Anëtarët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë betuar sot para Presidentit të Republikës.
Në këtë mënyrë, ka filluar zyrtarisht punën Struktura e Posaçme, por që tani njihet me inicialet SPAK.
Kjo strukturë përbëhet nga Prokuroria e Posaçme si dhe Njësia e Posaçme Hetimore me emrin “Byroja Kombëtare e Hetimit”, BKH, në varësi të saj.
Juridiksioni i SPAK-ut dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë. BKH do të ketë fillimisht një zyrë të vetme në Tiranë, por në varësi të punës dhe ushtrimit të detyrave, kjo Byro mund të hapë zyra të përkohshme të saj nëpër rrethe.
Në duart e prokurorëve të posaçëm do të dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar. Prokurorët e SPAK mund të hetojnë që nga Presidenti, Kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të Qeverisë ose jo.
Ligji detyron çdo punonjës të policisë dhe të Drejtorisë Kundër Pastrimit të Parave që për çdo rast të dyshimtë të denoncojnë tek prokurorët e SPAK.
Po ashtu, nga Këshilli i Lartë i Gjykatave u vendos që sot të fillojnë punën edhe dy Gjykatat e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa zyrtarisht, dy gjykatat e Krimeve të Rënda do të shkrihen./Gazeta Liberale
[gallery columns="1" size="full" ids="1112414,1112413,1112412,1112411"]