Letërsi

DORËSHKRIM nga Luan Rama, botim i UETPRESS/ Gertrude Stein midis Hemingway-it dhe Fitzgerald

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM nga Luan Rama, botim i UETPRESS/ Gertrude Stein midis

Zonjusha Stein ishte një grua e fortë, jo shumë e madhe dhe me një shtat fshatareje, - kishte shkruar Hemingway në librin e tij “Parisi, një festë e pambarimtë”.

- Kishte sy të bukur dhe fytyrë të ashpër, si të një hebreje gjermane, madje, nga mënyra si vishej, me fytyrën aq ekspresive, me flokët e saj të dendura e të bukura të një emigranteje, të cilat ajo i ngrinte me një kapse (mesa dukej që kur kishte qenë në universitet), më ngjante me ato fshataret e Italisë së Veriut. Fliste papushim për njerëzit dhe vendet.Shoqja e saj me të cilën jetonte, kishte një zë të këndshëm.Ishte me shtat të vogël dhe flokë si të një Zhan d’Ark-e dhe ishte shumë brune.Ne e donim zonjën Stein dhe miken e saj, edhe pse ajo kishte një pamje të tmerrshme…“

Në librin e tij Hemingway kujtonte dhe tablotë që mbushnin muret e sallonit të saj apo artistët e shumtë që vinin aty, duke shtuar dhe Braque, Gris, Vallonton, Bonnard etj. Një ditë, siç pohonte Hemingway, “Zonja Stein bënte edukimin tim mbi jetën seksuale, pasi është e vërtetë që atëherë kisha disa paragjykime për homoseksualitetin… Ne bisedonim por nuk isha dakort aspak me të. Megjithatë secili kishte mendimet e tij.

Sidoqoftë unë nuk i kundërshtoja më të mëdhenjtë në moshë. Parapëlqeja të dëgjoja dhe Gertrude kishte një cilësi mjaft inteligjente për të treguar gjëra interesante. Ajo më tha se shpejt a vonë duhej ta braktisja gazetarinë. Më tha se nuk isha një shkrimtar aq i mirë për t’u botuar në revistën Atlantic Monthly dhe në Saturday Evening Post por mund të bëhesha një shkrimtar i një lloji të ri… Ne atëherë jetonim në Rue Notre-Dame-des- Champs dhe me Stein ishim ende miq të mirë, kur pikërisht ajo më foli për gjeneratën e brezit të humbur. Disa ditë më parë në jug të Francës ajo kishte patur problem me dritat e makinës së saj të vjetër, një “Ford T” dhe djaloshi që punonte në garazh po merrej me një makinë tjetër, duke e lënë makinën e saj për ta riparuar më vonë. Sidoqoftë nuk ishte treguar serioz dhe patroni e kishte qortuar rëndë duke i thënë djaloshit: “Ju të gjithë jeni një gjeneratë e humbur”… Ja, dhe ju, - m’u drejtua një ditë Stein, - edhe ju jeni që të gjithë kështu… ju të rinjtë që bëtë luftën, të gjithë jeni një gjeneratë e humbur! - Vërtet? - i thashë.- Po, vërtet! - këmbënguli ajo. Ju nuk respektoni asgjë! Ju veçse dini të pini alkool!...

Me zonjushën Stein u bëmë miq të afërt. Nga ana ime unë ndërhyra më vonë që vepra e saj të mund të botohej pjesë-pjesë në revistën e Ford dhe e ndihmova që të daktilografoja dorëshkrimin e saj. Meqë një periudhë kisha kohë që nuk kisha shkuar tek ajo, Stein më tha: «Hemingway, po ti je zot shtëpie këtu! Ejani kur të doni dhe shërbyesja do të përkujdeset për ju!...”

Një ditë, Hemingway e njoftoi Fitzgerald-in që atë mbrëmje të shkonin tek salloni i Stein. Dhe ata shkuan së bashku. Ishte data 25 shtator 1926. Fitzgerald ishte i shqetësuar dhe Stein e kishte pyetur se çfarë kishte:
- A e dini që sot jam 30 vjeç?! - kishte thënë Fitzgerald.- Kjo është dramatike. Çdo të bëhet me mua?
- Mos u shqetëso!...- i kishte thënë Stein dhe e këshilloi që të kthehej në shtëpi dhe të vazhdonte shkrimin e romanit. Ajo i kishte pëlqyer shumë dy romanet e tij E kundërta e parajsës dhe Gatsby i mrekullueshëm.

Piktori Abedin Dino dhe një opera e Stein

Pothuaj gjithë elita amerikane kur vinte në Paris do të takohej dhe me Stein që edhe pse ishte një tip i vështirë, ishte një njeri me një influence dhe kulturë të shumanshme, çka e tregoi në botimet e saj veçanërisht A making american’s apo Fabrikimi i amerikanëve, ku shkruan për shumë personalitete të jetës amerikane.

Një nga shqiptarët që e ka njohur nga afër zonjushën Stein ka qenë piktori Abedin Dino, në kohën kur në fund të viteve ’30, ai erdhi në Paris dhe frekuentoi rrethet artistike parisiane, mes të cilëve dhe Picasso e Matisse. Atë kohë Stein po punonte për të venë në skenë një opera dhe meqë u njoh me piktorin Dino i kërkoi që t’i bënte dekoret e skenës. Dhe Abedini i krijoi, disa prej të cilave Dino m’i ka treguar në atelierin e tij në Paris para se të vdiste.Por përfundimisht kjo opera nuk do të vihej në skenë. Abedini tregonte se e kishte njohur Stein në kafenenë e saj të preferuar La Coupole, ku rrinte zakonisht.

“Ne punuam së bashku me Stein, e cila në atë kohë banonte në 5, Rue Christine. Punuam për operan që kishte ndërmend të vinte në skenë, Doktor Faustus lights the lights, muzika e së cilës do të kompozohej nga lordi Berners, një mik i afërt i saj dhe i koreografëve rusë, Diaghilev dhe Balanchine...” Takimi me Stein, me këtë grua të famshme amerikane e kozmopolite, do të linte gjurmë në jetën e Abedinit.

*Shkëputur nga libri “Bohemë anglosaksonë në Paris”, i autorit Luan Rama, botuar në vitin 2020 nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH