Aktualitet

Katër përgjigje dhe jo vetëm për fitoren e Erdogan në Turqi

Shkruar nga Liberale

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan fitoi balotazhin e zgjedhjeve të dielën, duke fituar një mandat të ri pesëvjeçar. Fitorja e tij, e cila pas raundit të parë ishte mjaft e pritshme, u arrit falë një sërë faktorësh mjaft befasues në muajt e fundit, pasi në pjesën më të madhe të fushatës elektorale, sondazhet e nxirrnin fitues kundërshtarin e tij, kandidatin e opozitës Kemal Kilicdaroglu. Ky është një rezultat elektoral që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në Turqi; por le të përpiqemi t’u përgjigjemi disa pyetjeve se si erdhi kjo fitore dhe se çfarë mund të ndodhë atje?

Pse fitoi përsëri Erdogan?

Në sytë e shumë analistëve, zgjedhjet e majit ishin dukur mundësia perfekte që opozita të mundte Erdoganin pas njëzet vitesh në pushtet. Presidenti turk u dobësua nga keqmenaxhimi i ekonomisë dhe nga tërmeti i shkurtit që preku vendin, ndërsa nga ana tjetër opozita arriti të krijojë një koalicion të madh elektoral, duke menduar se mund të fitonte nga lodhja e qytetarëve dhe dëshira për ndryshim. Por kjo nuk mjaftoi, Erdogan fitoi. Edhe pse me një diferencë të ngushtë.

Arsyeja kryesore e kësaj fitoreje është ndoshta se opozita dështoi të kapërcejë ndarjet e mëdha shoqërore dhe fetare  në vend që Erdogan, për hir të së vërtetës, ka qenë gjithmonë shumë i zoti për t’i shfrytëzuar gjatë qëndrimit të tij të gjatë në pushtet.

Që në fillim të karrierës së tij e ka paraqitur veten si mbrojtës dhe zëdhënës i atyre segmenteve të mëdha të popullsisë turke që jetojnë në zonat qendrore të vendit dhe në rajone të prapambetura ekonomikisht të lidhura ngushtë me fenë islame, larg qyteteve të mëdha, si p.sh, Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri. Votuesit e këtyre rajoneve të mëdha, si ata të Anadollit, i qëndrojnë besnikë Erdoganit prej njëzet vjetësh dhe përgjithësisht janë të bindur se vetëm ai mund t’i mbrojë idetë e tyre, pavarësisht problemeve madhore të viteve të fundit.

Megjithatë, gjatë fushatës së tij elektorale, Erdogan arriti të mobilizojë të gjithë aparatin shtetëror në favor të tij, duke arritur kështu, një shumicë të jashtëzakonshme, sa i përket shikueshmërisë dhe vëmendjes që opozita u përpoq të mbushte, duke përdorur mediat sociale.

Një tjetër arsye e suksesit të Erdogan është edhe dobësia e opozitës. Kemal Kilicdaroglu ishte i vetmi kandidat i aftë që arriti t’i mbante të bashkuar gjashtë partitë e ndryshme që përbënin koalicionin opozitar, por në të njëjtën kohë, ai edhe u gjykua pothuajse unanimisht, si një kandidat jo karizmatik.

Opozita ishte gjithashtu e paqartë në mesazhin e saj elektoral; përpara raundit të parë Kilicdaroglu e kishte përqendruar fushatën e tij mbi solidaritetin dhe respektin e të drejtave të njeriut. Ndërsa, pas rezultatit të parë, Kilicdaroglu lëvizi shumë djathtas, duke premtuar dëbimin e refugjatëve nga Turqia dhe duke u mbështetur shumë në opinione të theksuara nacionaliste.

A pati manipulime?  

Përgjigja e shpejtë është jo! Edhe pse ta japësh një të tillë sot mund të jetë e ndërlikuar dhe kjo për disa arsye. Si gjatë raundit të parë, ashtu edhe përgjatë procesit zgjedhor opozita denoncoi disa probleme në zgjedhje. Kishte disa raste presioni në disa qendra votimi nga mbështetësit e Erdoganit, njerëz që kanë votuar dy herë, etj. Megjithatë, shumica e analistëve besojnë se këto janë raste të izoluara dhe jo manipulime sistematike që mund të kenë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Në lidhje me rezultatin edhe opozita duket se është dakord, pasi pas raundit të parë të zgjedhjeve, ende nuk ka bërë asnjë ankesë formale në Këshillin Zgjedhor.

Liria për të votuar nuk ishte e cenuar, por një mendim të tillë s’mund ta kesh për fushatën. Erdogan, p.sh, favorizohej në çdo rrethanë (media dhe aparati shtetëror) dhe ku opozita duhej të bënte fushatë, atmosfera ishte shumë frikësuese. Një rast tjetër, po vazhdojnë dy procedime ligjore ndaj dy prej figurave më kryesore të opozitës, kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu dhe kreut të CHP-së së Stambollit, Canan Kaftancioglu, ku pjesa më e madhe e analistëve i konsiderojnë si tendencioze.

Imamoglu është një politikan mjaft karizmatik dhe ndoshta një kandidat më i mirë se Kilicdaroglu për Presidencën, por emri i tij u mënjanua sepse ekzistonte frika se nëse do kandidonte, gjyqi kundër tij do të përdorej si armë nga fushata e Erdoganit.

Çfarë do ndodhë tani në Turqi?

Kjo fitore i ka garantuar Erdoganit edhe një mandat pesëvjeçar, ku mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2028. Sipas Kushtetutës turke, ky duhet të jetë mandati i tij i fundit, por vetë Kushtetuta i jep atij një dritare për të qëndruar në pushtet: nëse Parlamenti (i kontrolluar nga partitë e afërta me Erdoganin) do të ndërpresë këtë legjislaturë përpara përfundimit të tij, atëherë presidenti mund të kandidojë sërish dhe të marrë një mandat të ri të plotë.

Shumë analistë janë skeptikë nëse ai do ta bëjë një gjë të tillë, pasi mendohet se një pjesë e madhe e elektoratit të tij mund ta braktiste. Megjithatë, në fjalimin e parë pas fitores, Erdogan tha: Deri sa të shkoj në varr, këtu do të jem.

Rizgjedhja e Erdoganit ka shqetësuar opozitën, pakicat etnike dhe komunitetin turk LGBT+; të gjithë kanë frikë se një president i sapolegjitimuar nga votat mund të përforcojë dhe të përshkallëzojë fushatën e tij për ta bërë sistemin politik turk gjithnjë e më autoritar dhe shoqërinë gjithnjë e më intolerante, duke iu përmbajtur parimeve islame.

Nuk dihet ende nëse kjo do të ndodhë, por ka shumë gjasa që përballja politike të mbetet e fortë edhe në muajt në vijim, sepse në mars të 2024, në Turqi, do mbahen zgjedhjet lokale.

Një shqetësim tjetër edhe më akut është ekonomia. Turqia ndodhet në një situatë problematike veçanërisht për shkak të politikave të pamatura monetare të Erdoganit, të cilat kanë shkaktuar inflacion shumë të lartë (aktualisht është rreth 50%, por ishte edhe 80%) dhe një zhvlerësim serioz të lirës turke.

Muajt ​​e fundit, për shkak të fushatës elektorale, banka qendrore turke e menaxhuar nga Erdogan ka shteruar të gjitha rezervat e saj në përpjekje për të mbështetur vlerën e lirës. Turqia ka pranuar gjithashtu kredi miliarda dollarëshe nga disa vende mike, kryesisht në Gjirin Persik, ku të gjitha paratë e marra janë shpenzuar sërish për të mbështetur lirën.

Një përpjekje e tillë ishte vetëm pjesërisht e suksesshme: vlera e lirës turke ende ra, megjithëse jo në mënyrë drastike. Pak ditë më parë kursi i këmbimit mes lirës dhe dollarit amerikan arriti në 20 lireta për një dollar, një prag ky shumë i rëndësishëm psikologjik.

Problemi, për më tepër, është se tani Banka Qendrore Turke praktikisht i ka mbaruar burimet. Jo vetëm që nuk ka më rezerva, por për shkak të huave ndërkombëtare, vlerëson “The Economist” është rreth 70 miliardë dollarë borxh. Mirëpo, rreziku qëndron se pasi arriti të rezistojë deri në zgjedhje, kjo edhe falë ndërhyrjeve të jashtëzakonshme të Bankës Qendrore, tani monedha dhe ekonomia turke mund të bie në një kolaps të madh.

Çfarë do të ndodhë me opozitën?

Në fjalimin e tij të parë pas humbjes, Kemal Kilicdaroglu nuk tha se do të jepte dorëheqjen si kreu i CHP-së, partisë që ai e ka udhëhequr vazhdimisht që nga viti 2010. Megjithatë, shumë mbështetës të opozitës presin një reflektim të tij, duke shpresuar se mund të japë dorëheqjen në ditët në vijim, edhe pse nuk është sqaruar se kush mund ta zëvendësojë.

Një skenar tjetër që mund të ndodhë është edhe shpërbërja e koalicionit, i cili u krijua vetëm për të mposhtur Erdoganin. Gjashtë partitë që e përbëjnë atë janë krejt të ndryshme me njëra-tjetrën dhe që fillojnë nga ato të qendrës së majtë, deri tek partitë islamike. Rreziku qëndron se e ndarë dhe pa një lider të fortë, opozita ndaj Erdogan, rrezikon të mos ketë më një peshë të rëndë.

Megjithatë, Bilge Yabanci, një studiues i shkencave politike në Universitetin Northwestern në Shtetet e Bashkuara argumenton se dobësimi i opozitës politike nuk do të shoqërohet me një dobësim të shoqërisë civile, e cila, përkundrazi, mbetet shumë luftarake kundër qeverisë së Erdogan./ Përgatiti R.Dedaj për Liberale.al/

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH