Letërsi

DORËSHKRIM nga Luan Rama, botim i UETPRESS/ Raymond Duncan dhe historia e jashtëzakonshme shqiptare

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM nga Luan Rama, botim i UETPRESS/ Raymond Duncan dhe historia e

Raymond Duncan (Rajmond Dunkan) bënte pjesë në atë elitë amerikane e cila u shfaq në Parisin e lirë e antipuritan që në fillimet e shekullit XX, ku veç poetit Oscar Wilde, poetit Ezra Pound, autorit të Uliksit James Joyce apo amerikanes tjetër Sylvia Beach, drejtuese e librarisë “Shakespeare and Company”, erdhën më pas dhe Hemingway, Fitzgerald, Dos Passos, Anderson, Miller, Orwell, Man Ray e shumë të tjerë.

Në 31, Rue de la Seine, në zemër të Parisit, dy hapa nga hoteli ku atëherë jetonte Oscar Wilde, ka një pllakë përkujtimore sipër portës së një ndërtese, ku shkruhet: «Në këtë shtëpi ku më 1831 ka jetuar George Sand, ka banuar gjithashtu dhe Raymond Duncan nga viti 1926 deri në vitin 1966 ku dhe krijoi «Akademinë». Pikërisht në Paris, Raymond Duncan bashkë me të motrën, balerinën Isadora Duncan, shpalosi personalitetin e tij filozofik dhe artistik dhe  u bë një nga figurat interesante parisiane të gjysmës së parë të shekullit XX, jo vetëm me krijimin e kësaj akademie por dhe me krijimtarinë e tij piktoriale dhe letrare, duke botuar libra poetikë, drama për teatër, etj.

Jo më kot, kur New York Herald Tribune dërgoi regjisorin e famshëm Orson Wells, për një film dokumentar të titulluar Përreth botës, një nga intervistat ishte ajo me Raymond Duncan, çka tregon dhe për prestigjin e këtij intelektuali të dorës së parë. Ai u bë spikatës në jetën parisiane edhe për faktin se gjithë jetën e tij, pas zbulimit të Greqisë gjatë vizitës së tij të parë atje, ai u vesh me një tunik të gjatë të bardhë, vuri në këmbë sandalet, të cilat i prodhonte vetë dhe nuk i hoqi ato kurrë nga këmbët deri sa vdiq.

Raymond Duncan, ky artizan i profesioneve të para të botës njerëzore dhe artist i rafinuar, pati një lidhje të fuqishme me Shqipërinë dhe shkak për këtë ishte Lufta Ballkanike si dhe beteja për Janinën midis turqve dhe grekëve, kur mijra refugjatë shqiptarë do të rendnin udhëve drejt Sarandës. Por cili ishte Raymond Duncan?
Raymond-i lindi në San Francisco më 1874, në një familje ku i ati ishte bankier dhe nëna e tij, Mary Dora Gray, motra e një senatori të Kalifornisë, ishte muzikante.Që në fëmijërinë e tij ata mbetën pa mbështetjen e të atit, i cili iku me një grua tjetër duke e lënë familjen e tij në mjerim. Jeta e Duncan-ëve ishte një jetë e varfër dhe e trishtë, në një rrugë të humbur dhe të errët në lagjet e irlandezëve, në “Geary Street“ dhe në “Taylor Street„, ku më 1878 kishte lindur Dora Angela Duncan dhe pas saj Raymond dhe vëllai me motrën tjetër.

Raymond-it i kishin mbetur të fiksuara fytyrat fëminore të Isadorës e Elisabetës dhe vëllait të tij, Agustinit. Sa herë e kishte pyetur të ëmën për gjyshërit e tij, të cilët kurrë nuk i kishte parë, e ëma i përgjigjej se ata kishin ardhur në Amerikë në kohën e urisë së madhe në Irlandë, në vitin 1848. Meqë jeta e tyre u bë e vështirë, për disa kohë ata u vendosën në New York dhe Raymond-i bashkë me nënën dhe të motrën luanin teatër në mjediset popullore. Ishin të varfër dhe për t‘u ngrohur në dimrin e ashpër shpesh dilnin të ecnin në “Central Park„ që të mbanin trupin në lëvizje.

Pastaj ata vendosën të nisen drejt Europës dhe fillimthi drejt Londrës. Por dhe aty, vështirësitë ishin të mëdha dhe me spektaklet e pakta të nënës dhe Isadoras ata s’mund të jetonin me pjesë teatrale.Madje disa kohë përfunduan në “Green Park„, ku mblidheshin të pastrehët, lypësit…

Në vitin 1898, ata ndërmorën udhëtimin drejt Athinës, ku vendosën të jetonin si spartanë. Ishte Raymond-i ai që punonte dhe krijonte gjithçka me duart e tij: enët prej balte, qilimat, mobiljet prej druri, hapja e një pusi për ujë të pishëm, zbulimi i këngëve bizantine e gregoriane të kishave ortodokse, etj.Gjithë familja merrej me art. Atje, Raymond-i u dashurua me një athinase të quajtur Penelopa Sikelianu, dhe më pas gjithë familja e la Athinën. Një pjesë u kthye drejt Amerikës, ndërsa Raymond-i, Penelopa dhe Isadora shkuan ca kohë në Berlin.

Duke kujtuar qëndrimin e tyre në Paris, gjatë kohës së ekspozitës universale më 1900, Isadora kujtonte pasionin e madh të të vëllait për vizatimin, pikturën, ku me orë e ditë të tëra vizatonte figurat antike në vazot e vjetra dhe mermerët e lashtë.Madje më vonë ato u botuan në revistat e kohës. Më 1909, Raymond-i bëri një turne të gjatë nëpër Amerikë me spektaklet e tij të dansit antik grek, përzier me poetikën dhe këngët tradicionale. Po atë vit, Isadora zbarkoi në skenat parisiane, në teatrot e “Rue Gaité„ të Montparnasse, ku në skenë kërcente zbathur dhe me tunikën e saj të hapur si në teatrot antike.Më 1911 Raymond-i zbriti në një nga stacionet e trenit në Paris.Një epokë e re niste për të. Por shpejt, një ngjarje do ta tërhiqte përsëri drejt Ballkanit: tragjedia e të motrës dhe Lufta Ballkanike dhe Shqipëria.

Shqipëria në zi

Deri tani nuk kam gjetur shkrime e kujtime të Raymond Duncan-it rreth Shqipërisë dhe qëndrimit të tij atje. Të gjitha informacionet janë marrë nga kujtimet e motrës së tij Isadora Duncan, e cila për nga frymëzimet antike dhe sharmi i trupit të saj, ishte nga balerinat më me emër në Paris. Në librin e saj me kujtime Jeta ime të shkruar në vitet ‘20 të shekullit XX, ndër të tjera, pasi përshkruan qëndrimin dhe udhëtimet e familjes së saj nëpër Greqi, kujton dhe ardhjen e tyre në jug të Shqipërisë.

“Raymond-i erdhi nga Shqipëria, - shkruante në kujtimet e saj Isadora Duncan.- Si zakonisht ishte gjithë entuziazëm: «Atje i tërë ai vend është në një mjerim të plotë. Fshatrat janë shkretuar, fëmijët vdesin urije. Si mund të kesh një qëndrim kaq egoist?- më tha ai, - Eja të na ndihmosh t’i ushqejmë fëmijët e t‘u japim shpresë atyre grave...Fjalimi i tij pati efekt. Vesha sandalet dhe rrobën time të gjatë greke dhe e ndoqa Raymond-in në Shqipëri. Në një mënyrë shumë origjinale ai kishte menduar të ngrinte një kamp për të ndihmuar refugjatët shqiptarë.”

Tek Raymond-i kishte një lidhje të çuditshme me natyrën, një lidhje mjaft të fortë e të qenësishme dhe kjo gjë Isadoras i pëlqente shumë. Si të tjerët, edhe Isadora e konsideronte atë “bir të natyrës”. Të ecje zbathur, të ngroheshe rreth zjarrit në natyrë, të qulleshe në shi, për të ishte diçka shumë njerëzore. Njeriu kishte lindur i zhveshur përballë natyrës… Çdo gjë tjetër Raymond-it i dukej konvencion prandaj dhe ai kërkonte t’i thjeshtonte gjërat gjithnjë.Një jetë e thjeshtë dhe sokratike. Madje i mjaftonte dhe një trung për të mbështetur kokën për të fjetur edhe pse bota atë kohë njoftonte shpikje të mëdha: ballonet gjigande «Zepellin» që udhëtonin në qiell, elektrokardiografi, radio, llampa prej mërkuri, ajri i kondicionuar, kamera me ngjyra, madje dhe frigoriferi… Po, Raymond-i nuk e njihte frikën e vdekjes.Vdekja për të ishte po aq normale sa dhe lindja.“E di se kur do iki një ditë nga kjo botë, unë do të iki i gëzuar„, - thoshte shpesh ai.

Nga të gjithë njerëzit e familjes, madje dhe më shumë se nëna, Raymond-i ishte njeriu më i afërt i Isadora-s, më intimi dhe që e kuptonte më shumë botën e saj. Raymond-i ishte një tip special dhe mjaft i thjeshtë. Mbante flokë të gjata që i binin mbi supe, rrinte zbathur dhe me sandale dhe në trup mbante të hedhur një rrobë të madhe si veshjet e grekëve të lashtë të kohës së Antikitetit.

Por mbi të gjitha ishte një natyrë artisti: shkruante poezi, pjesë teatri, luante teatër me Isadorën në Amerikë dhe Angli. Madje si dhe në Greqi ku shkuan përsëri më pas në fshatin Kapamos në malin Hymet në një nivel me Akropolin, ndërtuan një shtëpi guri, ai vazhdonte të prodhonte mobiljet e thjeshta prej druri, etj. Isadora kujtonte shpesh përpjekjet e Raymond-it për t‘u ardhur në ndihmë refugjatëve shqiptarë që i largoheshin të tmerruar ushtrisë greke dhe fronteve të luftës, e cila atëherë ishte një luftë territoresh dhe Shqipëria ishte thjesht një tokë pa zot, një shesh-beteje.Si mund t’i ndihmonte ata të mjerë që donin të mbanin frymën me një kothere bukë?

“Raymond-i shkoi në pazarin e Korfuzit, bleu lesh, e ngarkoi atë në një anije të vogël që e kishte marrë me qera dhe e transportoi në Santa Quaranta, në portin kryesor ku ishin mbledhur refugjatët.- Po si do t’i ushqesh gjithë këta të uritur? Me lesh? - i thoja Raymond-it.- Dora, prit dhe do të shohësh...Po t’u sjell bukë, ajo do të ishte e mjaftueshme veçse për një ditë, por unë u sjell lesh sepse dua të bëj diçka për të ardhmen e tyre...

Ne shkuam në bregun shkëmbor të Santa Quarantës, ku Raymond-i kishte ngritur kampin e tij për fshatarët. Në një afishe ai kishte shkruar: “Ato që duan të tjerrin lesh, do të shpërblehen me një dhrahmi në ditë”.

Kështu, në molin e Skelës (Sarandë), Raymond-i zbarkoi një mori dëngjesh me lesh. Shumë shpejt Raymond-i u rrethua nga gratë e mjera. Lajmi kishte marrë dhenë. Gratë, shumica të veshura në të zeza, qëndronin të heshtura duke fshehur padurimin e tyre dhe dramën e madhe që përjetonin.
Padyshim që është e vështirë ta rikrijosh imazhin e atij gjiri të vogël me pak shtëpi, Skelën (Sarandë siç do të quhej më vonë), ku herë pas here një anije vinte nga Korfuzi për të sjellë herë ndonjë gazetar, herë protestanë amerikanë që vinin nga Korça, e herë ndonjë zyrtar apo delegacionin e grupit të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.Tendën e tyre ata e kishin vendosur në shpat, jo larg nga bazilika e rrënuar e Santi Quaranta, por që muret e saj kishin mbetur ende në këmbë në mënyrë madhështore.

“Raymond-i, - vazhdon në kujtimet e saj Isadora Duncan, - vëllai im i vogël dhe Penelopa kishin shkuar në këmbë në Epir, në Janinë. Ç’kurajo!...Nëse do të jetë e mundur ne do të lançojmë një thirrje për t’i ndihmuar ata njerëz. Si mendon? Thonë se janë njëmijë familje që po vdesin nga uria. Mendoj se mund të shkoja edhe unë atje dhe të bëja diçka. Madje kam ëndërruar të krijoj një shkollë dansi, një koloni artistësh. Para meje, nga ana tjetër, shtrihen malet e larta që duket sikur lundrojnë në kaltërsinë midis qiellit dhe Parajsës. Duket si një imazh i Tokës së Premtuar. Nganjëherë, kur i vështroj këto male më duket sikur dhe unë kam vdekur bashkë me fëmijët e mi, më duket sikur jemi në Parajsë por duke i ndjerë pranë, atëherë dhimbja rivjen.Sytë e mi nuk do t’i shohin ata kurrë më. Duart e mia kurrë s’do t’i prekin më dhe unë i rishoh ende, që të dy, tek më bëjnë shenjë me duart e tyre të vogla nga vetura.Dhe atëherë dua të klith.Por në fakt është jeta që vuan…”
Tani, pas më shumë se një shekulli, përpiqem të imagjinoj atë skenë prekëse në Skelën e mjerë, kur ajo furrë e vogël prej balte filloi të prodhojë bukët e para për ata njerëz të uritur. Me paratë e qilimave që punonin ato gra dhe që shiteshin në Korfuz e Londër, Raymond-i blinte miellin që të prodhohej buka e tyre, pasi në ato kohë lufte fushat ngado ishin të shkretuara dhe dergjeshin në zi. Vetë jeta dhe fëmijëria e tij e varfër e kishin mbushur shpirtin e këtij njeriu më një humanizëm të skajshëm.

Më së fundi pas gjashtë muajsh, përballë asaj tragjedie të madhe të këtij populli dhe jetës që përsëri po lulëzonte, Isadora e ndjeu se dhe tek ajo po lindte përsëri dashuria për jetën dhe artin, për skenën. Një dëshirë e çuditshme e kapi për të rendur drejt skenave të Parisit. Kështu, një ditë, Raymond-i me Penelopën e përcollën në Korfuz ku me një anije ajo u nis drejt Italisë, prej nga do të shkonte drejt Marsejës. Raymond-i u kthye përsëri në Skelë të vazhdonte jetën me atë popull që pas kaq vuajtjesh po shikonte disa ditë të bardha. Pikërisht në këtë periudhë Raymond-i do të shoqëronte ambasadorin amerikan që ishte në Athinë, gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Ishte Raymond-i që e priti në Korfuz dhe e shoqëroi në Vlorë e Durrës për të takuar krerët e qeverisë së re shqiptare, për të parë nga afër gjendjen e vërtetë të këtij vendi të vogël që orë e çast kërcënohej nga synimet shoviniste të fqinjëve të saj.

Vallë a e kishin takuar Ismail Qemalin dhe cilët qeveritarë të tjerë? Në atë kohë Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit vazhdonte inspektimet e tij dhe ata padyshim do të jenë takuar me të. Kjo vizitë e ambasadorit amerikan ishte vendimtare për Shqipërinë, pasi raportet e ambasadorit do të ndikonin në vendimet e mëpasme të Amerikës për të mbrojtur trojet shqiptare gjatë Konferencës së Paqes në Paris.Disa muaj më vonë edhe Raymond-i u nda me banorët e Skelës për t‘u larguar përfundimisht.Padyshim që do të ketë qenë diçka prekëse për banorët e kësaj qyteze ndarja me këtë njeri të madh.Nga Shqipëria, Raymond-i zbarkoi përsëri drejt Parisit, metropolit të kulturës së botës. Ai s’do të kthehej më kurrë në Shqipëri.

*Shkëputur nga libri “Bohemë anglosaksonë në Paris”, i autorit Luan Rama, botuar në vitin 2020 nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH