Editorial

Krishtlindjet dhe a mund të ofrojë shteti lumturi?

Shkruar nga Liberale
Krishtlindjet dhe a mund të ofrojë shteti lumturi?

Anjeza Xhaferaj

Me afrimin e Krishtlindjeve dhe përgatitjet e besimtarëve për festime vjen edhe njoftimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për kufizimin e lëvizjeve nga ora 20:30 deri në 6:00, gjë që sipas Arkipeshkvit të Kishës Katolike konsiderohet si një vendim i nxituar dhe diskriminues për besimtarët katolikë duke qenë se këta të fundit janë të vetmit që e festojnë lindjen e Krishtit natën. Në fakt vështirë të mos biesh dakort me fjalët e Arkipeshkvit. Për komunitetin katolik, ceremonia ka vlerë të rëndësishme dhe i drejtohet shpirtit: paqes dhe lumturisë, aq të nevojshme për njeriun.

Përkundër arbitraritetit me të cilin u vendos, me shumë gjasa pa u konsultuar me institucionin në fjalë, na del parasysh gjithë debati për djegien e pemës së krishtlindjeve (asaj kryesores në mes të qytetit) dhe se sa sa e dëmshme ishte kjo vepër ‘barbare’ për lumturinë e fëmijëve, veçanërisht në këto kohë të vështira të pandemisë. Në fakt, po të bësh një kërkim të thjeshtë në internet në lidhje me pasojat e COVID-19, do të të shfaqen gjithfarë sugjerimesh: ‘6 mënyrat për të gjetur gëzim në këtë dimër monoton’, “50 aktivitete gazmore Krishtlindjesh që do t’ju mbajnë të angazhuar këtë sezon’, ‘21 Ide për të festuar Krishtlindjet në karantinë për të patur festime të bukura’, ‘52 aktivitete gazmore Krishtlindjesh që duhet të jenë në listën e dëshirave (Bucket List) të familjes suaj’ e të tjera të ngjashme me këto. Idetë sugjerojnë dekorimin e shtëpisë në maksimum, organizimin e një vizitë virtuale të Santës ose të Znj. Klaus, party me pizhama (mundesisht matchy-matchy), të kënduarit e këngëve të krishtlindjeve, hapja e dhuratave në Zoom (përmes opsionit të background mund të zgjidhni të shkoni ku të doni), shikimi i arrëthyesit online, një shëtitje në ambjentet me drita diku në qytet etj., etj. Lista është vërtetë e gjatë por, nuk mund të mos vësh re që reduktohet tek dekori, tek spektakli duke humbur kështu përmbajtjen, thelbin e eventit.

Ndalesa, në fakt na vë  në dukje zhvendosjen e diskurit politik nga mirëqenia dhe lumturia me të cilën politikë-bërësit  në Perëndim filluan të merren seriozisht në vitet ’90-të, drejt sigurisë. Më tepër se zhvendosje mund të quhet një kthim mbrapsht aty ku ka qenë më parë, ateherë kur shteti të mbronte nga armiqtë e jashtëm apo të brendshëm, të cilët varionin sipas përkufizimeve të rastit, gjithmonë të bëra nga shteti në emër të mbrojtjes së jetës. Në rastin tonë, armiku është i padukshëm: një virus që qarkullon i lirë, të cilit duhet t’i ndërpresim zinxhirët e komunikimit përmes distancimit nga njeri-tjetri. Statistikat me shifrat në ulje të infektimeve dhe në rritje të fataliteteve na ofrojnë mundësinë për të përkufizuar ‘problemin’ që duhet zgjidhur në një mënyrë apo në një tjetër. Ato mund edhe të synojnë të të bindin se po të ofrojnë mirëqenie, por a është vërtetë e tillë? P.sh. në librin e tij ‘Higjena Raciale –Mjekësia në Regjimin Nazist’, historian amerikan Robert Proktor komenton përpjekjet e regjimit nazist për të nxitur një jetesë të shëndetëshme përmes mjeteve të propagandës – pamfletet, radioja, kinemaja etj. Në këto përpjekje u mobilizuan shkencëtarët dhe madje edhe yje të sportit dhe kinemasë. Regjimi gjithashtu nxiste konsumin e ushqimit të  shëndetshëm dhe natyror, pa ngjyryes ushqimor apo lëndë konservuese, një ushqim të varfër në yndyrë dhe të pasur në fibra. Qytetarëve u bëhej gjithashtu thirrje që të ulnin në minimum konsumin e mishit dhe të rrisnin konsumin e perimeve si dhe të hiqnin dorë sa të qe e mundur nga përdorimi i kafesë, alkoolit dhe duhanit. Madje edhe vetë Fyhreri hoqi dorë nga duhani ashtu si Musolini dhe Franko (ndryshe nga Stalini, Çurçilli dhe Rusvelti gjerësisht të fotografuar duke pirë duhan).  E megjithatë, tashmë nuk ka asnjë dyshim se regjimi nazist ishte larg të qenit një shtet i mirëqenies sociale dhe ca më pak i sigurisë.

Edhe pse krahasimi mund të duket ekstrem (dhe deri diku është), analogjia shërben për të treguar se statistikat edhe pse të nevojshme (shteti modern lind me statistikat) nuk mund të jenë zgjidhje për gjithçka, ca më pak të përkufizojnë saktë – me gjithë pretendimin që kanë – një problem dhe për pasojë nuk mund të informojnë saktë politikë-bërjen. Në betejën mes shpirtit dhe fizikes, shteti ka zgjedhur fiziken dhe për këtë nuk ka dyshim. Tentativat e dy dekadave të fundit për të gjetur indeksin e lumturisë mbeten megjithatë tentativa. Në çfarëdolloj momenti krize e dileme, shteti do të kthehet tek siguria duke sakrifikuar lumturinë, gjithmonë opsion për një të ardhme të panjohur. Ama në  periudha krizash, paqja shpirtërore është kyç (në mos më besoni, mjafton të konsultoni aradhën e gjatë të sugjerimeve të shumta që të ofron google si të luftojmë stresin në pandemi dhe se sa e rëndësishme është qetësia e mendjes për të përballuar me sukses virusin). Por paqja e lumturia shpirtërore i përkasin një fushe tjetër. Nuk ka meshë online që të zëvendësojë atë të vërtetën.  Me shumë gjasa, besimtarët nuk do të donin as 21 apo 52 idetë për të patur Krishtëlindje të lumtura, por vetëm një dhe kuptimplotë. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH