Qeveria shqiptare ka nisur procesin e zëvendësimit të disa ambasadorëve, të cilëve ose u ka mbaruar mandati, ose janë pranë daljes në pension.
Qeveria shqiptare i nis këto ndryshime të ambasadorëve të cilat duhet të ishin bërë shumë kohë më parë, por të qenurit e Ilir Metës president, shikohej si një mur pengese për emërimet e reja. Ky proces fillon tashmë që Bajram Begaj është kreu i shtetit. Sipas Top Channel në presidencë gjatë kësaj jave pritet të mbërrijë, lista me propozimet e grupit të parë të ambasadorëve të rinj.
Një prej deputetëve, anëtarë i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme në dijeni të propozimeve i tha Top Channel se Ilir Gjoni, aktualisht ambasador në Zvicër, propozohet të shkojë ambasador në NATO pas daljes në pension të ambasadorit aktual Visho Ajazi Lika.
Vendin e Gjonit propozohet ta zërë analisti Mustafa Nano, i cili me parë ka qenë pjesë e shërbimit diplomatik. Vendin e lënë bosh të ambasadorit në Emiratet e Bashkuara nga Ermal Dredha i cili kandidoi dhe fitoi si krye-bashkiak i Vlorës, propozohet për t’u zëvendësuar nga Ridi Kurtezi, aktualisht ambasador në Malin e Zi.
Ambasadorja e Shqipërisë në Holandë Adia Sakiqi pritet të emërohet ambasadore në një tjetër shtet në BE. Ish- nënkryetarja e kuvendit Vasilika Hysi është përzgjedhur për të drejtuar Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Ndërsa diplomacinë shqiptare në kryeqytetin e Austrisë, Vienë pritet ta drejtojë ish deputeti socialist Fate Velaj. Ervin Bushati, ish- deputet dhe ish drejtues i PS Tiranë, është favorit për të zëvendësuar ambasadoren Floreta Faber, në SHBA.
Procesi emërimit të ambasadorëve të rinj nis me propozimet e Ministrisë të Europës dhe Punëve të Jashtme, të cilat marrin aprovimit të kryeministrit i cili ia dërgon kuvendit. Të gjithë të propozuarit për ambasador zhvillojnë dëgjesa në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme. Pas miratimit nga ky komision, i vjen radha dekretimit nga presidenti Bajram Begaj.