Gjykata e Ferizajt ka caktuar ditën e sotme masën e sigurisë “arrest me burg” për 55-vjeçarin Gëzim Çela, i konsideruar si “Baroni i Drogës”, i cili u arrestua pasditen e të premtes në fshatin Dardani.
Gëzim Çela, i konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë, do të qëndrojë pas hekurave, në pritje të vendimit për ekstradim drejt Shqipërisë.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të njëjtit është lëshuar udhe arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesë të datave 8 gusht 2014 dhe 1 mars 2022 të shtetit të Shqipërisë për shkak të veprave penale trafikimi me narkotik nga neni 283 a/2 dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit nga neni 278/4 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë (KPRSH) dhe Italisë, ngase i njëjti është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej nëntëmbëdhjetë (19) vite e nëntë (9) muaj e njëzet e nëntë (29) ditë, për veprat penale të trafikimit me narkotikë” – thuhet në njoftim.