Ditën e sotme janë sekuestruar 12 milionë euro pasuri në Fier të cilat i posedonte shtetasi, Arjan Shanaj.
Këto pasuri përfshijnë:
• 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj.
• 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur;
• 2 vila trekatëshe;
• 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2;
• 3 apartamente banimi;
• 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës;
• 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier;
• 20 000 euro në llogaritë bankare;
• Një automjet me vlerë 40 000 euro;
Sipas policisë ky person më datë 20 qershor 2017 u arrestua në flagrancë së bashku me shtetasin grek Th. K., pasi u kapën në Greqi me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt tregu rreth 800 000 euro.
Ata merreshin me importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine.
"Menjëherë pas arrestimit në Greqi dhe shkëmbimit të informacionit me palën greke, Policia e Shtetit me iniciativë nisi hetimet proaktive ndaj shtetasit A. Sh., për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Pas investigimeve për pastrim parash dhe gjurmimit të pasurive të shtetasit A. Sh. dhe personave të lidhur me të, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Fier e referoi rastin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, e cila regjistroi procedimin penal nr. 1371/2017.
Si rezultat i koordinimit, bashkërendimit dhe bashkëveprimit mes strukturave hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier dhe Agjencisë së Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, koordinuar nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, më datë 20.10.2019, vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme të shtetasit A. Sh dhe personave të tjerë familjarë të tij", njofton policia. / Gazeta Liberale