Aktualitet

LIBRI I DITËS: Realizmi Socialist në Stil Shqiptar si urë dialogu me të shkuarën komuniste dje dhe sot - Nga Ermir Hoxha

Shkruar nga Liberale

Nga Ermir Hoxha

Në vitin 2017, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve pa dritën për herë të parë, një studim i ilustruar, dedikuar tërësisht Realizmit Socialist Shqiptar. I paraprirë nga një tekst i gjatë studimor dhe një aparat ilustrativ ndarë në periudha, botimi konsistonte në një nga përpjekjet më serioze mbi kuptimin e metamorfozës së Realizmit Socialist Shqiptar. Pas entuziazmit të parë, shpejt vura re se shumë aspekte të këtij fenomeni, paçka se të trajtuar gjerësisht edhe në studimet doktorale, mbeteshin ende të pathelluara. Kishte mbetur pa thellimin e duhur ajo, periudha më e bukur dhe njëkohësisht më e trishtë, periudha e Liberalizmit, padyshim aventura më e vyer stilistike, simbol i nevojës për një estetikë ndryshe.

Por ajo që intrigonte më shumë ishte padyshim periudha më e fundit, ajo më fantazmagorike e zhvilluar në paradoksin e vet dekadat e fundit, kur socializmi kishte kapitulluar prej mbi një dekade. Në fakt prej fund-viteve ‘90, në realitetin artistik shqiptar trashëgimia materiale e periudhës së komunizmit në mënyrë sistematike gjendej prezente në krijimtarinë e mbi 40 artistëve bashkëkohorë. Si tërheqje reale, ekzotizëm, hulumtim shkencor, aksion politik, apo kompromis pragmatik, kuptimi i këtij fenomeni mbetej një sfidë studimore e qenësishme, ndërsa diskursi që shoqëria shqiptare duhet të kishte me të shkuarën e vet, mbetej ende thjesht pre për konsum televiziv.

Si i tillë, studimi “Realizmi Socialist në Stil Shqiptar (Periudha e Liberalizimit dhe trashëgimia komuniste në artin bashkëkohor shqiptar)” është në shumë aspekte vazhdimi i natyrshëm i atij të sipërpërmendur. Ai është një përpjekje studimore për të analizuar e kuptuar pikërisht këtë fenomen shtrirë në realitetin artistik shqiptar prej më se 60 vitesh, ku raporti mes pjesës ilustrative dhe studimore është përmbysur në funksion të kësaj të fundit. Ai ndërtohet nga dy krerë. I pari synon një shpjegim të qartë të fenomenit të Realizmit Socialist nga konteksti historik, kontekstualizmin e tij në Shqipërinë socialiste dhe temat mbi të cilat ai ndërtohet. Më pas ai përqendrohet në periudhën më entuziaste, por edhe më të vështirë të artit shqiptar, atë të Liberalizmit. Zhvilluar prej fund-viteve ’60 deri në vitin 1973, kjo periudhë shënohet nga përplasja më e dhunshme e shtetit me artin, aq sa dhe nga kuptimi dhe implementimi i modernizmit. Duke qenë i tillë, ai paraprihet nga një temë studimore “Mbi Modernitetin dhe Modernizmin”, si një përqasje fenomenologjike e shtrirë horizontalisht e vertikalisht përgjatë gjithë shek. XX, pasuar nga një pasqyrë e tendencave “moderne” në pikturën e viteve ’69 - ’73.

Më pas, një pjesë e rëndësishme në këtë kapitull i dedikohet piktorit Edison Gjergo dhe tablosë së tij “Epika e Yjeve të Mëngjesit”, simbol tragjik i thyerjes së artistit përballë dhunës shtetërore. E gjithë kjo është strukturuar fillimisht nga një analizë e tablosë, pasuar nga një intervistë ekskluzive e vetë Gjergos mbi tablonë botuar nga Revista Ylli në vitit 1972. Nuk mund të lihej jashtë dhe një pasqyrë besnike e dosjes së tij hetimore duke nisur nga ekspertiza e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, akt-ekspertiza e hetuesisë dhe dënimi i tij. Saga e Gjergos shoqërohet nga dy personazhe të tjerë të rëndësishëm të kohës. I pari është piktori Edi Hila i cili ofrohet nga një analizë e krijimtarisë së tij, nga tabloja “Mbjellja e pemëve”, tek veprat e realizuara fshehtas në vitet ’70-‘80. I dyti është Janaq Paço, skulptori i talentuar, i cili nga marria e kohës u detyrua të thyente vetë ciklin e nudove të ndaluara. E gjitha përmbyllet nga një artikull tjetër i kohës, “Tipare të Njeriut Liberal”, botuar në revistën Ylli në vitin 1973, si një mundësi për t’u servirur në vetë të parë lexuesve të rinj gjuhën e propagandës së kohës dhe një pasqyrë dinamike të vetë Plenumit të IV, epiqendra skenike e dënimit të artistëve.

Kreu i dytë është sfida më intriguese. Ai u projektua si nevojë për të kuptuar arsyet dhe format e reflektimit të trashëgimisë komuniste në realitetin bashkëkohor shqiptar. Dëshmitarë të një fenomeni tejet fertil sidomos në dy dekadat e fundit, nisur nga 100 këngët e shekullit, rishfaqja on-a-loop e filmave të Realizmit Socialist dhe ajo më e rëndësishmja: tërheqja e artistëve vizivë nga e kaluara komuniste. Në këtë qerthull, natyrshëm mund të hulumtohet mbi kontekstin ku ndërtohen këto vepra, qoftë ai nostalgjik, ekzotik, apo politikisht i përdorshëm. Lind pyetja, nëse arti në komunizëm ishte mjet, apo qëllim, dhe a është e vlefshme kjo edhe në ditët e sotme? Cili është raporti i vërtetë i artistëve sot me të kaluarën komuniste? Sa real është perceptimi se mënyra më e mirë për të tërhequr interes “jashtë vendit” e orienton një artist drejt përqasjes me të kaluarën komuniste. A kemi të bëjmë me një ekzotizëm të ri, këtë radhë jo më me ngjyrime orientale, porse me ato komuniste. A heq paralele ky realitet me atë kinematografik, ku përveç të shkuarës komuniste, të vetmet tema të eksportueshme duket sikur janë ato derivat i subkulturës në veri të vendit, si gjakmarrja, apo burrneshat. Duke qenë se realiteti komunist apo vetë diktatura, preken kryesisht nga artistë të rinj, (kryesisht fëmijë gjatë regjimit komunist) a kemi të bëjmë me një shfrytëzim politik të subjektit? Si nevojë për t’i dhënë një përgjigje kuptimore gjithë këtyre pikëpyetjeve analizohet struktura estetike e tyre, konteksti dhe forma me të cilat ato serviren, shtrirja kohore dhe mesazhi që synojnë të përçojnë.

I gjithë studimi ilustrohet nga qindra imazhe. Ato zënë vend vetvetiu ashtu përballë: ato të pjesës së parë dhe ato të pjesës së dytë. Janë aty të dy, ai i shkuari “zyrtar” dhe ai “kontrovers” postmodern. Përballja e tyre në të njëjtin studim, shërben veç vetes, si dëshmi që mbi subjektin përqasja krahasimore nuk është një destinacion i pamundur, por provë e përqasjeve kapriçoze të realitetit sa politik, aq dhe shoqëror shqiptar. /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH