Aktualitet

Këndvështrim/ Jam shqiptar, kam frikë të jem i lumtur

Shkruar nga Liberale
Këndvështrim/ Jam shqiptar, kam frikë të jem i lumtur

Reldar Dedaj

Një ngjarje e përsëritur u shënua këtë të mërkurë në vendin tonë, sa të krijon përshtypjen se fantazia i vjen gjithmonë pas realitetit. Ironike kjo, por ç’të bësh! Kronika tregonte se drejtori i varrezave të Tufinës, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, akuzohet se kërkonte nga qytetarë të ndryshëm nga 50 deri në 200 mijë lekë të reja për një vend në varreza.

Për ata që s’u ka rënë rasti të vizitojnë varrezat e Tufinës mjafton të përfytyrojnë një skenë orientale të pikturuar shekuj më parë. Ajo mund të jetë një pikturë arabe, me gjithë legjendat e “Një mijë e një netëve”, përfaqësuar në sipërfaqen e saj; mund të supozohet të jetë edhe diç nga një libër i shenjtë që ilustron një skenë me dhjetëra ngjarje e personazhe të ndërkallura së bashku: një grup xhamish me ngjyrë të trëndafiltë pranë një muri gri që na tërheq vëmendjen, pastaj ne vazhdojmë më tej. Dita po fillon të mbledhë, drita po zbehet, ndërsa kur shkojmë më në thellësi të panelit të gdhendur e kuptojmë se aty ndodhet gjithçka që ka mbi tokë. Atë çfarë ka qenë, atë që është e atë që do të jetë, historia e së shkuarës dhe e së ardhmes, gjërat që kemi pasur dhe shumë syresh do t’i kemi, të gjitha këto ju presin në këtë labirinth tragjik, por të heshtur ama.

Aty do hasni mbi të gjitha edhe një çrregullim total të organizimit të varrezave, si nga pikëpamja e ndërtimeve, po ashtu edhe nga vendosja e tyre. Vihen re lehtësisht varre të formave dhe ngjyrave të ndryshme. A thua se, përpara Zotit, nuk do të jenë të barabartë si i pasuri dhe i varfëri. Për të mos folur më pas për vendosjen e tyre nën shtylla të tensionit të lartë dhe çuditërisht shumë pranë vendeve ku toka ka filluar të shembet. Madje në varrezat e Kamzës, thuhej se nga erozioni që kishte pësuar dheu ishte shembur një varr dhe eshtrat e atij të gjorit kishin dalë mbi sipërfaqe, duke u shpërndarë nga qentë e rrugës më pas sa andej-këndej.

Në mediat e vendit, pakkush u dëgjua të ankohej në lidhje me atë gjendje të krijuar atje, madje as se kjo është një mungesë e theksuar vëmendje e pushtetit lokal të kohës. Njeriu i shkretë edhe kur të jetë i vdekur duhet të ketë frikë se mos eshtrat ia shqyejnë qentë. Ironia është akoma edhe më e thellë, pasi nga të vdekurit nuk ka më vota dhe për rrjedhojë ata i kanë larë me kohë hesapet me buisjen e mbidheshme, ndërsa me heshtimen e nëntokshme kujdeset tjetër kush...!

Prandaj, të jesh shqiptar, duhet të kesh frikë të jesh i lumtur.

Shoqëria jonë është zhveshur jo vetëm nga morali, por edhe nga përgjegjësia. Askush nuk mban përgjegjësi më për asgjë. Ideja se njeriu kërkon të pasurohet edhe nga gropat e varreve, pa frikë mund të thuash se ka prekur fundin. Por një ngjarje e tillë në vendin tonë veçse përsëritet. Dhe fundi i këtyre njerëzve nuk po vjen. Nuk po vjen, pasi askush në vendin tonë nuk e trajton moralin si një çështje të dorës së parë.

Realisht, edukimi moral i njerëzve duhet të jetë i një rëndësie të veçantë, sepse, duke pasur parasysh edhe se vendet më të pastra moralisht, vendet më pak të korruptuara, janë edhe vendet më të zhvilluara e më të lumtura të botës dhe se vendet më të korruptuara janë edhe vendet më të prapambetura e më të zymta të botës.

Sipas Transparency International (TI), korrupsioni është një problem për të gjitha vendet, ndonëse jo njëlloj për të gjitha, madje me ndryshime të mëdha dhe ka të bëjë me ryshfetin, me mosdënimin e të korruptuarve, me marrëveshjet e fshehta midis atyre që kanë në dorë fatet e vendit etj. Korrupsioni jo vetëm që shkakton vjedhjen e të ardhurave të pjesës më të lëndueshme të popullsisë, por minon drejtësinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe dëmton besimin publik mbi qeverinë dhe udhëheqësit e saj.

Po sipas TI, ndër 174 vende të botës, vendet e para për mungesë korrupsioni i zinin këto shtatë shtete: Danimarka, Zelanda e Re, Finlanda, Suedia, Norvegjia, Zvicra, Singapori. Këto janë njëkohësisht edhe nga vendet më të zhvilluara, më të pasura dhe më të lumtura të botës. Shqipëria në atë renditje zinte vendin e njëqind e dhjetë, pra shumë poshtë mesatares botërore./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH