Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Miratimi i buxhetit nuk mund të bëhet me një procedurë të zakonshme

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Miratimi i buxhetit nuk mund të bëhet me

Ervis Iljazaj

Të hënën mes tymit dhe flakëve Parlamenti i Shqipërisë miratoi buxhetin për vitin 2024. Të gjithë vëmendjen fatkeqësisht e mori obstruksionizmi parlamentar i rithemelimit, në vend që të aty të diskutohej për problemet dhe hallet e shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. Megjithatë, problemi me ligjin e buxhetit në Shqipëri nuk qëndron te protesta e opozitës, pasi këto janë momente të jashtëzakonshme të cilat ndodhin rrallë.

Përtej analizave politike nëse bëri mirë apo keq rithemelimi që nuk diskutoi për buxhetin por vazhdoi linjën e saj politike tashmë të ditur, problemi qëndron tjetër kund. Ligji i buxhetin në Shqipëri, fatkeqësisht konsiderohet si çdo ligj tjetër. Madje dhe procedurat për miratimin e tij janë pak a shumë si një procedurë e zakonshme sikundër aprovohen ligjet e tjera.

Ndërkohë ky ligj, që ka të bëjë me paratë tona duhet të konceptohet dhe konsiderohet si ligj i jashtëzakonshëm. Dhe procedura që miratohet nuk mund të konsiderohet si e zakonshme ashtu siç ndodh në Shqipëri. Nuk ka ligj më të rëndësishëm, mbase pas atij zgjedhor, se sa ligji i buxhetit për një shtet demokratik.

Me anë të tij, shpenzohen paratë e qytetarëve, paraqitet vizioni i një qeverie apo paraqiten alternativat e qeverisjes të një opozitë. Në këtë kuptim, ky ligj meriton të gjithë vëmendjen procedurale dhe politike të duhur. Gjë e cila, deri më tani nuk ka ndodhur.

Shumë nga vendet demokratike, momentin e aprovimit të ligjit buxhetor e konsiderojnë një sesion të posaçëm parlamentar, i cili zgjat me muaj të tërë. Në këtë sesion ka procedura parlamentare të veçanta dhe jo si një proces ligjor i zakonshëm, ashtu sikurse ndodh në Parlamentin e Shqipërisë.

Kështu që, momenti i aprovimit të këtij ligji nuk mund të trajtohet si një moment çfarëdo parlamentar. Por, si një moment kyç i gjithë politikës, rreth të cilit duhet të pasqyrohen të gjitha alternativat politike dhe ekonomike të vendit.

Kështu siç e trajtojmë sot këtë ligj, nuk është aspak në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe politik të vendit.

Edhe pse ligji i buxheti është kompetencë ekskluzive e qeverisë, nuk do të thotë aspak që ai të jetë një moment përjashtues ndaj grupeve të interesit apo palëve të tjera politike.

Por, duhet të shërbejë si një debat gjithëpërfshirës nëpërmjet procedurave që e mundësojnë një gjë të tillë.

Kudo në vendet demokratike, sa herë që afrohet momenti i ligjit të buxhetit të shtetit, shërben si një moment publik për të debatuar, diskutuar dhe rrahur ide apo ideologji të ndryshme rreth tij. Sepse, nuk ka moment më të mirë për të shpalosur çdo vizon të mundshëm për qeverisjen dhe garën e këtyre vizioneve, që mundëson ligji i buxhetit të shteti. Edhe pse në thelb duket një ligj teknik, që thjesht vendos se si do të shpenzohet paratë e qytetarëve, në fakt, është një ligj i cili ka funksion thelbësor për një shoqëri demokratike.

Dhe për të arritur të gjithë rëndësinë dhe funksionet që ka, duhet me patjetër të rikonceptohet si një moment i tillë nëpërmjet procedurave që e mundësojnë këtë.

Për fat të keq, në Shqipëri, ligji i buxhetit vazhdon ende të konceptohet thjesht si ca para të cilat duhen shpenzuar aty-këtu, në mënyrë matematike dhe kaq. Ndërkohë që, ligji i buxhetit është më shumë se kaq. Është ligji më politik që ekziston me gjithë kuptimin që ka kjo fjalë.

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH