Gjatë 24 orëve të fundit, Policia ka ushtruar kontrolle në të gjithë vendin dhe ka arrestuar 7 mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët, 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 2 për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Shumë shoferë janë konstatuar me shpejtësi përtej limitit të lejuar nga 134 km/h në rrugën interurbane Tiranë – Elbasan deri në 161 km/h në Rrogozhinë – Kavajë si dhe drejtues që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Ndërsa të tjerë janë konstatuar duke i dhënë makinës me telefon në dorë.
Nga kontrollet e orëve të fundit, janë pezulluar 39 leje drejtimi, nga të cilat 26 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Po si rezultat i kontrolleve dhe denoncimeve të adresuara nga qytetarët në Komisariatin Dixhital dhe në nr 112, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1046 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, kryesisht për parakalime të gabuara, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, për mos vendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, për shpejtësi tej normave të lejura, por pa sanksionin plotësues atë të pezullimit të lejes së drejtimit.