e tretë të librit autori flet për perspektivat e zgjidhjes së problemit të pasurive të sekuestruara, si dhe rivendikimet e shtetasve shqiptarë mbi pronat e vendosura në shtetin grek, ku shtrohen çështjet për pasuritë shqiptare, për një vendim të 12 janarit 2006 të Aeropagos, Gjykatës së Lartë të Greqisë, vlerësimi i çështjes nën dritën e Paktit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Civile dhe Politike, parashikimet e Konventës Europiane mbi të drejtat e njeriut në lidhje me gëzimin e lirë të pronës përfundime për pasuritë shqiptare, pronat e mbetura pa pronar, apo të braktisura, etj dhe në fund ide për një zgjidhje diplomatike.

Dhe në fund të librit pas bibliografisë dy shtojca mjaft të rëndësishme plotësojnë kuadrin e këtij libri. Në shtojcën e parë jepen një varg ligjesh përmes të cilave u përvetësuan pasuritë, si “Ligjet e luftës 2636 dhe 2637/1940”, “Traktati i Paqes me Italinë në 1946”, “Ligji mbi kadastrën kombëtare”,etj. Po ashtu në këtë shtojcë janë përfshirë vendime gjyqësore greke mbi pronat e shqiptarëve si dhe lista e pronarëve shqiptarë që kanë aplikuar pranë Shoqërisë Komisionare deri në vitin 1990 për pronat e tyre në Greqi. Ndërsa në shtojcën dy një varg intervistash të rëndësishme mbi fatin e shqiptarëve si ajo me gazetarin e njohur të kanalit MEGA dhe studiuesin grek Tassos Teloglu, me Profesor James Pettifer, njeri nga ekspertët britanikë më të njohur të Ballkanit, një intervistë e Tasos Teloglu me ish Presidentin Alia në lidhje me ligjin e luftës, ejt.

Detajet e Librit

Titulli: Lufta e Fundit, Pronat e shqiptarëve në Greqi

Gjinia: Histori

Autori: Mentor Nazarko

Shtëpia Botuese: UET Press

Viti: 2007

Fq: 236

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH