Aktualitet

EKSKLUZIVE/ Ambasadorë me mandat 10 vjeçar! Shqipëria një rast unikal në botë: 41 titullarë të përfaqësive tona në shkelje të ligjit (Emrat)

Shkruar nga Liberale

Reldar Dedaj

Dyzet e një titullarë të përfaqësive shqiptare në botë, nga 51 gjithsej, vijojnë punën normalisht përtej mandatit 3-vjeçar, duke shënuar një rast të paprecedentë në politikën dhe në praktikën e mirë dhe të konsoliduar ndërkombëtare. Rasti më emblematik është ai i ambasadorit tonë në Republikën e Francës, Dritan Tola, i cili sapo ka mbushur 10 vite nga dekretimi i tij nga presidenti i ndjerë Bujar Nishani. Ndërkohë, kanë kaluar në krye të detyrës edhe dy presidentë të tjerë, jo vetëm z.Tola por të gjithë ambasadorët tonë në rajon apo në vende ku Shqipëria ka interesa të veçanta janë në këto kufij kohor, 8 deri në 9 vite.

Referuar akteve zyrtare dhe publike Liberale.al ka kryer një analizë në lidhje me emërimet e ambasadorëve shqiptar në botë, kriteret e përzgjedhjes si dhe kohëzgjatjen e mandatit të tyre. Nëse i referohesh një liste të tillë, Shqipëria përbën sot një rast unikal në botë që diplomatët qëndrojnë prej një dekade në një vend të caktuar. Pothuajse, hiq vetëm 2 ambasadorë, gjithë të tjerët janë jashtë mandatit të tyre 3-vjeçar.

Në lidhje me këtë çështje, gazeta Liberale.al pyeti ish-ambasadorin Genci Muça dhe sipas të cilit, pjesa më e madhe e ambasadorëve shqiptarë të akredituar në vende të huaja, kanë hyrë ose janë në mbarim të mandatit të tretë diplomatik në të njëjtin vend.

Pothuajse të gjithë Ambasadorët shqiptarë e kanë tejkaluar mandatin tre-vjeçar të shërbimit, sikundër e parashikon ligji për shërbimin e jashtëm 23/2015. Pas ndryshimit të ligjit, i cili uli kohën e mandatit të diplomatëve jashtë vendit nga 4 në 3 vite, në mënyrë të pashpjegueshme dhe të paarsyeshme, një numër shumë i lartë diplomatësh, jo vetëm kanë kapërcyer këtë kufi kohor, por tashmë janë në ushtrim të mandatit të tyre të tretë. Një numër i madh i tyre kanë tejkaluar prej kohësh edhe vitet e daljes në pension”, tha Muça.

[caption id="attachment_1331041" align="alignnone" width="604"] Genci Muça, ish-ambasador në Turqi[/caption]

Për këtë sjellje të pajustifikuar, Genci Muça, thotë se qeveria shqiptare cenon figurën e diplomatëve shqiptarë, pasi jo vetëm shkel ligjin dhe praktikën ndërkombëtare diplomatike, por edhe i vendos ata në pozita të pamerituara denigruese në raport me kolegët e tyre dhe me qendrat vendimmarrëse të diplomacisë.

Në praktikën ndërkombëtare, kohëzgjatja e mandatit diplomatik vlerësohet si tejet e rëndësishme, me qëllim shmangien e familjarizimit të diplomatëve në vendet ku shërbejnë, zhdërvjelltësimin e aktivitetit dhe kontakteve diplomatike por edhe për ruajtjen e një raporti të drejtë të kohës së shërbimit jashtë dhe brenda vendit”, shprehet për Liberale.al.

Ai, mendon se ajo çfarë po ndodh prej disa vitesh me diplomacinë shqiptare, qoftë në raport me tejkalimin e skajshëm të mandatit, qoftë me rekrutimet jashtë sistemit, qoftë me përfaqësimin e interesave partiake, më shumë se sa shtetërore nga diplomatët shqiptarë është e papranueshme dhe e dënueshme.

Ish-ambasadori Muça, thotë për Liberale.al se përjashtime nga kjo praktikë e konsoliduar botërore, janë shumë të kufizuara dhe, në asnjë rast, nuk ndodh në një vend anëtar të NATO-s.

[caption id="attachment_1331038" align="alignnone" width="597"] Arben Çejku, ish-ambasador në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut[/caption]

Një mendim të ngjashëm në lidhje me këtë çështje ndan edhe ish-ambasadori Arben Çejku, i cili i pyetur nga Liberale.al në lidhje me këtë çështje, sqaroi se për herë të parë në historinë e diplomacisë shqiptare, kemi ambasadorë që shërbejnë mbi 8 vite në një vend, duke i dhënë këtij përfaqësimi edhe nota komike për institucionet pritëse.

Sipas tij, nxjerrja jashtë loje me ligj e Presidentit për emërimin dhe shkarkimin e ambasadorëve dhe heqja e kompetencave të Komisionit të Politikë së Jashtme në Kuvend për dhënien e pëlqimit, para se ata të dekretohen, kanë hequr çdo lloj forme presioni institucional, që precedente të tilla të rrezikshme të mos ndodhin më. Ai ka bindjen se politika, gjithnjë ka futur duart në shërbimin e jashtëm, për të sistemuar apo për të ndëshkuar diplomatë dhe zyrtarë sipas lidhjeve partiake, nepotike, klanore etj dhe, koha tregoi që Ligji i vitit 2015, jo vetëm nuk e përsosi shërbimin e jashtëm, por e la atë në rënie të lirë.

"Unë mendoj se, përtej fatit të disa ambasadorëve, që ushtrojnë detyrën e tyre në shkelje të ligjit, ligji për shërbimin e jashtëm dhe diplomatik, duhet të rishikohet duke korrigjuar së paku tri nga shtyllat e tij; t’i rikthejë kompetencat Kuvendit, duke mos e lënë Komisionin e Jashtëm thjeshtë si dëgjues post factum; t’i rikthejë Presidentit kompetencat e emërimit dhe lirimit nga detyra të ambasadorëve; të rishikojë kufirin e emërimeve jashtë sistemit dhe, përfundimisht, të caktojë qartë afatin e shërbimit për një ambasador dhe Komisioni i Karrierës Diplomatike, Sekretari i Përgjithshëm, Ministri dhe Kryeministri, të realizojnë qarkullimin e diplomatëve në strukturën e shërbimit të jashtëm duke i dhënë përparësi meritokracisë", tha Çejku.

Në të kundërt, shpjegon ai, ky precedent negativ që është krijuar në shërbimin tonë të jashtëm, do të përdoret edhe nga ministra dhe kryeministra të tjerë në të ardhmen. Sipas tij është për të ardhur keq që, në njërën anë kemi ambasadorë që qëndrojnë mbi 6 vite në një detyrë, kurse në Vatikan, prej shumë vitesh nuk ka një ambasador të Shqipërisë.

“Në vitin 2020, Kontrolli i Shtetit gjeti shkelje të tilla për mbi 9 raste. Më vjen keq të them, që edhe sot është e njëjta situatë apo më keq, ku një numër shumë i madh ambasadorësh kanë zënë pluhur në ambasadat tona si përfaqësues të vendit prej më shumë se 6-7-8-9 vitesh. Të gjithë këto zyrtarë janë aty, sepse drejtuesit e qeverisë, Kryeministri dhe Ministri(at) e jashtëm gjatë këtyre viteve, nuk e kanë ndjerë të nevojshme të zbatojnë Ligjin Nr.23 të vitit 2015 dhe as Rregulloren për MPJ të datës 07.10.2015, akte të cilat, u miratuan përmes debatesh dhe kritikash të shumta profesionale nga të dyja anët e politikës”, tha ish-ambasadori.

Ai thotë se shkelja e ligjit nuk duhet kërkuar tek ambasadorët, sepse ata, në fund të fundit, nuk mund të qëndrojnë në detyrë, në kundërshtim me urdhrin e Ministrit të Jashtëm dhe Kryeministrit, sipas tij, ata janë të amnistuar për aq kohë sa titullarët nuk e kërkojnë kthimin e tyre në atdhe.

Për të, nga këndvështrimi ligjor, këto afate duket sikur gjejnë “justifikim” tek Pika 5 e Nenit 26 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, në të cilin afati i shërbimit në krye të misionit diplomatik nga ambasadori është lënë evaziv, pa tavan: “Funksioni i kreut të misionit diplomatik është, si rregull, 3 vjet”, thotë neni. Pra, vetë ligji, tregon ai ka lënë hapësirë për abuzime administrative me afatet.

Kur thua “si rregull”, atëherë, edhe shkelja që konstatohet sot, në thelb është “shkelje rregulli” ose “përjashtim nga rregulli”, por jo “shkelje ligji”. Vetë Ligji 23, 2015 dhe aktet e tjera nënligjore, kanë krijuar hapësira të tilla për abuzime dhe favorizime politiko–nepotike. Në përgjithësi, krerët e misioneve diplomatike, në varësi të rrethanave specifike në vendin tonë apo në vendin pritës, kanë qëndruar deri në 5 vite, por jo më shumë. Kritika më e madhe është bërë, ndërkohë, se shumë prej tyre, me lidhje nepotike në qeveritë e kohës, nuk janë rikthyer në atdhe, por janë emëruar në një vend tjetër, pa kaluar fare në MPJ për dy ose tri vjet, siç e ka ligji. Edhe aty, diplomatët janë ndarë, disa të nënës e disa të njerkës”, tregon Çejku për Liberale.al.

Më herët, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka bërë thirrje Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, Qeverisë, Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, si dhe Presidentit të Republikës që të reflektojnë sa më parë ndaj kësaj sjellje të pa përgjegjshme ndaj shërbimit diplomatik shqiptar.

  1. Ermal Dredha                Ambasada Abu-Dhabi                       08.05.2016
  2. Ilir Boçka                        Ambasada Beograd                          27.07.2014
  3. Artur Kuko                    Ambasada Berlin                               16.02.2014
  4. Ilir Gjoni                        Ambasada Bern                                 14.02.2014
  5. Enkeleda Merkuri       Ambasada Bratislave                           05.09.2015
  6. Rezar Bregu                 Ambasada Brazil                                 27.09.2018
  7. Ilir Tepelena                Ambasada Bukuresht                          23.01.2015
  8. Aida Sakiqi                   Ambasada Hagë                               17.07.2014
  9. Bardhyl Canaj              Ambasada Izrael                                 21.10.2015
  10. Eduard Sulo        Ambasada Kajro                                          10.10.2014
  11. Elida Petoshati   Ambasada Kopenhagen                               02.11.2018
  12. Saimir Bala          Ambasada Kuvajt                                        01.05.2016
  13. Qirjako Qirko      Ambasada Londer                                        21.08.2016
  14. Arben Gazioni     Ambasada Moskë                                        16.01.2015
  15. Ermal Muça         Ambasada Otave                                          03.06.2016
  16. Dritan Tola           Ambasada Paris                                           26.02.2013
  17. Selim Belortaja    Ambasada Pekin                                          16.03.2017
  18. Ridi Kurtezi           Ambasada Podgoricë                                  01.10.2018
  19. Ilirian Kuka           Ambasada Pragë                                         13.11.2018
  20. Qemal Minxhozi  Ambasada Prishtinë                                    10.02.2014
  21. Sami Shiba            Ambasada Riad                                           06.01.2015
  22. Anila Bitri              Ambasada Romë                                        19.05.2016
  23. Fatos Reka            Ambasada Shkup                                         23.07.2015
  24. Pëllumb Qazimi   Ambasada Slloveni                                       01.05.2014
  25. Donika Hoxha       Ambasada Sofje                                          14.10.2018
  26. Virxhil Kule            Ambasada Stokholm                                  15.10.2018
  27. Gjergj Teneqexhiu Ambasada Tokio                                         11.08.2016
  28. Shpresa Kureta       Ambasada Varshavë                                   02.09.2014
  29. Majlinda Dodaj       Ambasada Vatikan(e ngarkuar me punë)  07.06.2010
  30. Roland Bimo           Ambasada Vjenë                                        14.02.2014
  31. Floreta Faber          Ambasada Washington                               05.05.2015
  32. Riza Poda                 Ambasada Zagreb                                      29.10.2018
  33. Anila Pojani             Konsullata Milano                                       28.06.2016
  34. Sonila Janina           Misioni BE Bruksel                                       03.10.2014
  35. Ravesa Lleshi           Misioni Gjenevë                                          06.04.2018
  36. Visho Ajazi Lika       Misioni NATO                                              01.02.2018
  37. Arten Hanku            Konsullata e Përgjithshme Mynih               19.10.2016
  38. Blerta Katzadej        Konsullata  Stamboll                                           2019

Shënim: Brenda mandatit janë vetëm 6 konsuj dhe 2 ambasadorë./Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH