Kryesore

Koronavirusi dhe të sëmurët kronikë

               Publikuar në : 12:42 - 25/03/20 Isuf Kalo

Nga Prof. Dr. Isuf Kalo

Coronavirusi po vret edhe tek ne. Masat e duhura për të bllokuar ose minimizuar përhapjen e tij janë thënë dhe përsëritur me ngulm nga qeveria, Ministria e Shëndetësisë, specialistët e infeksionit, dhe mediat. Ato duhen konsideruar imperative dhe jetësore.

Shpresat e kalimit të Covid-19 në forma të lehta sidomos në moshat e reja dhe tek qytetare pa sëmundje konike nuk duhet të na gënjejnë. Mundësitë e përfundimit fatal të sëmundjes janë tek cilido. Është ngushëllues fakti që gjashtë të sëmurë rëndë nga coronavirusi të shtruar në spitalin tonë infektiv mundën të shërohen. Kjo falë kujdesit me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë të personelit mjekësor. Mirë po ndërkohë pesë të tjerë prej tyre humbën jetën megjithë përpjekjet dhe kujdesin e shkëlqyer intensiv spitalor.

Mesazhi është i qartë: Secili prej nesh që të jetë i sigurt për jetën duhet t’i shpëtoj prekjes nga virusi. Nuk ka tjetër mënyrë dhe as tjetër siguri.
Ndërkohë zhvillimet e pandemisë kanë evidentuar se humbjet e jetëve njerëzore, që ai shkakton janë shumë më të shpeshta tek personat e moshuar që vuajnë njëkohësisht nga sëmundje kronike shoqëruese si dobësi e zemrës, hipertension arterial, diabet, obezitet, sëmundjet kronike të mushkërive, ast’hma bronkiale, sëmundjet kronike të veshkave, sëmundjet autoimune, depresioni mendor etj.

Si shkak për këtë besohet imuniteti paraprakisht i dëmtuar i tyre, nga ato sëmundje prej mjekimit jo korrekt, dhe stilit jo të shëndetshëm të jetës, çka dobësojnë reagimin e organizmit ndaj virusit. Ndërkohë në kushtet e vetizolimit në shtëpi situata shëndetësore e pacienteve të tillë mund që bëhet akoma më vulnerabel.

Stresi, mbyllja brenda, pa aktivit fizik, vështirësitë e respektimit të dietës, ndjenja e vetmisë e braktisjes prej ndërprerjes së vizitave dhe komunikimit me mjekët që deri atëherë i kanë ndjekur apo edhe pamundësia e kontaktit me njerëzit e dashur të afërm të tyre mund që shprehen me keqësimin e parametrave të gjendjes shëndetësore si rritje e shifrave të tensionit arterial, rritje e glicemisë, prishje e humorit, e gjumit, shtimi duhan pirjes, pasiguri çrregullime të oreksit, vështirësi për respektimin e higjienës trupore etj.

Vetvetiu pacientëve të tillë u lindin pyetje lidhur me mënyrën e zbatimit të mjekimit, adaptimin e tij në rrethanat e reja. Për fat të keq ata përgjithësisht nuk janë edukuar dhe aftësuar për të vetmenanxhuar sëmundjen e tyre kronike në kushtet e shtëpisë. Kultura shëndetësore qytetarëve tanë është e ulët.

Faji nuk është aq i tyre sesa i vet sistemit shëndetësor që tradicionalisht e ka anashkaluar këtë nevojë. Tani pacientëve të ngujuar u duhet një mendje që t’i udhëzojë. Vetëm pak prej tyre kanë kompjuter dhe akses në internet për udhëzime online.

Vetë sistemet shëndetësore përgjithësisht nuk e kanë patur prioritet kujdesin ndaj të sëmurëve në shtëpi. Tempulli i lavdisë e krenarisë së tyre kanë qenë e janë spitalet dhe qendrat shëndetësore ambulatore të paijsur me profesionistë me barna të kohës dhe teknologji moderne. Kjo është e justifikueshme për përballjet e tyre me sëmundjet akute dhe urgjente të cilat nuk mund të mjekohen e të shërohen ambulatorisht. Por jo për sëmundjet kronike, të cilat nuk shërohen dot plotësisht në spital dhe pacientet edhe pas daljes nga spitalet i marrin në shtëpi me vete gjatë gjithë jetës së tyre të pashëruara përfundimisht.

Në fakt “Home care” dhe“ Self care“ janë pista potenciale të cilat po të shfrytëzohen seriozisht në mënyrë të mirë organizuar, munden ta lehtësojnë ndjeshëm barrën e spitaleve dhe të personelit mjekësor me anë të kontributit të vet qytetarëve të sëmurë dhe të familjareve të tyre.

Shtëpia, veç të tjerash është padyshim edhe qendër gjigande shëndetësore me potenciale të mëdha burimesh njerëzore. Në jetën e përditshme në të kryen një numër pafund procedurash në dobi të ruajtjes e të mirëmbajtjes së shëndetit personal të qytetareve ashtu dhe në ndihmë të pjesëtarëve të sëmurë të familjes. Me goditjen që pësuan sistemet shëndetësor e nga Covid-19 po rrezikojnë kudo të bien në kolaps prej pamjaftushmerisë të stafit profesional dhe të ambienteve spitalore. Asnjëherë sa tani nuk e kanë ndjerë nevojën që të ndihmohen në partnership nga qytetarët. Strukturimi dhe fuqizimi i vetmjekimit i pacientëve me sëmundje kronike në shtëpi është një opsion për t’u konsideruar me përparësi.

Shembulli se si tek ne një numur i pacientëve me diabet e vetëmenanxhojnë, monitorojnë dhe e vetadaptojnë me sukses sëmundjen në kushtet e shtëpisë vlen per t’u shtrirë në mënyrë të strukturuar si pjesë integrale e sistemit edhe ndaj të sëmurëve të tjerë kronikë.

Në rrethanat e pandemisë së Covid-19 është rasti që ky potencial të shfrytëzohet ndaj sëmurëve kronike, të moshuar dhe të vetizoluar me shpresë që t’i ndihmoj sado pak ata që do prekën nga virusi ta përballojnë sëmundjen më lehtë, dhe me minimum letalitet.

Ministra e Shëndetësisë disponon tashmë një material me udhëzime të hollësishme specifike i hartuar posacërisht nga specialistet respektiv për qytetar të tillë të vet izoluar, të prekur ose jo nga coronavirusi që vuajnë një apo disa nga sëmundjet shoqëruese kronike. Paralelisht me këtë do deklarohen publikisht numrat e telefonit të mjekëve të familjes dhe të specialisteve përkatës çka do ju rivendos pët të sëmurë të tillë urat e kontaktit përkohësisht të vështirësuar ose të ndërprera me ta.

Fuqizimi i një praktikë të tillë mund t’i shërbejë këtij kontingjent si dritare mundësie suplementare për të vetadaptuar mjekimin, për t’iu forcuar imunitetin dhe minimizuar humbjet e jetës së tyre të kërcënuara frikshëm nga kjo pandemi.

Së bashku;qytetarë, pacientë dhe mjek do jemi më të fortë! /Gazeta Liberale

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back