Sociale

Kontarata e sigurimit në të drejtën rumune dhe shqiptare

Shkruar nga Liberale

Kolana e UET Press

Autore: Silvana Bello

Titulli: Kontarata e sigurimit në të drejtën rumune dhe shqiptare

Parathënie

Prof. univ. dr. Ion Dogaru*

Qasja e autores, doktor në drejtësi, Silvana Bello, e përmbledhur në këtë libër, përbën për mua një motiv të dyfishtë kënaqësie.

Së pari, për të vlerësuar autoren dhe përpjekjet e saj shkencore, duhet që punimi i saj t’i bëhet i njohur të gjithë të interesuarëve, nëpërmjet botimit të tij.

Së dyti, sepse në qasjen e autores dhe zhvillimin e idesë së saj gjen konfirmim një pikëpamje e imja e kahershme, e cila lidhet me binomin – jeta e njeriut, nga njera anë dhe e drejta civile së bashku me një prej instituteve të saj juridike themelore, kontrata, nga ana tjetër.

Në parathënien e punimit “Kontrata – Konsiderata teorike dhe praktike” në lidhje me personat fizikë, theksoja: “E gjithë jeta e njeriut, që nga lindja, ose që lidhen me këtë moment dhe deri në vdekje, por edhe sa i përket vetë kësaj ngjarjeje, e lidhur me trashëgiminë, rregullohet në aspektet e saj thelbësore nga normat e së drejtës civile”.

Lidhur me personat juridikë, në parathënien e të njëjtit studim vija në dukje se “Institutet juridike i përkasin kësaj dege të së drejtës, e përbashkët në një masë të rëndësishme me rregullimin e jetës së personit juridik, nga themelimi, ose që lidhet me këtë proces dhe deri në shuarjen e tij nëpërmjet riorganizimit apo likuidimit, madje edhe sa i përket pasojave që rrjedhin nga këto masa”.

Kontrata, si institut juridik themelor që i përket, në radhë të parë, degës së të drejtës civile, në të njëjtën parathënie, konfigurohet përgjithësisht në këtë mënyrë: “Burim detyrimesh civile, KONTRATA i siguron veshjen juridike lidhjeve nga më të shumëllojshmet ndërmjet degëve, që nga më të thjeshtat, të cilat falë objektit të tyre në dukje të parëndësishëm shfaqen aq natyrshëm dhe pa kurrfarë vështirësie interpretimi për çdo subjekt të së drejtës, dhe deri tek degët më komplekse, të cilat kanë të bëjnë me planifikimin dhe realizimin e ekonomisë kombëtare.

Si instituti juridik më i rëndësishëm për nga frekuenca, por edhe nga kompleksiteti i teknikës juridike dhe rregullave të veta ligjore, kontrata përbën pa dyshim «laboratorin» e teorisë së përgjithshme të detyrimeve civile, mënyrën se si përthyhen të gjitha institutet e tjera juridike të së drejtës së detyrimeve, dhe ndonjëherë, vetë rregullat e këtij instituti të së drejtës lidhen, ose plotësohen me ato që qeverisin pajtimin e vullnetit të palëve, me qëllim për të prodhuar efekte juridike”.

Ndodh kështu që, ajo që unë vlerësoja 34 vite më parë, haset në qasjen e autores, në librin, të cilit po i shkruaj parathënien dhe që i dedikohet një kontrate të veçantë dhe shumë të rëndësishme, kontratës së sigurimit.

Pas prezantimit të pjesës hyrëse, autorja vijon me historikun e veprimtarisë së sigurimeve, veprimtari me natyrë tregtare dhe arrin të zbërthejë nocionin e sigurimit së bashku me elementët e tij të veçantë. Në vazhdim, ajo trajton problematikën e kontratës së sigurimit, duke u ndalur gjërësisht mbi kategoritë e ndryshme të kësaj kontrate, në raport me veprimtarinë e sigurimit.

Në fakt, ndodhemi përpara një përpjekjeje shkencore krahasuese në disa plane.

Pikësëpari, si e drejta rumune edhe ajo shqiptare përmbajnë regullime të reja ligjore, përsa i përket kontratës së sigurimit, çka bën që autorja të analizojë në mënyrë krahasuese kuadrin ligjor para hyrjes në fuqi të Kodit Civil rumun, me rregullimet ligjore në Ligjin e ri Civil. Në të njëjtën mënyrë ajo vepron edhe në rastin e të drejtës shqiptare, teksa analizon dallimet midis Kodit Civil të mëparshëm dhe Kodit Civil aktual.

Metoda krahasuese është përdorur në një plan më të gjërë, duke përmbledhur ngjashmëritë dhe dallimet e fushës në të drejtën e sigurimeve të Rumanisë, vend anëtar i Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, vend që aspiron të integrohet në B.E.

Analiza përshkon më pas rregullimet ligjore në të dyja vendet për secilin tip kontrate, në përputhje me llojin e veprimtarisë së sigurimit.

E gjithë përpjekja shkencore konkretizohet tek problemet kryesore teorike dhe praktike, sikurse edhe mbi elementët specifikë të së drejtës së sigurimeve në të dy vendet, duke vënë theksin në rastet e praktikës gjyqësore, sidomos të qëndrimit të gjykatave të nivelit të lartë.

Jemi të mendimit se ndodhemi para një punimi që sjell risi jo vetëm përmes “shtyllës” së tij – e drejta e sigurimeve, por edhe të mënyrës se si autorja analizon edhe një sërë institutesh juridike të së drejtës private (e drejta civile, e drejta tregtare, e drejta ndërkombëtare private madje edhe e drejta e familjes) për të mbështetur pikëpamjet dhe konkluzionet e arritura prej saj. Në këtë mënyrë, autorja vlerëson – në mënyrë krahasuese - doktrinën e të dyja vendeve dhe jo vetëm kaq, por edhe praktikën gjyqësore në këtë fushë. Është prova e guximit të autores, e kryer në një fushë, në të cilën diakronia (lëvizshmëria) e së drejtës është më e lartë, krahasuar me sinkroninë (qëndrueshmërinë) e saj.

Autorja arrin në përfundimin se rregullimet e fundit ligjore të kontratës së sigurimit në të drejtën shqiptare nuk janë homogjene dhe të kompletuara, ndaj ajo bën propozime të rëndësishme legjislative (de legea ferenda).

Nga trajtimi i temës, në mënyrë të veçantë të së drejtës rumune të sigurimeve, autorja arrin të bëjë lidhjen midis kontratës së sigurimit, nga njera anë dhe të drejtave dhe lirive themelore, nga ana tjetër.

Në këtë kontekst, konsiderojmë me vlerë faktin që autorja, nëpërmjet analizës së kontratës në fjalë, ia del të bëjë lidhje midis saj dhe të drejtave dhe lirive themelore:

nëpërmjet kontratës së sigurimit të personave bëhet lidhja me të drejtën themelore për jetën dhe integritetin fizik dhe psiqik, parashikuar në dispozitat e nenit 22 të Kushtetutës së Rumanisë, ndërsa,

nëpërmjet të gjitha formave të tjera të kontratës së sigurimit, bëhet lidhja me lirinë individuale (dispozitat e nenit 23 të Kushtetutës), të drejtën për informim (dispozitat e nenit 31 të Ligjit themelor), të drejtën për arsimim (neni 32), të drejtën për mbrojtjen e shëndetit (dispozitat e nenit 34), të drejtën e pronës private (dispozitat e nenit 44), të drejtën e trashëgimisë (dispozitat e nenit 46), lirinë ekonomike (dispozitat e nenit 45), të drejtën për një jetesë të denjë (dispozitat e nenit 47 të Kushtetutës së Rumanisë) etj.

Ky është motivi përse ne nuk ngurojmë të shprehemi se punimi në fjalë ka karakter shumëdisiplinor, duke qenë se për të arritur në konkluzionet respektive, autorja ka apeluar në disa kategori shkencore të fushave të filozofisë dhe teorisë së përgjithshme të së drejtës, historisë, të drejtës kushtetuese, shkencave ekonomike, shkencave politike e kështu me radhë.

Më në fund, dëshiroj të theksoj se punimi që keni në dorë paraqet interes të veçantë për ata që punojnë në fushën e teorisë dhe praktikës së sigurimeve, për studentët e arsimit të lartë juridik dhe ekonomik, por edhe për studentët e shkencave sociologjike dhe politike.

Në të njëjtën kohë, studimi ngjall interes për një sferë më të gjerë të lexuesve dhe publikut në tërësi, të etur për të njohur më mirë institutet juridiko-ekonomike dhe politike themelore që lidhen drejtpërsëdrejti, ose në mënyrë të tërthortë me jetën dhe të mirat e tyre materiale.

Janë këto disa ndër arësyet që më shtyjnë ta rekomandoj me shumë kënaqësi punimin e realizuar nga Dr.Silvana Bello.

*Anëtar i Akademisë Rumune

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH