Kryesore

Greqia “zgjerohet” pa marrëveshje

               Publikuar në : 11:23 - 27/08/20 liberale

Deklarata e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis se Greqia ka në plan të shtyjë kufirin detar në Jon nga 6 në 12 milje, rikthen debatin për marrëveshjen mes dy vendeve, e cila është pezull dhe do të diskutohet në fillim të shtatorit. Qeveria përgjigjet duke treguar konventën ndërkombëtare dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese      

Greqia ka në plan ta shtyjë kufirin perëndimor të ujërave territorialë në Detin Jon deri në 12 milje detare, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis dje në Parlament. Kryeministri konservator grek tha se një projektligj për këtë çështje do t’i paraqitet shumë shpejt parlamentit. “Greqia do t’i shtrijë ujërat e saj territoriale perëndimore nga 6 në 12 milje detare,” u tha zoti Mitsotakis ligjvënësve gjatë një debati, që lidhej me çështjen nëse parlamenti do të ratifikojë një marrëveshje të kohëve të fundit për kufijtë detarë midis Greqisë dhe Italisë. Siç bën me dije “Protothema“, duke u nisur nga përplasja me Turqinë për shelfin kontinental të ishullit Kastelorizo, Mitsotakis u shpreh: “Ne po e rrisim Greqinë! Do të sigurojnë 12 milje edhe në detin Jon sipas të gjitha konventave ndërkombëtare. Asgjë s’na pengon neve që të arrijmë këtë“.

Mitsotakis tha gjjthashtu se ministri i jashtëm grek Nikos Dendias kishte biseduar për këtë vendim me homologun e tij italian dhe atë shqiptar.

Ai tha se ministri Dendias do të shkojë në Tiranë për bisedime me homologun e tij shqiptar për demarkacionin e kufijve detarë midis dy vendeve fqinje, një projekt për të cilin është debatuar gjatë viteve të fundit. “Do të respektojmë konventat ndërkombëtare dhe do të aplikojmë standardin e ndajres në mënyrë të barabartë të detit kur distanca mes dy shteteve është më e ulët se 24 milje“, u shpreh më tej Mitsotakis.

Kryeministri Rama në rrejtët sociale iu përgjigj një komentuesi që shkruante se Greqisë po i falen 12 milje det. Rama tha se “ Nuk falen detet e tokat si rroba o mik”.

Po dje në mbërmje  Ministria e Jashtme e Shqipërisë iu përgjigj interesimit të “Zërit të Amerikës” për këtë temë, duke thënë se “lidhur me deklaratat për zgjerimin së shpejti të gjërësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, theksojmë se kjo është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982”.

Ministria e Jashtme shprehet se “Shqipëria dhe Greqia, si shtete fqinje që ndajnë zona detare, janë tashmë të angazhuara për arritjen e një marrëveshje të re në frymën e mirëkuptimit dhe interesit reciprok, bazuar në parimet dhe normat e së drejtës së detit, praktikën ndërkombëtare, si dhe duke respektuar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Në reagimin e saj për VOA, Ministria e Jashtme shton se “Greqia, ashtu si çdo shtet tjetër palë e konventës, aty ku e lejon gjeografia dhe për sa kohë që nuk cënohen të drejtat sovrane të një shteti tjetër, gëzon të drejtën që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial sipas parashikimeve të UNCLOS”.

Ndërkohë marrëveshja me ndarjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë ende nuk është firmosur dhe bisedimet janë ndërprerë për shkak të mosdhënies së autorizimit nga Presidentit tek ministri i jashtëm. Ndërsa marrëveshja e vitit 2009 që u miratua nga qeveria dhe parlamenti i asaj kohe u rrëzuan në Gjykatën Kushtetuese. Tani Greqia i është rikthyer të njëjtave terma si në atë marrëveshje, duke llogaritur 12 miljet nga disa shkëmbinj të pabanuar në det dhe jo nga bregu i ishullit të Korfuzit. Pala shqiptare dje nëpërmjet diplomatit, Gledian Dervishi tha se nuk ka asnjë lajm të ri për Shqipërinë në deklaratën e kryeministrit grek, por fakti që Mitsotaqis tha se pala shqiptare dhe italiane janë të informuar për 12 miljet nuk është se nuk ngre dyshime të arsyeshme për një ri formatim të termave të marrëveshjes apo projektit të saj.

Nga ana tjetër, Greqia dhe Italia nënshkruan në qershor një marrëveshje për kufijtë detarë, duke krijuar një zonë ekskluzive ekonomike dhe duke zgjidhur mosmarrëveshjet e vjetra për të drejtat e peshkimit në Detin Jon.

Në parlamentin grek është gjithashtu në proces një marrëveshje detare me Egjiptin dhe ligjvënësit pritet të votojnë për të dyja marrëveshjet të enjten.

Në anën lindore të Greqisë, Turqia ka paralajmëruar se një veprim i ngjashëm nga Athina do të ishte një shkak për luftë.

Dy vendet janë në mosmarrëveshje lidhur me zgjatjen e shelfit kontinental dhe kufijve të tyre detarë.

Tirana, e informuar

Greqia e ka bërë pjesë të agjendës së diplomacisë së saj zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje në Jon me qëllim që ta përdorë si precedent në përplasjen me Turqinë për ishujt në Egje.

Mediat greke raportojnë duke iu referuar burimeve diplomatike se “Athina e ka informuar më herët Tiranën në lidhje me vendimin për të zgjeruar me 12 milje ujërat territoriale në detin Jon“.

Kjo është një e drejtë e jona që duhej ta kishim shfrytëzuar më herët. Gjithçka është konform konventave ndërkombëtare dhe në lidhje me këtë janë informuar Tirana dhe Roma“, shkruan “Protothema” duke iu referuar një burimi diplomatik.

Rama: Nuk falen detet e tokat si rroba!

Pas lajmit të publikuar ka reaguar kryeministri Rama. Ai ka reaguar duke i kthyer përgjigje një komentuesi në rrjetet sociale i cili e ka pyetur për këtë çështje. “Ilirjani Iliri te rrofte Skenderbeu ne balle kur ne koke ke Saliun dhe flet per “falje detesh” sikur flet per falje rrobash! Hajde shqipe hajde! Nuk falen detet e tokat si rroba o mik, prandaj para se te flasesh per tema te tilla, ulu lexo, rri degjo, informohu e pastaj shprehu dhe ruhu nga genjeshtrat e medha se po te kapen ne gjume, i hengre e ike ne drejtim te paditur!”, shkruan Rama.

Nikos Dendias do të vizitojë shumë shpejtë Tiranën, me gjasa brenda fillim muajit shtator, në një tentative finale të Athinës për përfundimin e asaj që quhet “shporta e çështjeve të hapura” mes dy vendeve. Lajmi u bë i ditur nga “Top Channel” dhe duket se ka marrë edhe pëlqimin e kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama,  gjatë një bisede telefonike që Dendias dhe Rama patën mbrëmjen e një ditë më parë. Burimet sqaruan se palët kanë vendosur të rinisin negociatat, ku mes temave që do të diskutohen, do të jetë finalizimi i detajeve për marrëveshjen e delimitimit të ujërave territoriale dhe përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike mes dy vendeve, por edhe çështje të tjera,siç janë abrogimi ‘de jure’ i  ligjit të luftës, testet shkollore, çështja e pronave në të dy anët kufirit, marrëveshja e përdorimit të ujërave të ëmbla dhe baseneve ujore në dy anët e kufirit, marrëveshja për mirëmbajtjen e  piramidave, si dhe përmirësimi i statusit të minoritetit grek në Shqipëri dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Ministria e Jashtme: Ndarja e hapsirës detare me Greqinë, duke respektuar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

MEPJ ka ndjekur me vëmendje sot zhvillimet në Parlamentin grek dhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë të vendit fqinj gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjeve detare mes Italisë dhe Greqisë si dhe mes Greqisë dhe Egjyptit. Qeveria shqiptare vlerëson arritjen e marrëveshjeve për delimitimin e hapësirave detare mes vendeve të rajonit të Mesdheut duke u mbështetur në normat ndërkombëtare për të drejtën e detit dhe frymën e miqësisë dhe interesit reciprok.

