Dy burra humbën jetën dhe 10 të tjerë u plagosën, disa prej tyre në gjendje të rëndë, në një zjarr që shpërtheu në një restorant në Madrid të premten mbrëma, njoftoi sot shërbimi i urgjencës i kryeqytetit spanjoll Samur.
Samur "u dha ndihmë 12 personave", dy prej të cilëve "kanë vdekur", tha Monce Marcos, një zyrtar i agjencisë.
Nga të plagosurit, gjashtë janë “dërguar në spitale të ndryshme në Madrid në gjendje kritike”, ndërsa katër të tjerët kanë lëndime të lehta, sqaroi ai.
Zjarri ka rënë dje në restorantin italian 'Burro Canaglia & Resto' në lagjen qendrore të Salamanca.
Sipas një dëshmitari okular i cili foli për gazetën 'El Pais', zjarri filloi kur një kamarier përdori një çakmak në një pjatë, duke i vënë aksidentalisht zjarrin mureve dhe tavanit. Siç raportojnë mediat spanjolle, njëri nga të vdekurit është kamarier dhe tjetri klient.
Klientët e restorantit patën vështirësi të dilnin nga ndërtesa pasi zjarri shpërtheu pranë hyrjes kryesore.
Nga ana e tyre, zjarrfikësit theksuan se në vendin e zjarrit kanë mbërritur shumë shpejt, pasi selia e tyre është rreth 400 metra larg lokalit dhe shumë nga klientët kanë vrapuar për t'i informuar./Liberale.al