Kryesore

Filozofia e një kontrate

               Publikuar në : 11:26 - 23/05/20 Klementin Mile

Nga Klementin Mile

Sa kontrata ka brenda një kontrate?

Kontrata e opozitës me “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit”, e cila, sipas palëve vijon të jetë në fuqi pavarësisht se nuk ka më Teatër për të mbrojtur, është vetëm rasti i fundit i kontratave të lidhura publikisht ndërmjet palëve të ndryshme dhe të dështuara, po publikisht, që të realizojnë objektin e tyre. Hapësira e ligjërimit publik shqiptar është e mbushur plot me raste të tilla kontratash që dështojnë dhe, nga ana tjetër, vijojnë sikur asnjë dështim të mos kishte patur. Të tilla janë për shembull kontrata e Ramës me votuesit e tij për qeverisjen e vendit, kontrata e Veliajt me qytetarët e Tiranës për qeverisjen e kryeqytetit, kontrata e Bashës me demokratët për udhëheqjen drejt pushtetit, apo kontrata e Ramës me Bashën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nga këndvështrimi tradicional, i cili e quan kontratën një marrëveshje shkëmbimi ndërmjet vullneteve individuale, është e vështirë ta kuptosh se pse kontrata vazhdon, edhe atëherë kur ka qenë e qartë, madje para syve të publikut, që ajo ka dështuar. Nëse vullneti individual i njërës prej palëve ka shkelur mbi vullnetin individual të palës tjetër, përse, atëherë, vijon pala e shkelur ta konsiderojë të vlefshme kontratën? Kështu arrijmë në absurd, sepse pala e shkelur i bie ta vazhdojë kontratën pa vullnetin e saj (ky është shkelur dhe nëpërkëmbur nga pala tjetër). Si mund të ketë atëherë kontratë midis palëve, kur vetëm njëra nga palët shpreh vullnet ndërkohë që tjetra nuk e ka vullnetin për marrëveshje?

Qartësisht, ky këndëvështrim tradicional për kontratën nuk arrin të na thotë asgjë për fenomenin interesant të vazhdimit të saj edhe atëherë kur duket se njëra nga palët është dëmtuar rëndë prej akteve të tjetrës. Mund të ndodhë, natyrisht, që të dyja palët në kontratë të fajësojnë njëra-tjetrën për mosrealizimin e objektit të saj, e atëherë do të kishim fenomenin edhe më interesant të vazhdimit të kontratës nga palët, pa vullnetin e asnjërës prej tyre. Një kontratë pa vullnetin e njërës palë, ose pa vullnetin e të dyjave, nuk ekziston fare për këndvështrimin tradicional për kontratën, sikundër e kanë për shembull juristët, ekonomistët dhe administratorët.

Por fenomeni ekziston. Kontrata midis opozitës dhe “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” vijon të konsiderohet e vlefshme nga palët. Flitet për rindërtimin e një Teatri Kombëtar ashtu siç ishte dhe në të njëjtin vend. Rama, nga ana tjetër, vazhdon të përsërisë që do t’i përmbahet kontratës së tij me qytetarët shqiptarë, duke thënë që në truallin ku ishte Teatri dhe rretheqark tij nuk do të ndërtohen kulla. Veliaj, nga ana tjetër, nuk ka hequr dorë nga kontrata me qytetarët e Tiranës për të mos patur më ndërtime në kryeqytet.

Në këto kushte, kur mendimi juridik, ekonomik, administrativ dhe tradicional na shpie drejt e në absurd, duhet t’i drejtohemi burimeve filozofike. Atëherë, çfarë mund të kuptojmë nga këndvështrimi i filozofisë së kontratës?

Filozofi gjerman i së drejtës, Gunther Teubner, shkruan se kontrata sot mund të jetë vetëm një ndërlidhje midis ligjërimeve. Ajo duhet parë si një detyrim që vendoset ndërmjet sistemeve të ndryshme të komunikimit, jo ndërmjet individëve. Filozofi francez Jacques Derrida e shpreh më qartë këtë ide kur shkruan “ti nuk je përgjegjës kur flet në gjuhën e tjetrit”.

Derrida zbulon paradoksin e kontratës, atë cilësi esenciale të saj që na e paralizon mendimin, logjikën, arsyen. Kështu, thotë filozofi francez, ti mund të hysh në një kontratë vetëm nëse e bën këtë në gjuhën tënde. Me fjalë të tjera, ti je përgjegjës vetëm për çka thua në gjuhën tënde. Megjithatë, po e the vetëm në gjuhën tënde, atëherë ende nuk je angazhuar, sepse angazhimi kërkon ta thuash edhe në gjuhën e tjetrit.

Sipas Derridasë, një marrëveshje ose një detyrim i çfarëdolloji – një premtim, një martesë, një aleancë e shenjtë – mund të ndodhë vetëm në përkthim, pra, vetëm nëse shprehet njëkohësisht edhe në gjuhën time edhe në gjuhën e tjetrit. Nëse ajo shprehet vetëm në një gjuhë, qoftë kjo imja apo e tjetrit, kontrata nuk është e mundshme. Në mënyrë që kontrata ose aleanca të ndodhë, në mënyrë që miratimi të ndodhë nga të dyja anët, ajo duhet të shprehet në të dyja gjuhët njëkohësisht.

Derrida e përfundon reflektimin e tij filozofik për kontratën duke vënë në dukje vështirësinë themelore të saj. Kjo është që marrëveshja, kontrata në përgjithësi, duhet të implikojë diferencën e gjuhëve, jo një përkthyeshmëri transparente; pra kontrata duhet të bëjë hesapet me një situatë babeliane (ngatërrimi gjuhësh) e cila njëkohësisht edhe zvogëlohet edhe mbetet e paprekur. Po të mund të përkthehet pastër dhe thjesht, atëherë nuk ka marrëveshje (nuk ka nevojë për të, pasi të dyja palët flasin të njëjtën gjuhë). Dhe nëse përkthimi është krejt i pamundur, as atëherë nuk ka marrëveshje. Për të patur marrëveshje duhet të ketë një situatë babeliane, në mënyrë që ajo të cilën Derrida e quan “kontratë përkthimi” të jetë, në fakt, vetë kontrata. Pra, asnjë kontratë nuk është e mundur pa një kontratë përkthimi.

Atëherë, çfarë kemi kuptuar për kontratën prej këtij reflektimi filozofik të Derridasë? Së pari, mund të themi që kontrata është gjithmonë kontratë midis sistemeve që flasin gjuhë të ndryshme, për shembull, midis politikës dhe artit, ose midis politikës dhe publikut, ose midis lidershipit dhe anëtarësisë së një partie, ose midis organizatës politike x dhe organizatës politike y. Këto sisteme flasin gjuhë të ndryshme, operojnë me logjika dhe kode të ndryshme, e kjo do të thotë se i japin kuptim të ndryshëm kontratës, paçka se teksti i saj mbetet i njëjtë. Por, siç dihet, të gjitha tekstet, edhe ato më “telegrafiket”, mund të interpretohen në mënyra të ndryshme. Fundja, teksti, si unitet, nuk është gjë tjetër veçse shuma e interpretimeve aktuale dhe potenciale të tij.

Teubner e thotë këtë gjë në mënyrë të përmbledhur: uniteti i kontratës sot gjendet i copëtuar në lojën e pafund të ligjërimeve. Duket paradoksale, por një kontratë, në realitet, është e copëtuar në një shumësi kontratash. Ose siç thotë Derrida, në kapacitetin e vet për të premtuar, përkthimi është firma më e rëndësishme e kontratës.

Me fjalë të tjera, kontrata nuk ekziston në hapësirën midis sistemeve (palëve në kontratë). Ajo gjendet brenda secilit sistem dhe, prej aty, i bashkon dhe i ndan nga njëri-tjetri. Konkretisht, duhet të kuptojmë që edhe pse të lidhur nga detyrime të përbashkëta, opozita i ka lexuar politikisht ato detyrime të kontratës, ndërkohë që “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” i ka lexuar artistikisht. Po ashtu Rama mund t’i ketë lexuar politikisht (ose banditisht, po të ketë të drejtë Lubonja) detyrimet në kontratën e tij me qytetarët shqiptarë, ndërkohë që këta të fundit mund të bërë një lexim idealist të detyrimeve. Dhe po ashtu Veliaj mund të ketë bërë një lexim pragmatik (e ndoshta hipokrit) të detyrimeve të kontratës me kryeqytetasit, e këta të fundit mund t’i kenë lexuar politikisht.

Në të gjitha rastet, gjuhët e ndryshme, logjikat e ndryshme dhe vlerat e ndryshme të palëve sjellin përkthime të ndryshme të kontratës. Secili ka kontratën e vet, ose, me një logjikë më tradicionale, versionin e vet të kontratës. Vazhdimi i kontratës nga palët, edhe në kushtet e dështimit publik të objektit të saj, tregon se për asnjërën nga palët objekti nuk ka qenë kurrë ai. /Gazeta Liberale

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back