Me këtë rast bëjmë me dije se në vijim të interesimit të medias, lidhur me deklaratat për zgjerimin së shpejti të gjërësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, theksojmë se kjo është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982.

Greqia ashtu si çdo shtet tjetër palë e konventës aty ku e lejon gjeografia dhe për sa kohë që nuk cënohen të drejtat sovrane të një shteti tjetër gëzon të drejtën që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial sipas parashikimeve të UNCLOS. Vetë Shqipëria në bazë të kësaj konvente ku është palë ka ushtruar të drejtën për të përcaktuar gjerësinë e detit të saj territorial në 12 milje detare, zgjerim i cili është depozituar pranë Kombeve të Bashkuara që prej 9 marsit 1990 dhe që nuk është kontestuar për asnjë moment nga fqinjët tanë. Kjo e drejtë që buron nga konventa nuk është çështje negociate mes shteteve palë të konventës dhe në të gjitha rastet shtetet që janë në procese negociuese mbi delimitimin e hapësirave detare janë të detyruara që të ndjekin parimet, frymën dhe kriteret e konventës që u njeh shteteve palë të drejtën e zgjerimit te ujerave territoriale deri në 12 milje detare.

Sidoqoftë, qeveria shqiptare do të jetë e vëmendshme për çdo proces legjislativ në vendin fqinj i cili mund të ketë ndikim në ushtrimin e sovranitetit territorial dhe të drejtave sovrane në hapesirën detare që i takon.

Shqipëria dhe Greqia, si shtete fqinje që ndajnë zona detare, janë tashmë të angazhuara për arritjen e një marrëveshje të re në frymën e mirëkuptimit dhe interesit reciprok, bazuar në parimet dhe normat e së drejtës së detit, praktikën ndërkombëtare, si dhe duke respektuar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Diplomati i Ministrisë së Jashtme: Zgjerimi i mundshëm i Greqisë me 12 milje në Detin Jon, asgjë e re për Shqipërinë

Anëtari i grupit negociator me Greqinë dhe diplomat në Ministrinë e Jashtme, Gledin Dervishi përmes një postimi në rrjete sociale, shkruan se zgjerimi i mundshëm i Greqisë me 12 milje në Detin Jon nuk është asgjë e re për Shqipërinë.

Në seancën parlamentare do të ratifikohen dy marrëveshje shumë të rëndësishme për delimitiminzonave detare në basenin e Mesdheut, Greqi – Itali për ZEE dhe Greqi – Egjypt për Shelfin Kontinental dhe sicc shkruan Dervishi, kryeministri grek ka deklaruar se parlamentit do ti vijë dekreti për zgjerimin Greqi – Itali për ZEE dhe Greqi – Egjypt për Shelfin Kontinental.

“Çështja e zgjerimit të gjerësisë së Detit Territorial të Greqisë është një çështje e së drejtës ndërkombëtare dhe jo një çështje negociate mes shteteve. Shtetet që janë palë të Konventës së UNCLOS 1982 si Shqipëria, Greqia, Italia, Egjypti apo edhe shumë të tjerë kur nisin proceset e delimitimit e kryejnë automatikisht negociatën me parimin e 12 miljeve detare, pra nuk ka negociate mes shteteve anëtare nëse njëra palë do ja njohi palës tjetër të drejtën e zgjerimit në 12 milje!”, shkruan ai më tej.

Dervishi shton se në rastin e delimitit në Detin Jon mes Shqipërisë dhe Greqisë parimi i 12 miljeve mund të aplikohet vetëm në rastet kur Deti Territorial i një shteti nuk mbivendoset me Detin Territorial të shtetit fqinj, më konkretisht kjo gjerësi aplikohet vetëm në hapësirat detare ku distancat midis dy shteteve janë mbi 24 milje detare.

Madje kur Shqipëria e ka depozituar në OKB, asnjë nga fqinjët tanë detar nuk e kanë kontestuar gjerësinë tonë të Detit Territorial, pasi kjo është një e drejtë që buron nga Konventa. Vlen për tu përmendur fakti që edhe Mali i Zi po ashtu e ka 12 milje detare gjerësinë e Detit Territorial, edhe pse ne me Malin e Zi ashtu si me Greqinë ne duhet të kryejmë delimitimin e hapësirave detare. Por edhe nëse nuk do ta kishte me ligj të brendshëm 12 milje, sërish hyn në lojë Konventa që automatikisht të njeh 12 milje.

“Efekti” i 12 miljeve greke në Detin Jon në thelb nuk e prek fare Detin Territorial të Shqipërisë në Detin Jon, madje në hartën e mëposhtëme duket qartë që ky efekt shtrihet në zonën nga Antikithra në Othoni, shumë larg ujrave territoriale shqiptare, madje duket qartë që shtrihet gjeografikisht në zonën mes Palermos dhe Libisë ku distanca është me dhjetëra milje mes Greqisë dhe këtyre vendeve.

PD: Greqia zgjerohet, qeveria hesht

Ish-deputeti i PD-së Tritan Shehu, ka reaguar në lidhje me vendimin më të fundit të qeverisë greke për tu zgjeruar me 12 milje në Jon.

Shehu përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se Edi Rama, që anatemoi marrëveshjen e detit të vitit 2019, derisa e rrëzoi atë, hesht tani që Greqia zgjeron ujërat territorial.

Ndër të tjera ish deputeti është shprehur se këto janë veprimet e një qeverie, e cila është në ikje dhe ka plot mëkate.

Postimi i plotë:

Rama hesht tashti qe Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale ne 12 milje ne Detin Jon!

Qe ne fillim dua te theksoj se ne parim eshte e drejta e Greqise te beje perpjekje te tilla.

Cështja qëndron te Rama, i cili dje anatemoi deri sa e rrezoi Marrëveshjen e vitit 2009, me e mira e mundshme e realizuar e me distance 6 milje, me tej pengoi dërgimin ne Hage ne mirëkuptim te te dy palëve te çështjes kur dhe Greqia ne atë periudhe nuk e kundështonte, duke kaluar nga shkatërrimi aventuresk i marrëdhenieve strategjike me atë vend, ne humbje te plote dinjiteti me “kënge e valle”.

Janë pikërisht këto veprime absurde e te qellimshme rilindase ne politiken e jashteme e Rajonale, qe i kane sjelle vendit tone deme te pa llogaritshme ne maredheniet e pozicionin tone, ne procesin tone te integrimit e humbjen e rolit per stabilitetin e Rajonit, rol qe tashme i ka kaluar Vucic.

Jane keto pasojat e nje politike te tille kokeposhte te kesaj Rilindje prej periudhës ne opozite te saj, qe sot e kane komplikuar dhe e komplikojne shume gjendjen ne Rajon, pozicionin tone, duke veshtiresuar zgjidhjen perfundimtare te ceshtjeve te hapura, duke na handikapuar ne rol.

Kjo Qeveri ne “ikje” pergjegjese direkte per cfare “gatoi”, tashme nuk ka as tagrin, as te drejten morale, politike a legale te negocioje per te tilla ceshtje, qe perfundimisht do te gjejne zgjidhje me Qeverine e re demokratike, nen nje fryme bashkepunimi e pergjegjeshmerie te thelle, qe do te forcoje stabilitetin e Rajonit e do te vendose perseri vendin tone ne pozicionin e domosdoshem per kete. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back