Nga Henri Çili
Me Vladimir Myrtezain nuk mbaj mend të kem pirë një kafe, por gjithmonë jemi simpatizuar, vlerësuar ndërsjelltësisht dhe kemi komunikuar vazhdimisht. Gazetën “Liberale”, sythin e ri mediatik shqiptar të një grupi intelektualësh liberalë, Vladimir Myrtezai e ka nderuar me ciklin e shkrimeve të tij në rubrikën “Universitas” të fundjavës, cikël të cilin mezi e pres, dhe më lë gjithmonë ndjesinë e mosngopjes në lexim sa herë që përfundoj recetën e përjavshme metropolitane të Myrtezait.
Kur Vladimir Myrtezai më kërkoi që të bëja parathënien e librit që do përmbledhë të gjitha këto shkrime, mendova se çdo lexues tjetër do të ketë ndjesinë e së plotës, kur të marrë e të lexojë të gjithë ciklin, gjë që përbën në unitet shprehjen nëpërmjet fjalës të një artistiti të rëndësishëm të arteve pamore.
Le të merremi vesh: Në fundin e viteve ’80 e këtej, Vladimir Myrtezai, artisti i arteve pamore, artisti i artit modern ka qenë pjesë e avantgardës së artit shqiptar, që në vetvete kanë qenë pjesë e avangardës kulturore, sociale dhe madje politike shqiptare. Ky individ, i cili ka ruajtur në mënyrë të paprekur e të vazhdueshme tiparet e artistit dhe pedagogut legjendar në Institutin e Arteve në atë kohë, në të vërtetë përfaqëson një fenomen, i cili ia vlen të analizohet deri në fund të këtij teksti modest hyrës.
Ajo që spikat është një kundërthënie: ky njeri, që vjen nga bota e arteve pamore ka një alternativë shprehëse, që është fjala. Zakonisht, fjala është e gazetarëve, shkrimtarëve, filozofëve, kurse piktura, vëllimi apo elementë të tjerë pamorë janë të artistëve pamorë. Paradoksalisht, Ladi i zotëron që të dyja këto shprehi. Nuk jam një specialist i arteve, por jam një njohës i tekstit dhe i fjalës, nga i cili ka nisur takimi im me Vladimir Myrtezain.
Tiparet e tekstit të Vladimir Myrtezait
Hapet skena. Në Akademinë e Arteve, gjatë viteve ’80 e këtej gëlon një grup artistësh të rinj me pedagogun e ri Edi Rama etj., të cilët janë kontestatorë, sherrxhinj, thyerës të tabuve, në një farë mënyre poterexhinjtë e Tiranës, si pjesë lindore e viteve ‘80. Në pjesën veriore është Kinostudioja, në pjesën perëndimore është Lidhja e Shkrimtarëve, çka e bën aksin e bulevardit të asaj kohe të lëvrinte me këto rryma dhe këto fenomene që mbartin një Shqipëri socialiste të izoluar, por që pret një shpërthim, një kulmim ose një çlirim.
Në këtë sens, grupi i arteve pamore kërkon të shprehet me gjeste, akte, seminare, me replika, mbledhje departamenti deri me historitë rozë, ku në njëfarë mënyre e gjithë kjo kulmon me fillimin e viteve ’90, me “Refleksionet” në Akademinë e Arteve, ku pedagogë dhe studentë tashmë janë bërë njësh në shumë plane, sidomos në atë të ideve. Kërkohet një “botë re”, kërkohet një mënyre e re të menduari, kërkohet gjithçka tjetër nga socializmi.
Në këtë grup është patjetër edhe Vladimir Myrtezai, por gjithmonë i tërhequr dhe aspak protagonist në stilin e zhurmshëm, sepse protagonist të këtij stili ka të tjerë në këtë grup. Vladimiri vazhdon dhe ruan istikamin e vet, auditorin, studion dhe një kënaqësi në kundrimin e botës. Vitet dhe dekadat kalojnë, Vladimir Myrtezai kërkon të shprehet, tashmë me anë të tekstit. Qoftë libri i parë, qoftë tekste të ndryshme, por në veçanti tekstet e fundit e rendisin Myrtezain në një përkufizim i cili nuk do të ishte i tepërt. Ai shkruan tekstin më të mirë të grupit të artistëve pamorë të rrethit të ish-Institutit të Lartë të Arteve. Jo vetëm se është i talentuar, jo vetëm sepse ka finesë, por sepse energjia e tij ka kumtuar këtu, tek arti i tij dhe te fjala. Ndërkohë të tjerët, përfshi edhe Edi Ramën, pjesëtar dhe protagonist i këtij grupi, janë marrë me shumë punë të tjera, si pushteti lokal dhe ai qendror, me partinë apo qeverinë, me luftëra apo me beteja të tjera personale apo publike.
Kështu, sinteza dhe sublimimi edhe nëpërmjet fjalës së Myrtezait është i dorës së parë. Pa dyshim që ai është një shkrimtar. Portretet, tipizimet, fenomenet që ai përshkruan janë lehtësisht të gjalla dhe janë ndihmuar edhe nga imagjinata e tij si artist. Personazhet e tij duket sikur lëvizin, janë në një dimension 3D, pothuajse i shikon kur lexon tekstet e tij. Në njëfarë mënyre ata ndërtojnë ose qarkullojnë në një skenografi që është jeta urbane e Tiranës së 3-4 dekadave të fundit.
Tiparet e tekstit të Myrtezait janë një stilistikë e konsoliduar, me ekonomi fjale, një përputhje e kuptimit dhe e përshkrimit, çka do të thotë se me pak fjalë, pa e njohur dhe pa e ditur personazhin ai na ngjan i afërt, i qartë në fenomenet e tij dhe i pashlyeshëm në tendencën apo fenomenin që ai përfaqëson.
Duke ngulmuar te teksti i Ladit, çka është edhe qëllimi i këtij libri, një kombinim i teksteve të botuara përgjatë dhjetëra javëve në gazetën “Liberale”, mund të themi se në arkeologjinë e nesërme të tekstit shqip, këto tekste do të jenë të paevitueshme për të kuptuar një nën-botë, një midis-botë apo një mbi-botë nga ai që përshkruan kronikën e ditës së këtyre dekadave të fundit; kjo sepse Vladimir Myrtezai, me syrin e tij prej përshkruesi, por edhe me aftësinë për ta hedhur në tekst ka kapacitetin që të na japë një botë dhe një qytetërim, gjurmët e të cilit do të ishin me siguri të zhdukura pa këtë tekst.
Pse fjala është një ambicie e Myrtezai?
Ndoshta sepse duke qenë aplikues i artit modern dëshiron që me drejtpërdrejtësinë që ka gjuha si kuptim të lërë një shenjë po aq ambicioze në kulturën tonë publicistike, sa vetë veprat e tij të artit modern. Po ashtu, “atij nuk i del e keqja” pa i treguar të tjerëve atë vibrim që pati ky mjedis, grupi i Institutit të Lartë të Arteve, si dhe më tej si Akademia e Arteve, me një ndikim shumë të madh në jetën publike shqiptare dhe më tej, duke prodhuar fenomene të rëndësishëm kulturorë, madje edhe fenomene me natyrë politike.
Në fakt, Ladi është vetë një personazh. Ai është insistues në rutinën e tij, duke mos dalë nga takti i tij krijues, gjë që është një kontradiktë në vetvete, sepse krijimi nuk ka rutinë, madje rutina është antinomi e krijimit. Ai ka të njëjtin vend pune, ka të njëjtët kolegë, ka të njëjtët miq, ka të njëjtët shokë, nuk i ka ndryshuar, nuk e kanë sfumuar. Ai i ka parë nga sensi i tij i hollë i vëzhgimit prej artisti: kalimin, ngritjen, rënien apo ikjen përgjithmonë nga skena të personazheve; ndërsa ai është gjithmonë aty, duke dëshmuar se një artist ka mundësi, madje në një farë mënyre ka për detyrë që të komunikojë atë çfarë ndodh rreth tij, jo thjesht me artin e tij bazë.
Vladimir Myrtezai është profesor i dhjetëra brezave. Ai e ka lënë shenjën e tij në fillesat krijuese ose te zbulimi i talentit të shumëkujt që ka kaluar në atë shkollë të bekuar dhe të mallkuar, por gjithsesi me një histori unike për artin shqiptar. Personazhi i Lad Myrtezait, prania e tij në shumë mjedise, duke filluar nga zemra e grupit të arteve të viteve ’80 është e denjë për të merituar një libër tjetër, një libër më vete. Për momentin ai e nxjerr veten nga skena duke vendosur në të personazhe, fenomene apo ilustrime të asaj çfarë ka ndodhur. Tani për tani ai preferon të jetë autor, por, në fakt, pjesa e parafundit, duke bërë gjithë këtë skenografi, duke qenë në prapaskenë nëpërmjet tekstit të tij, pak nga pak ai vjen dhe bëhet personazhi. Duke folur për kaq shumë personazhe dhe për kaq shumë fenomene të një sub-kulture shumë interesante, lulëzuese nga pikëpamja e vibrimit të jetës dhe të artit, ashtu si në një prej tregimeve të famshëm të Márquez-it, “E shenjta”, në të vërtetë pak nga pak ai vjen dhe skicohet si vetë personazhi, vetë personazhi i personazheve të tij, dhe në një farë mënyre si pika lidhëse e personazheve të tij përmes jetës së tij. Të gjithë personazhet, ngjarjet e fenomenet kthehen në ilustrim të personazhit të Vladimir Myrtezait.
Shqipëria është një vend i vogël, i prapambetur, kështu ka qenë gjithmonë. Antenat e jetës së zhvilluar perëndimore apo lindore, ç’rëndësi ka, kanë ardhur të vona, të zbehta dhe të përkohshme. Lufta dhe beteja e vërtetë e Myrtezait është përpjekja për të mbetur (kundrejt të gjitha rrethanave) një personazh metropolitan. Pa Lad Myrtezain dhe grupin e të ngjashmëve të tij, pa veprën dhe jetën e tyre, pa tekstet e tij ne do ta kishim shumë të vështirë ta dallonim, ta shijonim dhe ta dokumentonim fenomenin metropolitan shqiptar, që të paktën është zhvilluar në një mjedis: rrethin e artistëve të Institutit të Lartë të Arteve. /Gazeta Liberale