Letërsi

DORËSHKRIM nga Natasha Lako, botim i UETPRESS/ Naim Frashëri dhe Uollt Uitman, poetët e sakrifikuar dhe pa favore

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM nga Natasha Lako, botim i UETPRESS/ Naim Frashëri dhe Uollt

E njohur si skenariste e poete, Natasha Lako ka qenë gjithmonë përkrah shkrimit edhe si gazetare. Përgjatë viteve ajo ka botuar në shtypin e kohës një sërë esesh, të cilat vijnë të përmbledhura në këtë botim të UETPRESS, nën titullin “Njeriu si një tjetër”. Në pjesën e parë autorja vendos autorë të huaj pranë atyre shqiptarë, duke gjetur lidhjen e personaliteteve që jetuan në të njëjtën botë e epokë, e ndoshta s’dëgjuan kurrë për njëri-tjetrin. Esetë dy kapitujve të tjerë trajtojnë personazhe, ngjarje, fenomene kulturore e shoqërore, përshkuar nga pena dhe mprehtësia e fjalës poetike. 

Disa prej këtyre eseve, përmes së cilave Lako synon të nxisë rileximin e veprave të shkuara të shkrimtarëve të huaj dhe shqiptarë, po i sjellim gjatë kësaj jave në Gazetën Liberale.

Naim Frashëri dhe Uollt Uitman

Në hyrjen kryesore të stacionit të metrosë të Dupont Circle, në Uashington D.C., kushedi qëkur, kanë mbetur të gdhendura nga punëtorët e lartësive vargjet e Uollt Uitmanit, të cilat flasin për lumturinë dhe dhimbjen, krijuar ndoshta në nderim të kohës kur ky poet botëror shërbeu si vullnetar për të plagosurit e luftës civile, në një spital aty pranë.

Në Shqipëri nuk gjendet ndonjë varg naimjan i gdhendur diku. Ndoshta mund të shkruhet nëpër tabelat e dërrasave të zeza shkollore, ose në ekranet e tabloidave të fëmijëve, sepse poezia e Naimit ngulitet në kokë që në vegjëli.

Të dy i takojnë një shekulli, atij të makinës me avull, shtypshkronjave, vështrimit nga Europa, shpërbërjeve të pazakonta të epiqendrave të pushteteve dhe betejave kundër skllavërimit që nuk shter.

Të dy vlerësohen si burra të një force epike. Të dy punojnë përkohësisht në administrata shtetërore dhe të dy, në një formë ose në një tjetër, konsiderohen për kohën, mjaft ofensivë.
Ati, vëllai, xhaxhai, si quhet deri sot Uitmani prej poetëve amerikanë, aleati me çdo njeri të botës, u lind më 31 maj të vitit 1819, dhe u nda nga jeta në vitin 1892.

Naim Frashëri, burri i një lëngate të gjatë tuberkulare, aleati i dhimbjes dhe i bukurisë, njeriu që brenda Perandorisë Osmane i dha Kristoforidhit lejen e parë të botimit në gjuhën shqipe, u lind më 25 maj të vitit 1846 dhe u nda prej jetës në vitin 1900.

“Fije bari” i Uollt Uitman, emri i të cilit mbeti për një kohë të gjatë i pashkruar në libër, u botua për herë të parë në vitin 1855, dhe menjëherë u konsiderua subversiv ndaj etikës shoqërore, derisa u shfaq poezia e tij, “O kapiten, kapiten im”, kushtuar vdekjes së Linkolnit, që ktheu vëmendjen ndaj veprës më të plotësuar.

Emri i Naimit nuk mund të shkruhej në botimin që tronditi shqiptarët, si “Historia e Skënderbeut”. Emri i tij nuk u shfaq as te revista “Dituria” e Stambollit, në botimin e poezive “Fjalët e qiririt” dhe “Shkëndijë e diellit ndaj manushaqes”, të vitit 1884. Dihet se brenda kësaj fshehtësie, botimi i vëllimit me poezi “Lulet e verës” në vitin 1890 dhe i poemës epike “Historia e Skënderbeut” në vitin 1898, i dhanë atij përfundimisht emrin si krijues i madh.

Të dy sfidojnë gjithë mekanizmat shoqërorë që u përpoqën t’i pengojnë. Jetojnë të sakrifikuar dhe pa favore që meritonin. Të dy, me vargjet e tyre, e rrëmbejnë lexuesin si rrymat dhe gurgullimat e lumenjve shtratgjerë që marrin me vete kumbimet njerëzore. Të dy kanë enumeracione në një shkallëzim të natyrës, si në një zotërim të porsa shfaqur të kthyer në himn.

Naimi e fillon poemën e tij të famshme me vargjet:

... O malet e Shqipërisë, dhe ju o lisat e gjatë!...
... Cuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar!...

Uollt Uitman këndon:

O kënaqësi që japin lisat, kopshti, korija, dushku, qitrat, pisha, pekanti.
O të kuptosh hapësirën.

Të dy, nëpërmjet enumeracioneve të drejtpërdrejta lidhen me çdo frymë krahine; njëri duke jetuar në një botë më të vjetër, e tjetri duke jetuar në një botë më të re. Me Naimin arrihen dimensione largësie, si në poezinë “Hëna”, kur ai e pyet:

Sa sokratë na ke parë të helmuar,
sa jozefë pre për ujqër të tërbuar

Dhe Uollt Uitmani, në poezinë “Themeli i gjithë metafizikës” këndon:

Pasi studiova e shpjegova Kantin, Fichte, Shilling, Hegel,
shpjegova dijen e Platonit e të Sokratit, më i madh se Platoni.

Ndërsa Naimi thotë:

Mendja ime, që s’gjen prehje, bën kërkime,
dhe rropatet me aq pyetje e mërmërimë
kush,? pse? çfarë? ku e kur? e si e sa?
Por më kot se nga ç’do anë tallje ka.

Lexuesit i duket se përsëri po flitet për ditët e sotme. Nëse Naim Frashëri mbetet demokrati i parë i shqiptarëve, Uollt Uitmani mbetet demokrati i paparashikuar i gjithë botës.

Uollt Uitman mund të përgjigjet sikur të ketë parë edhe emigranten e sotme shqiptare që sa i ka rënë lotaria amerikane;

Eja muzë, kalo prej Greqisë dhe Jonisë,
të lutem, fshiji ato llogaritë e vjetra të paguara shtrenjtë,
………………………………………………………………
edhe në qoftë se ju miqtë e mi nuk e shihni
unë e shoh emigranten e shkëlqyer,
e pamërzitur nga ujësjellësit dhe gazometrat e plehrat kimike,
buzëqeshur e kënaqur me dëshirën që të rrijë,
ja tek është e vendosur në mes enëve të kuzhinës.

Në vargje të tjera e vë në një pozitë të re lirie shoqërore gruan që lëpin zemrën e një burri, me kraharor të zbuluar.
Uollt Uitman, ky i pashtershëm në zgjerimin e një vëllimi të vetëm, thotë: “dielli im ka një diell dhe dielli im vërtitet me bindje rreth tij”. Si piktorët që e shpërthejnë temën e tyre, ai krijon një gjithësi të papërsëritshme me një leksik jashtëzakonisht të pasur dhe përtëritës. Ndërsa Naimi, diejtë e tij të vegjël si poezi i shpërndan deri në tekstet shkollore, me misionin e madh të një gjuhe të pauzurpuar.

Të dy panteistë dhe jashtëzakonisht transcedentalë. Vetëm në raste të rralla mund ta përqendrojnë figuracionin në një objekt të përcaktuar, pasi ai niset të shtrijë krahët për të përmbledhur gjithë botën. Naimi është gati të shkrijë njeriun me natyrën çdo çast, së bashku me Uollt Uitmanin. Edhe pse të dy poetët nuk u njohën kurrë, ata takohen me njëri-tjetrin në këtë pambarimësi.

*Shkëputur nga libri “Njeriu si një tjetër”, i autores Natasha Lako, botuar në vitin 2023 nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH