Ajo deklaroi se janë përforcuar masat në kufi dhe apeloi që të gjithë ata që udhëtojnë drejt apo nga zonat e prekura të njoftojnë për çdo shqetësim.

“E di që të gjithë e keni mendjen atje. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që udhëtojnë, të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo shqetësim shëndetësor. Në aeroport ndodhet njësia e inspektoratit sanitar e përbërë nga mjekë e personel shëndetësor. Virusi në asnjë vend të botës nuk mund të ndalet në aeroport. Ka shumë diskutime për skanerat, për temperaturat. Por nga të gjitha studimet është treguar se ato nuk kanë ndonjë vlerë në kapjen e hershme. Kapja e hershme vetëm nëpërmjet sistemit shëndetësor. Shqipëria është një vend që ka një eksperiencë shumë të mirë në gjurmimin e kontakteve. Javës që shkoi provuam një testim të vetes sonë për të parë sa shpejt i kapim kontaktet. Sepse është e rëndësishme kapja e kontaktit dhe më tej marrja e masave për izolimin”, tha Bino.

Ajo sqaroi më tej se karantina është vend për të shëndoshët dhe iu kërkoi qytetarëve të kenë besim tek autoritetet.

“Në qoftë se kemi një kontakt me të sëmurin, ai sipas kushteve futet në vetëkarantinë, në qoftë se kushtet e tij e lejojnë ose futet në një karantinë të përcaktuar mirë, e cila është e përcaktuar në momentin që flasim dhe është një strukturë spitalore. Kemi përzgjedhur një strukturë spitalore për kushtet e mira.

Janë përzgjedhur dhe struktura të tjera që i plotësojnë këto kushte. Kemi përcaktuar rregullat qoftë për karantinën në shtëpi, qoftë për në struktura të tjera.

Është normale që njerëzit të kenë frikë por nuk duhet të ketë panik. Kini besim tek strukturat, kini besim tek ne dhe tek mua që po flas sepse shpesh e shoh që ka dyshime”, deklaroi Bino, e cila shpjegoi se koronavirusi merret nëpërmjet spërklave të pështymës dhe jo frymëmarrjes.