Pandemia tronditi, ndryshoi, por edhe nxori mësime, thuajse për çdo dimension jete. Një analizë rreth leksioneve, por edhe risive që duhen përqafuar, veçanërisht në transformimin dixhital që solli pandemia, vjen në numrin e ri të “Polis”, revista shkencore e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës.
Një eksplorim mbi këto dinamika, i ndihmon jo vetëm ekspertët e fushës së Humaniteteve por edhe shoqërinë e gjerë të kuptojë më shumë rreth ndikimit dhe zgjidhjeve novatore.
Ajo që mund të thuhej, thuajse me siguri, është se ndryshimet që erdhën me pandeminë po i ndryshojnë fytyrën lëmisë së kërkimit dhe veprimit në komunikim, edukim, marrëdhënie publike, art e kulturë.
“Në përputhje me prioritetet kryesore të Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Konferencën e Ditëve të Studimeve Shqiptare, ky numër i Polis, i kushtohet zhvillimit dhe përvetësimit të aftësive dixhitale për ta bërë transformimin dixhital sa më gjithëpërfshirës dhe sa më gjithëpërfshirëse në fushën e shkencave humane, arteve dhe arsimit”, shprehet Belina Budini, kryeredaktore e revistës dhe dekane e Fakultetit të Shkencave, Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, në UET.
Fokusi është në vlerësimin dhe zbatimin e strategjive të edukimit dixhital, veçanërisht në kontekstin e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Pjesa më e madhe e artikujve synojnë të eksplorojnë më tej gjendjen e kërkimit në fusha të ndryshme, duke u përpjekur të përcaktojnë faktorët dhe mundësitë për të ndihmuar në aktivitete të tilla si mësimi online ose trajnimi i mësuesve, format e reja të artit, rrugët dixhitale për median dhe komunikimin politik, si edhe zhvillimet në fushën e studimeve të psikologjisë dhe sportit.
Shkrimi i parë i këtij numri është një kontribut i Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, me Miranda Priftin dhe Dritan Idrizin, të cilët synojnë të shtjellojnë më tej ndikimin që mediat sociale po luajnë në politikë. Në të njëjtën mënyrë, një studiuese e re dhe studente Master në departament, Irsa Qosja, përpiqet të kuptojë sjelljen politike të brezit të ri në mediat sociale duke përdorur pyetësorët si një mjet kërkimi. Artikulli i Erisela Markos sjell në vëmendje një nga tendencat kryesore të dekadave të fundit. Artikulli i saj është pjesë e një studimi më të madh që ajo ka kryer, i fokusuar në efektet e mundshme që video-lojërat mund të kenë tek të rinjtë.
Ndër shtyllat më të rëndësishme të kësaj çështje janë kontributet që vijnë nga fusha e psikologjisë, veçanërisht studimi për inteligjencën emocionale të shkruar nga Elsida Sinaj dhe Elsida Gjonaj. Argumenti i tyre kryesor është se një inteligjencë më e lartë emocionale mund të krijojë një rrugë më të mirë profesionale për individët. Mario Shabanaj dhe Bora Sulce, janë përpjekur të ndërtojnë një model kërkimi, që mund të na ndihmojë të kuptojmë lidhjen midis kapaciteteve fizike të fëmijëve më të vegjël dhe BMI-së së tyre. Dorina Xhani së bashku me Brunilda Hoxhajn dhe Sara Hysenaj, kanë zgjeruar studimin e tyre edhe për fëmijët, duke u përpjekur të analizojnë rëndësinë e informacionit të detajuar rreth historisë, kritereve diagnostikuese, shkaqeve të ndryshme që mund të ndikojnë në shfaqjen e çrregullimit të ODD, si dhe informacione rreth ndërhyrje të ndryshme terapeutike dhe si ndikojnë në këtë çrregullim.
Kontribute të mëtejshme vijnë nga Departamenti i Arteve të Aplikuara e një artikull interesant mbi Teatrin nga Dritan Boriçi, aktor i njohur dhe pedagog në UET, i cili hap një diskutim mbi nevojën e dixhitalizimit në teatro, duke prezantuar një qasje inovative se si mund të integrojmë teknologjinë në një mjedis kaq klasik. Një tjetër anëtare e Departamentit të Arteve, Blegina Hasko Bezo, përpiqet të kuptojë dhe të gjejë mënyra se si mësuesit mund ta sjellin dixhitalizimin në klasë, si një nga mënyrat më të mira për të rritur kreativitetin e nxënësve. Ermir Nika, sjell për këtë çështje një përmbledhje mbi veçoritë e modernitetit në romanin shqiptar. Një kontribut tjetër vjen nga Majlinda Hala dhe Blegina Hasko Bezi, në fushën e folklorit etnik me temën ninullat, analizat gjuhësore dhe veçoritë.
“Së fundi, duke qenë se në këtë numër ne kërkonim të gjurmojmë inovacionin, me kënaqësi publikuam në kuadër të këtij numri kontributet e grupeve të studentëve”, zbulon zonja Budini. Njëra prej tyre është realizuar nga një grup studentësh të ciklit Bachelor, të cilët studiojnë Psikologjinë dhe puna e tyre është një pjesë origjinale e fokusuar në temën e Autizmit. Kontributi i fundit është një analizë e shkurtër e librit “Liberalizmi”, shkruar nga Leonard Hobhouse. Një ekip studentësh që studiojnë Marrëdhëniet me Publikun dhe Komunikimin janë përpjekur të analizojnë tiparet kryesore të liberalizmit bazuar në argumentet e autorit.
Të gjitha këto kontribute krijojnë një diskutim dhe rritin më tej debatin akademik mbi rëndësinë e dixhitalizimit dhe rolin që mund të luajë secila prej agjencive sociale në fushën tonë të studimeve drejt transformimeve aktuale dhe të ardhshme.