Aktualitet

Europianë të dorës së dytë?   

               Publikuar në : 09:10 - 06/11/19 liberale

Projekti i Macron për Europën e tre shpejtësive e sheh Ballkanin “de fakto” jashtë BE, ndërsa modeli norvegjez që po qarkullon ditët e fundit është marrëveshja e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA), ku bëjnë pjesë vendet e BE-së dhe Islanda, Lihtenshtejni e Norvegjia.

Për ballkanasit që presin afrimin me Brukselin, këto janë të pamjaftueshme, pasi e trajtojnë rajonin dhe banorët e tij si europianë të klasit të dytë.

Mos hapja e derës së Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe projekti i Presidentit të Francës për nevojën e reformimit të Unionit, vijojnë të ngjallin debate në median perëndimore, ku nuk mungojnë hipotezat se pas vendimit të fundit dera e Brukselit nuk do të hapet më për Ballkanin. Një Europë e tre shpejtësive është esenca apo ajo që kuptohet tani për tani nga ideja e Macron. Në qendër  ky projekt vendos boshtin Gjermani-Francë, në të dytin vendet e tjera të BE dhe në fund vendet që kanë hapur negociatat, kanë statusin e kandidatit dhe kanë marrëveshje asociimi me BE. E thënë ndryshe, në vend të tretë është Ballkani Perëndimor.

Por vështirësia nuk është e vogël. Ballkanit i është premtuar për pothuaj 20 vite integrim i plotë në BE dhe vit pas viti ky premtim është shtyrë, ndërkohë që stabiliteti është ruajtur dhe Rusia, Kina e Turqia me sa është mundur janë mbajtur larg. Në këtë konjukturë delikate gjeopolitike, ajo që po shfaqet  në debatin perëndimor është  zëvendësimi i integrimit të Ballkanit në BE me një modelin që njihet si “modeli norvegjez” apo  Marrëveshja e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA), ku bëjnë pjesë vendet e BE-së dhe gjithashtu Islanda, Lihtenshtejni dhe Norvegjia.

Zona Ekonomike Evropiane është një zonë e tregtisë së lirë midis Bashkimit Evropian dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA). Pakti përmbledh lirinë e lëvizjes së mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe parave ndërmjet vendeve.

Presidenti francez Emanuel Macron do të sqarojë gjatë vizitave të tij në Shkup dhe Tiranë reformën e metodologjisë së procesit negociues për anëtarësimin në BE, megjithëse ende nuk ka ndonjë përgjigje konkrete sesi do të duket ajo. Reforma që pritet të zgjasë me vite mund të diskutohet edhe në takimin që presidenti maqedonas Stevo Pendarovski pritet të zhvillojë javën e ardhshme me presidentin francez Macron. “360 Shkallë” konfirmoi se takimi do të realizohet gjatë Forumit të Paqes në Paris, që mbahet të martën dhe të mërkurën.

Dy javë më parë udhëheqësit e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut u bashkuan në një iniciativë në Novi Sad për “Mini Shengenin” Ballkanik, por e ardhmja e bashkimit ballkanik pritet të konfirmohet më 10 nëntor në takimin e radhës në Ohër të Maqedonisë, ku do të shihet nëse do të jenë edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina.

Për ballkanasit që presin afrimin me Brukselin, të dyja këto nisma janë të largëta dhe të pamjaftueshme, pasi e trajtojnë rajonin dhe banorët e tij si europianë të klasit të dytë.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi pa specifikuar se e kishte fjalën për këto projekte, tha dje se  vendi i Ballkanit Perëndimor  është vetëm një, Bashkimi Europian. Me Ballkanin jashtë BE, Europa është më e pasigurt. Ai gjykoi se pjesa tjetër e kontinentit ka ushqyer disa stereotipie për rajonin tonë. “Kjo është një sfidë për  stabilitetin. Ballkani Perëndimor nuk është rajon, fqinj i Europës, por është pjesë integrale e Europës. Nuk ka nevojë të shpikim  projekte artificiale.”

Ndërkohë radio publike gjermanë “Dojçe Vele” botoi dje  një shkrim me titull, “Modeli norvegjez – trumcaku në dorën e Ballkanit Perëndimor apo pëllumbi në degë?”, ku një pjesë e analistëve mendonin se zgjerimi i BE ka vdekur me kohë dhe  Macron vetëm e ka varrosur, ndërsa pjesa tjetër e quajnë shklatërrimtare politikën e BE.

Çfarë modeli norvegjez dhe  a mund të ketë sukses?

….Gerald Knaus duhet ta dijë se ç’ po ndodh. Ai është drejtor i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, një “think tank” me shumë ndikim në Bruksel. DË shkruan se Knaus ka qenë ideatori kryesor i marrëveshjes mes BE dhe Turqisë për refugjatët, që uli ndjeshëm valën e refugjatëve në Ballkan. Në tekstin e publikuar javën që shkoi Knaus e quan veton, me të cilën Emanuel Makron bllokoi fillimin e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën – që në fakt ngriu gjithë procesin e zgjerimit të BE, dhënie fund të torturës (coup degrâce). Sikur afrimi i Ballkanit Perëndimor të kishte qenë një dem, shkruan Knaus, atëherë pikadorët e shumtë ndër vite e kanë vrarë kafshën pak nga pak. Makron u shfaq si matador për t‘i dhënë fund mundimit.

BE do të duhej t‘u ofronte të gjitha shteteve të BE mundësinë e aderimit në një treg të përbashkët, si Norvegjia apo Islanda“, shton analisti me ndikim.

Macron e ndërpreu lojën

Knaus nuk është i vetmi. Po shtohen zërat, që thonë se ka rënë ora zero e politikës evropiane në Ballkan, momenti që të varroset koncepti i vdekur prej kohësh i zgjerimit dhe të gjendet diçka e e. Diçka më pak se zgjerimi, por joshëse sa duhet për t‘i mbajtur shtetet e vogla të Ballkanit në oborrin e BE.

Gazeta Večernje Novosti, duke iu referuar burimeve anonime, informoi se Parisi dhe Berlini janë duke përgatitur ofertën për në pranverë. Në maj liderët e shteteve të rajonit do të mblidhen në samitin e BE në Zagreb. A do të jetë modeli norvegjez mbi tryezë? „Vetoja e Makronit e ka torpeduar të gjithë procesin e zgjerimit. Mendoj se ky ishte qëllimi i tij“, thotë Andreas Ernst, gazetar me përvojë i Neue Züricher Zeitung, i cili për vite me rradhë ka qenë korrespondent i kësaj gazete në Beograd. “Por e mira e kësaj është, se është bërë evidente natyra e gënjeshtërt e marrëdhënieve të BE dhe Ballkanit Perëndimor.”

Makron qe i gatshëm të ndërmarrë rolin e matadorit. Disa thonë, sepse i druhet forcimit të Marin Lepen në vendin e tij – 58 përqind e francezëve e kundërshtojnë zgjerimin e BE. Të tjerë mendojnë, se Makron po e merr Ballkanin Perëndimor peng, derisa të realizojë vizionin e tij për Evropën.

Mes rreshtave lexohet se presidenti francez dëshiron një BE të disa shpejtësive apo qarqeve koncentrike. Bërthama do të rëndonte rreth boshtit Paris-Berlin, jashtë do të ishin vendet e integruara ne treg, dhe krejt jashtë vendet e asociuara, mes tyre ndoshta Ballkani Perëndimor.

Makron nuk është vetëm. Ai mori mbështetje diskrete nga Holanda dhe Danimarka. Kritikat nga Berlini për Makronin vijnë me një të shkelur syri – është dashur t‘i lejojmë Shkupit e Tiranës të hapin bisedimet, gjithsesi ata nuk do të hyjnë në BE për të paktën dhjetë vjet. Kjo loja gjermane, thotë Ernst, është edhe më perfide.

Rregullat, thotë gazetari zviceran, janë prej vitesh të tilla: BE bën sikur dëshiron të pranojë vendet ballkanike si anëtare, dhe udhëheqjet e këtyre vendeve sikur zbatojnë reformat. „Kjo do të kishte mundur të zgjaste edhe dhjetë vite të tjera ose përgjithmonë. I gjithë ky teatër dhe gjuha politike për ‘perspektivën evropiane’ dhe ‘vlerat evropiane’ kanë marrë tani goditje të rëndë dhe është mirë kështu“, shton ai për DË. „Tani duhet të vijë oferta e re dhe ajo duhet të jetë e mirë.

Justifikim për pushtetarët e Ballkanit?

Kur dy dekada të rrugëtimit evropian me sa duket po përfundojnë në qorrsokak, nuk është e lehtë ta kuptosh atë brenda natës. Të gjitha karrierat politike, skenat e organizatave joqeveritare dhe analistëve kanë qëndruar mbi idenë se rruga drejt Bashkimit Evropian është e vetmja e mundshme dhe nëse të gjithë bëjmë përpjekje, ajo përfundon me anëtarësimin e plotë. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq përdori një analogji futbolli: gjyqtari ndryshon rregullat gjatë lojës, terreni është i rrëshqitshëm e duhet ndryshuar taktika, por qëllimi strategjik mbetet i njëjti – hyrja në BE. Homologu i tij maqedonas Stevo Pendarovski kërkoi madje një samit rajonal, në të cilin „të gjitha alternativat ndaj integrimit evropian do të refuzoheshin“.

Ky është momenti i ngazëllimit të nacionalistëve dhe euroskeptikëve në të gjithë rajonin në stilin: A ju kemi thënë se BE nuk na do.

Nuk ndjehem i tradhëtuar“, thotë për DË Vladimir Paviçeviq, njeriu i cili në dy shtete ka mbrojtur politikën e hyrjes në BE. Fillimisht ka qenë nënkryetar dhe deputet i partisë së Re në Serbi dhe tani në Podgoricë është lider i partisë së vogël Crnogorska. „Askush nga BE nuk ka thënë se nuk do të pranohemi, nëse i plotësojmë të gjitha kriteret. Iluzionin se BE sillet në mënyrë të pandershme, mundohen ta krijojnë strukturat qeverisëse, që të fshehin simulimet e reformave dhe të justifikojnë mungesën e suksesit në procesin e bisedimeve“ pohon Paviçeviq.

Me këtë pajtohet edhe Andreja Stojkovski, analist politik nga Shkupi. Ai nervozohet sidomos, kur politika e zgjerimit shpallet e „dështuar“. „Në Ballkanin Perëndimor ka shtete, që janë të vendosura për të bërë reforma, disa që kryejnë herë pas here reforma dhe ato, që herë pas here thonë se po bëjnë diçka“, shton Stojkovski për DË.

Paviçeviq dhe Stojkovski arrijnë në përfundimin se do të ishte fatale të hiqej dorë nga premtimi, që BE u ka dhënë vendeve ballkanike në Selanik në vitin 2003 – që BE nuk është i plotë pa Ballkanin. „Vetëm procesi i pranimit i sjell kësaj hapësire stabilitet dhe perspektivën e vendosjes së rregullit, ndërsa Evropës forcim të mëtejshëm. Gjithçka tjetër do të ishte një eksperiment i pamatur“, shton Paviçeviq.

Megjithatë duhet theksuar se Makron nuk e justifikoi veton me mungesën e reformave, por me problemet e brendshme të BE. Sipas kritereve tashmë të rrepta të Komisionit Evropian, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë merituar të hapin bisedimet, ashtu siç e ka merituar prej kohësh Kosova liberalizimin e vizave. Në vend që të ecet në shtigjet e çelura nga Bullgaria, Rumania apo Kroacia – që patën kritere shumë më të zbutura – tani Ballkanit Perëndimor i ofrohet diçka, për të cilën mediat janë ende në kërkim të emrit më të mirë. Flitet për partneritet të privilegjuar, për zgjerimin “light”, por më shpesh për modelin norvegjez.

“Nuk është një model humbës”

Çfarë është modeli norvegjez? Vendi nordik është krahas Islandës dhe Lichtenshteinit anëtar i Hapësirës Ekonomike Evropiane (EEA), një mekanizëm i krijuar në vitin 1992, në të cilin bëjnë pjesë të gjithë anëtarët e BE-së. Një opcion është, që kur Britania e Madhe të largohet përfundimisht nga BE, të mbetet prapë pjesë e EEA. Tregu është i hapur, ekziston liria e lëvizjes, nuk ka dogana – përveçse për ushqimet dhe pijet, prodhime që subvencionohem shumë në BE, kështu që Norvegjia nuk do që t‘ua hapë krejtësisht dyert. „Pasaporta e Kosovës do të kishte në EEA të njejtën vlerë si ajo norvegjeze dhe shljivovica serbe do të kishte të njëjtin akses në tregun evropian si brandy zvicerian“, shkruan publicisti kosovar Veton Surroi për Koha Ditore. „Një investitor belg do të kishte të njëjtën siguri juridike në Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, si në Islandë.“

“Ky nuk është aspak një model humbës për Ballkanin“, thotë edhe gazetari Andreas Ernst. „Është më mirë që në një afat të shkurtër të bëhen hapa të vegjël integrimi, se sa të shpresosh për anëtarësim në BE dhjetë apo njëzet vjet”. Gerald Knaus në tekstin për Iniciativën Evropiane për Stabilitet propozoi që shtetet ballkanike të integrohen gradualisht në fondet evropiane. P.sh. nëse Serbia do ta rregullonte në mënyrë shembullore sektorin e peshkimit, atëherë në këtë fushë mund të trajtohej thuajse si pjesë e BE. Dhe anasjelltas – nëse gjendja përkeqësohet, mund të përjashtohet përsëri nga ky sektor. Këto janë joshje, që mund ta bënin Makronin dhe qeveritarët në Balkanin Perëndimor të dalin me një propozim të tillë. Vuçiqi dhe fqinjët, momentalisht të zënë me planet e Shengenit të Vogël, do të fitonin perspektivë për të futur shpejt vendet e tyre në tregun e një gjysëm miliard njerëzve. Nga ana tjetër presidenti francez do të kishte rast ta ngrinte nën zero historinë e zgjerimit klasik të BE, së paku deri në një rast më të përshtatshëm. Lajtmotivi i kritikave të shumta në drejtim të Makronit është se po ia lë në dorë rajonin Rusisë, Kinë, Turqisë. „Nga gjeopolitike është e pamundur ta kalosh pa e parë betejën në Ballkanin Perëndimor“, tha Anna Ëieslander nga Këshilli Atlantik për New York Times. “Franca ose nuk e sheh, ose kjo është e pranueshme për të.”

“Gazetari zviceran Andreas Ernst është i bindur se modeli zviceran është i mjaftueshëm, që BE të mos ia lërë Ballkanin lojtarëve të tjerë. „Aksesi në EEA është esenciali – këtu është aksesi në fondet e infrastrukturës, është një instrument që i bën më pak tërheqëse për shembull projektet kineze të infrastrukturës apo marrëveshjen me Unionin Euroaziatik. Pra kjo i jep BE pushtet dhe ndikim“, thotë ai për DW.

Llogaritja ka shumë të panjohura. A është e gatshme Gjermania të pranojë? Si do t‘ua shesin këtë histori qytetarëve stabilokratët ballkanas? A është më mirë për Ballkanin Perëndimor të ketë trumcakun në dorë apo pëllumbin në degë?

Sidoqoftë statusi quoja është prishur, por vakuum në politikë nuk ka. Diçka e re po vjen. Një njohës i rajonit kujtoi këto ditë fjalët, që i atribuohen Churchillit: “Është gjynah ta çosh dëm një krizë të mirë.”

Çfarë është Marrëveshja e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA)?

Marrëveshja e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA) është një marrëveshje e bërë në 1992 që sjell vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe tre shtetet e Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) – Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia – në një treg të vetëm. (Shteti i katërt i EFTA-s, Zvicra, zgjodhi të mos bashkohet.)

Qëllimi i marrëveshjes është të forcojë marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis vendeve duke hequr pengesat tregtare dhe duke imponuar kushte të barabarta të konkurrencës dhe pajtueshmërisë me të njëjtat rregulla.

EEA përfshin vendet e BE-së dhe gjithashtu Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë. Kjo i lejon ata të jenë pjesë e tregut të vetëm të BE-së.

Zona Ekonomike Evropiane është një zonë e tregtisë së lirë midis Bashkimit Evropian dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA). Detajet e marrëveshjes tregtare të përcaktuara nga EEA përfshijnë lirinë e produktit, personit, shërbimit dhe lëvizjes së parave ndërmjet vendeve.

Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia janë vende anëtare të EEA-së, por ato nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian (BE)

Ruçi: Integrimi, nuk ka nevojë të shpikim projekte artificiale

Kryetari i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi, ka deklaruar se “Me Ballkanin Perëndimor jashtë saj, Europa dhe vetë Bashkimi Europian janë më të pasigurt”. Deklaratën e tij zoti Ruçi e bëri në takimin vjetor të komisioneve parlamentare të mbrojtjes dhe sigurisë të Evropës Juglindore, i cili ka nisur punimet dy ditore sot në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë.
Për kreun e parlamentit shqiptar qeverisja e sigurisë është një punë jo fort e lehtë në Europën Juglindore, dhe kjo për shkak të mbivendosjes së çështjeve të trashëguara nga historia, ekonomive të dobta, sistemeve të pafuqishme të mirëqënies dhe shfaqjeve të etnocentrizmit dhe nacionalizmit.

“Kërcënimet transnacionale, terrorizmi, armët e shkatërrimit në masë, trafikimi, krimi i organizuar dhe rreziqe të tjera globale bashkëjetojnë në rajonin tonë me demonët e trashëguar apo ata që rikrijojmë periodikisht ne vetë”, tha zoti Ruçi.

“Për arsye që i dijmë të gjithë, rajoni ynë duke qenë njësoj i rrezikuar, ka më pak imunitet mbrojtës nga rreziku kibernetik dhe rreziqet e tjera të avancimeve të vrullshme teknologjike të kohës sonë”, shtoi më tej ai.

Kreu i paralamentit shqiptar shprehu shqetësimin se “…pjesa tjetër e kontinentit dhe qytetërimi perëndimor ka krijuar ose ushqen disa stereotipe të rrezikshme ndaj Europës Juglindore, sidomos ndaj Ballkanin Perëndimor”. “Një pjesë e Europës Juglindore, të cilën prej vitesh e quajmë Ballkani Perëndimor, po merr një tingëllim negativ”, tha zoti Ruçi. Sipas tij “Ky negativizëm tenton të shndërrohet në qëndrime diskriminuese ndaj popujve që kanë një kontribut të spikatur për qytetërimin europian dhe që rrethanat historike i lanë prapa pjesës tjetër të kontinentit”.

“Ballkani Perëndimor nuk është një rajon fqinj i Europës, por pjesë integrale e saj”, tha zoti Ruçi. “Pjesa tjetër e kontinentit, por sidomos ato vende të Bashkimit Europian, prej nga burojnë qëndrimet skeptike e përjashtuese, duhet të kuptojnë se tendenca e pandryshueshme e historisë është afrimi i kufijvë politikë dhe kulturorë të Europës me kufijtë natyrorë të saj”, tha politikani i lartë shqiptar.

Në këtë konteks zoti Ruçi u shpreh se “Përkundër kësaj tendence nuk ka nevojë të shpikim projekte artificiale dhe as t’i joshim vendet tona, aspiruese për familjen europiane, me të ashtuquajturat përfitime prej modernizimit të procesit të integrimit. Sepse në shtëpinë e përbashkët që quhet Bashkimi Europian duhet të ketë vend për të gjithë europianët. Me Ballkanin Perëndimor jashtë saj, Europa dhe vetë Bashkimi Europian janë më të pasigurt”, tha zoti Ruçi.

“Nuk duhet të kemi dy standarte për sigurinë. Përkundrazi, përspektiva për sigurinë e Bashkimit Europian, duhet të jetë e njëjtë me konceptin e sigurisë për vendet jashtë Bashkimit Europian” ,tha kreu i parlamentit shqiptar.

“Prandaj politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes në dhe për rajonin e Europës Juglindore lidhen ngushtë më vizionin për Europën, Bashkimin Europian dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor”, theksoi në fjalën e tij Kryetari i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi në takimin vjetor të komisioneve parlamentare të mbrojtjes dhe sigurisë të Evropës Juglindore./Gazeta Liberale

 

Tags: , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back