Kryesore

“Kryqat e Minarat e ngurta” , një festival për autorin shqiptar

               Publikuar në : 10:31 - 05/10/20 liberale

Kryqat e Minaret e ngurta, një varg i marrë nga poezia e Migjenit “Kënga e Mjerimit”, do të jetë motoja e Festivalit të Letërsisë që hap siparin sot në Tiranë organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Festivali do të bëjë bashkë përgjatë 5 ditëve nga data 5 deri më 10 tetor emrat e njohur të letërsisë shqipe por dhe autorët e rinj që zënë hapësirën më të madhe të aktiviteteve të këtij festivali.

“Kryqat e minaret e ngurta kërkon të hapë minaret e ngurta të kohëve që po jetojmë përmes dialogut dhe leximeve. Por minaret simbolizojnë dhe botën e madhe letrare, që shpesh duket e ngurtë për shkrimtarët e rinj që janë dhe pjesa më e madhe e të ftuarve në këtë festival”, thotë Alda Bardhyli drejtore e QKLL.

Festivali do të hapet me shpalljen e 21 kandidatëve për çmimin Laureati shqiptar për të vijuar më pas me një panel për poezinë bashkëkohore shqiptare ku poetët Romeo Collaku, Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro do të vijnë në një dialog me njëri tjetrin.

Në orën 18.00 do të jetë poetja Ledia Dushi e cila do të vijë në një tjetër dialog mbi poezinë.

Në ditën e dytë të Festivalit do të jenë të rinjtë të cilët do të dialogojnë për pragun e prozës shqipe. Babeta Rexhepi, Alban Tufa, Enea Ruci, Emiliano Shabani dhe Ermal Lala do të vijnë në një dialog me gazetarin Blendi Salaj.

Më orën 18.00 do të jetë poeti  Prec Zogaj që do të flasë për lirizmin në vargjet shqipe me gazetaren Fatmira Nikolli.

Të rinjtë do të jenë në një tjetër panel. Tre fituesit e Fondit të të Rinjve nga QKLL, Besart Kadia, Tobias Xhaxhiu dhe Suad Arilla, do të flasin për sprovat e tyre të para në letërsi.

Letërsi paralele është një tjetër temë interesante mbi letërsinë shqipe e zgjedhur nga gazetarja Arta Marku. Ajo ka zgjedhur dy autorë bashkëkohorë shqiptarë, Ylljet Aliçkën dhe Enkel Demin për të dialoguar me këtë temë.

Tregimi i ri shqip do të vijë përmes takimit me shkrimtarin e ri Ervin Nezha fitues i konkursit Libri i Karantinës.

Nuk do të mungojë dhe tema e totalitarizmit në letërsi në dialogun që Agim Baci do të bëjë me Jonila Godolen për romanin e saj “Puthjet e udhëheqësit”.

Zef Zorba në këtë 100 vjetor nuk kishte si të mungonte në këtë festival përmes referimeve të Viola Isufajt dhe Alda Bardhylit, njohëse të mira të krijimtarisë së tij.

Letërsia në karantinë do të jetë pjesë e festivalit, përmes rrëfimit të poetit dhe shkrimtarit Besnik Mustafaj me gazetaren Jetona Kocibelli.

Festivali është vetëm një nga aktivitetet që hap siparin e një muaji kushtuar librit.

“Tetori është një muaj i rëndësishëm për letrat shqipe pasi do të na kujtojë gjithnjë ditëlindjet e tre personaliteteve të njohura që kanë bërë historinë tonë letrare si Migjeni, Gjergj Fishta dhe Dritëro Agolli.

Tre poetë që përfaqësojnë tre periudha të ndryshme të historisë sonë, si rilindjen kombëtare, modernen e hershme (1932-1935), e të vonë pas viteve 70-të e lidhin këtë muaj në mënyrë të natyrshme me poezinë”, thotë Alda Bardhyli duke treguar se përgjatë gjithë muajit do të ketë aktivitete ku në fokus do të jetë libri dhe autori shqiptar.

“Më 15 tetor shkrimtarja Helena Kadare do të jetë e pranishme në hapësirat e QKLL në një aktivitet kushtuar krijimtarisë së saj.

Bashkë me ambasadën franceze gjatë këtij muaji do të kemi një aktivitet mbi politikat franceze të librit në Shqipëri, ndërsa do t’i bashkohemi tetorit gjerman me një aktivitet homazh për tri figura të njohura të përkthimit nga gjermanishtja si Robert Shvarc, Ardian Klosi dhe Afrim Koci.

Eshtë Festivali i të Rinjve organizuar nga Instituti i Librit dhe Promocionit, shkrimtarja Flutura Acka do prezantojë librin e saj të fundit me lexuesit, do të organizojmë një konferencë shkencore për Gjergj Fishtën, si dhe mbrëmje me poezitë e Migjenit dhe Dritëro Agollit, etj. Do jetë një muaj ku pasioni për librin do të jetë më i pranishëm”, thotë Bardhyli. /Gazeta Liberale

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back