Letërsi

RECENSË nga Suadela Balliu për librin “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë”: Eugjen Merlika dhe modeli i  reflektimit qytetar

Shkruar nga Suadela Balliu

RECENSË nga Suadela Balliu për librin “Shqipëria në

RECENSË nga Suadela Balli për librin e Eugjen Merlikës, “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë” , botim i UET PRESS

Me peshën e qytetarit të angazhuar, Merlika na fton të këqyrim vendin dhe botën përmes lentes së tij, që nuk është e ashpër e as sjell ndasi, por vjen e qetë dhe e shtruar, konstruktive, siç vetë autori e shëmbëllen në agoranë e mendimit politik, shoqëror, ekonomik e kulturor. Merlika në këtë libër i prek të gjitha sferat.

E nis nga Moska e 10 majit të vitit 2005, ku bota u mblodh të kremtonte ngadhënjimin kundër nazifashizmit dhe fundin e luftës ndoshta më të egër që ka njohur historia moderne. Ndonëse ujëra kohësh kishin kaluar, aleancat nuk qenë më të hershmet e se në gjashtëdhjetë vite ishin ngritur kampe e gjerdhe të reja -  një luftë e ftohtë që e kish ndarë botën në blloqe të reja mes Perëndimit e Lindjes - nuk i ndali liderët botërorë të bëheshin bashkë e të shkelnin shpërfillshëm, për një ditë, mbi të kaluarën e zemrës së diktaturës komuniste.

Ato festime që i mbyllën sytë para fantazmave, nuk kaluan pa ia ngacmuar plagët e vjetra, ndoshta të pashëruara kurrë të fëmijës që ende pa e ditur se çfarë është kuptimi i jetës do ta kalojë një pjesë të mirë të saj në kampe internimi, sepse pikërisht ata ngadhënjimtarë të dalë nga Lufta e Dytë Botërore (ndonëse jo të vetmit që luftuan) do të instalonin një nga regjimet më të ashpra, më absurde e më izoluese që përjetoi Blloku Lindor.

Si nga ato shakatë e hidhura, ai kishte mbi supe po aq vjet sa vetë diktatura, në vitin 1991, kur fati i ndërroi erërat, i dha fund regjimit më shtypës të Evropës Lindore e i fali lirinë,  të cilën zgjodhi  ta jetonte larg... Larg kujtimeve të hidhura, larg frikës, në dheun e nënës.

Por ky që keni në duar nuk është një libër kujtimesh, si “Një jetë në diktaturë”, ku i etiketuari si “armik i klasës” me përshkrime të hollësishme e të gjalla sjell jo vetëm kalvarin e vuajtjes vetjake, atë të familjes së tij, por bëhet përfaqësues i të gjithë asaj shtrese që regjimi i ndëshkoi pse e mendonin ndryshe, por edhe për të eliminuar çdo rrezik të mendimit të lirë që do të përkthehej në një opozitë politike dhe zgjedhje demokratike për rotacion qeverish. Para ’45 Shqipëria kishte parë ndryshime të shpeshta, ndër to edhe një e kryesuar prej gjyshit të tij.

Këtu janë të mbledhura shqetësimet e intelektualit, mendimtarit, që ndonëse fizikisht larg atdheut, fatet e ardhshme e mbajtën gjithnjë pranë me analizat, esetë e përsiatjet në shtypin shqiptar.

“Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë” është një përmbledhje e kujdesshme e artikujve të botuar nga viti 2005 e deri së fundi më 2023-shin, që mbajnë firmën e Eugjen Merlikës, por që shtrihen e prekin një hark kohor shumë më domethënës se vitet në të cilat janë shkruar.

Ashtu si edhe vetë titulli, libri rreket të analizojë Shqipërinë e mijëvjeçarit të ri, nën dritën e zhvillimeve të kohës, po aq sa edhe të ngacmojë të kaluarën si një pasqyrë, që sado e pakëndshme në reflektimin herë pa formë, herë të pabukur të realitetit, nuk mundemi t’i shpëtojmë pa e kundruar.  Përndryshe përfundojmë në arratisje prej realitetit,  ku diktatura të reja do ta kishin po aq të lehtë sundimin sa historia na ka mësuar në të shkuarën.

Në botën e ndërlidhur të këtij mijëvjeçari, me zhvillimet e shpejta teknologjike, me ekonominë e cila pasojat i ka globale, me gjeopolitikën e diplomacinë që lëviz përmes organizmave të mëdha, zhvillimet e Shqipërisë nuk mund të shihen e analizohen vetëm në rrafshin lokal.

Me peshën e qytetarit të angazhuar, me skeletin e trashë të syzeve që e bëjnë të ngjajë me filozofë e mendimtarë të shquar të shek.XX si Jean-Paul Sartre, John Rawls apo edhe Milton Friedman, i djathtë në bindje por aspak i anshëm, Merlika na fton të këqyrim vendin dhe botën përmes lentes së tij, që nuk është e ashpër e as sjell ndasi, por vjen e qetë dhe e shtruar, konstruktive, siç vetë autori e shëmbëllen në agoranë e mendimit politik, shoqëror, ekonomik e kulturor. Merlika në këtë libër i prek të gjitha sferat.

Tablotë e gjera, të pasura me argumente e elemente krahasuese këtej e matanë detit, në Perëndimin e shumëpritur e të dëshiruar të vlerave demokratike, i japin dorën lexuesit, qytetarit, për të reflektuar në shkrimet që mbajnë tituj si: “Pas Komunizmi dhe Evropa”, apo “Mirazhi i Perëndimit”, “Parada e Moskës dhe ëndrra e Putinit”,  “Një mësim nga Brigjet e Bosforit” apo edhe të tjera si “Globalizimi i indiferencës”, “Evropa para pasqyrës dhe politika emotive” .

Në të gjithë krerët e këtij libri lokalja gërshetohet me globalen, publikja ka edhe pak spërkatje historish dhe emocionesh personale, që e bëjnë botimin më të ngrohtë, më intim e më të prekshëm.

Janë emocionuese shkrimet, si “Fëmija dhe Vigani Liberator”, ku portreti i atdhetarit, një prej burrështetasve të parë, Luigj Gurakuqi vjen përmes kujtimeve të Merlikës, që mësoi për herë të parë  përmes rrëfimeve të së gjyshes dhe së ëmës, e cila e kishte njohur kur kishte qenë fëmijë.

Po ashtu edhe portreti i nënës, Elena Gjikës, në përvjetorin e njëqindtë të lindjes, ravijëzimi i profilit të regjisorit Kujtim Spahivogli përmes dromcave që i evokon nga vera e largët e 1960-s, kur u njoh me të. Rreshta ku lexohen bashkë dhimbja dhe dinjiteti, qëndresa e shpirtit njerëzor edhe përballë darës së kohës së mbrapshtë, sunduar nga njerëz të mbrapshtë.

Si pinjoll i familjes, si nip i Mustafa Merlika Krujës e si trashëgimtar i kujtimeve dhe dorëshkrimeve të tij në mërgim, për të cilat kujdeset të shohin dritën e botimeve, as në këtë libër nuk mungojnë shkrimet mbi ish-kryeministrin, intelektualin, gjuhëtarin, studiuesin. Rolin e këtij të fundit, në atë që Merlika e sheh si një prej arritjeve më të mëdha të qeverive shqiptare - bashkimin e trojeve shqiptare në kohët paradoksalisht më të pafavorshme - e sjell në shkrime si: “Kosova dhe Mustafa Kruja - një dyshe e pandashme”. Ndonëse i lodhur nga terri e përbaltja prej historiografisë shqiptare gjatë regjimit e pa ndonjë ndryshim domethënës edhe gjatë tranzicionit, Merlika nuk e bërtet qëndrimin e tij. Na ul butë për ta riparë figurën e Mustafa Krujës, përtej gjyshit të tij dhe më shumë të politikanit të anatemuar nga një regjim e ende i pa rehabilituar nga sistemi i ri, i vlerave të pluralizmit politik.

Nëse do ishim mes dy zgjedhjeve, për të humbur Kosovën apo lirinë, thotë Kruja, do kishim zgjedhur të humbnim të dytën, pasi të bashkuar, lirinë mund ta fitojmë prapë.  Ishte viti 1942.

Po me të njëjtat tone jep këndvështrimin e tij, të bazuar mbi analiza e argumente, mbi rëndësinë e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Me durim qëron të pavërtetat nga shkrime të ndryshme të medias mbi Mustafa Krujën dhe rolin e tij në idenë e madhe të Shqipërisë Etnike. Me fisnikëri u përgjigjet edhe atyre që me dinakëri kërkojnë të mohojnë dhimbjet dhe vuajtjet e asaj klase politike e intelektuale që vuajti kampeve të internimit, si ai i Tepelenës ku u degdis ai dhe familja, në shkrimin “Dhunimi i Kujtesës Historike”.  Është e njohur përpjekja dhe puna e palodhur e Eugjen Merlikës duke u kthyer në zërin e një shtrese, që vuajtjet u mbetën të harruara në burgjet e kampet ish-komuniste. Provë është edhe libri “Thinjat e atdheut”, botuar disa vjet më parë nga UET Press.

E tij nuk është rrekje për të rishkruar historinë, ndonëse një punë serioze e ka bërë me botimin “Rravgime të lira të historisë shqiptare” në  vitin 2021. Merlika nuk na zhyt në honet e së shkuarës edhe kur flet me kujdes dhe pa lënduar ndjeshmërinë e atyre që mendojnë ndryshe mbi çështje delikate e me peshë të madhe siç është ajo e shërimit të plagëve të së shkuarës, duke u pastruar dhe distancuar nga krimet e regjimit e duke i vendosur fajtorët para përgjegjësisë. Qëndrimin e tij mbi këtë e ka shpalosur në krijimtarinë e gjatë publicistike, një pjesë e së cilës gjendet në librin “Demokratura Shqiptare në sytë e një të mërguari ”, edhe ky botim i UET Press.

Ky libër sheh në të tashmen dhe drejt së ardhmes, duke prekur tema që nuk i shpëtojnë fokusit të shqetësimit të një atdhetari, si ajo mbi liberalizimin dhe çështjet e jashtme e deri te zhvillimet e brendshme, jo si luftëra politike e pushtetesh, por me impakt në jetën e ditë pas dite të shqiptarëve dhe çuarjen përpara të shoqërisë drejt proceseve integruese. I njeh çështjet dhe problematikat e brendshme dhe nuk i është shmangur dhënies së opinioneve, parashtresave, por me mençurinë e të urtit që shpesh sjell mësimet e së shkuarës që i flasin të sotmes dhe pa receta zgjidhjesh të gatshme. Ai nuk akuzon, edhe kur këtë e ka të legjitimuar si përfaqësues i të gjithë atyre shqiptarëve që kanë vuajtur tmerret më të mëdha të regjimit dhe harresën e këtyre tri dekadave që pasuan. Merlika parashtron, ekspozon, zhvesh nga dogmat. Sjell një të vërtetë nga e shkuara dhe këshillon vigjilencë, syçelje për të tashmen e të ardhmen.

Si një librari e mbushur me botime të vyera e gjithfarëllojshme, interesi intelektual  i autorit shtrihet i pasur në çështje të interesit kulturor, antropologjik e fetar, nga ku spikat e nderon me shkrimet e tij emra të shquar të jetës dhe veprimtarisë religjioze e veçanërisht asaj të krishterë, si Nënë Tereza, Don Anton Kçira e Dom Zef Oroshi.

Një vend të veçantë zënë në këtë libër figura të cilat jo vetëm që autori duket se i admiron, por që u kthyen në simbole të qëndresës njerëzore apo ikona të së djathtës politike si Vaclav Havel, Nelson Mandela e Margaret Thatcher.

Duke e ndërtuar staturën e tij të intelektualit mbi vlerat njerëzore, Merlika i kushton një pjesë të rëndësishme të këtij libri moralit në politikë dhe tregohet kritik me hipokrizinë e politikës botërore e me finesë ironizon fenomenet që prodhoi shoqëria e tranzicionit apo siç parapëlqen ta cilësojë autori me shqipen e kuruar, shoqëria e kalesës. Me shqetësim i ka përcjellë dhe vazhdon t’i përcjellë zhvillimet politike brenda vendit.

I përfshirë me zemër e mendime me punët e vendit të tij, por me largësinë e shëndetshme për të mos u përfshirë nga emocionet e për të mos qenë i kahshëm, ky libër i ri i autorit Eugjen Merlika është një mozaik, në të cilin lexuesi gjen ku ta vendosë copëzën e rolit dhe përgjegjësisë sociale. “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë” është një model reflektimi qytetar, duke iu shmangur shtampave të vjetra që e polarizojnë opinionin në skaje, ku pas debateve dhe konflikteve shterpë, nuk ndryshon asgjë.

Por, me kontributin intelektual, me qetësinë e epërsinë morale të vuajtjes, Merlika nuk duket se kërkon të edukojë. Ai kërkon që shqiptarët të mësojnë nga e shkuara, të gërmojnë në historitë që presin të zbardhen, të ndiejnë vuajtjen e tjetrit te vetja dhe të kërkojnë në të drejtën e tyre një shtet më të mirë, më të lirë, më demokratik e të ndihmojnë për ta bërë të tillë. Kjo është vepra më e plotë e voluminoze që Merlika ka botuar deri më tani. Thotë se është e fundit, por një publicist aq prolifik sa ai, me siguri që nuk do të ndalet këtu. Sepse ai e di që ka shumë për t’u thënë e për t’u bërë, që shoqëria shqiptare të mos ecë duke kremtuar fitore imagjinare, mbi fantazmat e së shkuarës... të cilat mund të zgjohen në çdo kohë.

*Suadela Balliu/ Marrë nga parathënia e librit “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë” , Eugjen Merlika, botim i UET PRESS

 

 

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH